Nga Albert Vataj
Vincenzo Bellini, asokohe jo shumë i njohur, por një fenomen i muzikës, shkonte shpesh tek një familje e shtresës së lartë dhe i jepte mësime muzike Maddalena Fumarolis, vajzës së të zotit të shtëpisë. Midis vajzës së bukur dhe Bellini-t lindi një dashuri e madhe, një dashuri, e cila nuk do të mund të fshihej nën petkun e fshehtësisë, syve vjedhacakë, pëshpëritjeve në kthinat e salloneve dhe prekjeve të drojshme. Prindërit, kur e pikasën këtë regëtima dashurie, e dëbuan nga shtëpia mësuesin e ri, Vincenzo Bellini. Megjithatë të rinjtë nuk i prenë marrëdhëniet. Ata takoheshin fshehurazi, por gjithsesi kjo nuk do të ishte e mjaftueshme, megjithëse vazhdoi të jetonte mes të dyve një zjarr dashurie. Maddalena në këtë fazë dashurie të ndaluar dhe pasioni zjarrmëtar, i dërgonte Bellinit disa poezi të saja, të cilat ai i vinte në muzikë, në atë kolon muzikore që ushqehej në vibracionet e shpirtit. Kur “ky bashkëpunim” dashnorësh ekzekutohej në sallonet mondane të Napolit, rrëmbeu një sukses të jashtëzakonshëm. Gjithçka në këtë shprehi muzikore rrezëllinte dritë dashurie dhe mëkonte shkëndija të fuqishme pasioni. Kësokohe, Vincenzo Bellini dha prova të shkëlqyera si muzikant dhe nën stimulin e këtij pushteti e kësaj fame, u nxit t’i kërkonte sërish prindërve dorën e Maddalena-s joshëse. Ata nuk pranuan.
Bellini ishte i vendosur për të marrë lejen e prindërve për ta kurorëzuar në martesë lidhjen e tyre. Ky insistim konsiderohet nga kritika si shtysë për krijimin e operas së parë të galerisë së tij operistike. Vjen në jetë “Adelson e Salvini” një opera semiseria me tre akte, me libret të shkruar nga Andrea Leone Tottola, e shfaqur në Konservatorin San Sebastiano në Napoli më 12 shkurt 1825. Edhe kjo ngjitje në panteonin e famës nuk i voliti Bellinit zemërzhuritur të cilit ju refuzua sërish kërkesa nga prindërit e Maddalena Fumarol.