Nga Albert Vataj
Shekujt janë qartazi përcaktes, rreptësisht të drejtë, sikundër dhe të pamëshirshëm deri në hakërrinë e harresës. Hedhin tej në të shkuarën dhe e mbulojnë me tis dhe mjegull anateme çdo gjë që vjetrohet, gjithseçka që koha e përjashton nga shtati i saj si një çiban lëndues. Përkundër, është ajo që ruan si ama foshnjën, si diçka të patëdytë, të çmuar tançka ndryn në vetvete rininë e përjetshme. Gjithseçka që ka veshur mantelin e përjetësisë dhe predikon jetën e pasosun. E kurrçka tjetër që rrok këtë shenjtëri nuk asht veç kryeveprave si “Komedia Hyjnore”. E kur citojmë këtë rrokakohohë të pamatë, natyrshëm që nënkuptojmë atë vullnesë eterne që e përjetësoi në vargje këtë titan të letërsisë botërore. Kur përmendim “Komedia Hyjnori”, gjithherë qasemi të rrokim hapsinën e pamatë të atij shpirti kumtues dhe atij vullneti shpërthyes.
Dante Alighieri lindi në Firencë, midis 14 majit dhe 13 qershorit 1265 – vdiq në Ravena më 14 shtator 1321. Dante ishte poet, shkrimtar, arkitekt dhe veprimtar politik. Konsiderohet si poeti më i madh i Italisë. E kjo nuk është vetëm një konsideratë, një kumtesë, një qëmtim retorik dhe statistikor. Eshtë një e tashme e çdo kohe, me të drejtën për të përqafur këtë në brezni.
Rrugëtimi tokësor i një ylli
Tana heret më bëhet që jeta dhe fati nuk janë shumë dashamirës, shumë miklues për përpjekjet ngadhënjyese dhe fundin e korifejve të mendimit dhe të shëmbëllimit. Kështu edhe Dante, edhe jeta e tij, si e shumë poetëve, filozofëve, artistëve; të mëdhenj, të kohëve të deritashme, patën një Golgotë të mundimshme. Dante pati një jetë shumë të vështirë, vdiq në ekzil larg nga qyteti i tij i lindjes. Veprimtaria e tij i përket pragut të Rilindjes Evropiane, e cila solli në jetë titanë të vërtetë për nga forca e mendimit dhe e pasionit, për karakterin dhe diturinë e shumanshme për gjithëkohësinë që i mëkuan veprave të tyre.
“Perëndimi i Mesjetës feudale dhe afrimi i epokës së sotme”, u shënua nga një figurë vigane nga një dimension i pamatë etik, estetik, historik dhe artistik. Ky është përnjimend Dante Aligeri, më i madhi poet i Italisë, një nga figurat më gjeniale të letërsisë botërore, poeti i fundit i Mesjetës dhe njëkohësisht poeti i parë i Kohës së Re. Konsiderohet si babai i gjuhës italiane. Biografët janë të mendimit se jo vetëm letrarët dhe njerëzit e kulturuar, por dhe njerëzit e thjeshtë lexonin dhe mësonin përmendësh pjesë nga Komedia Hyjnore.
Si personalitet krijues, me ndjenja të zhvilluara atdhetare, Dantja udhëhiqej nga besimi se poezia duhet t’i shërbente popullit, të ishte pasqyrim i ngjarjeve politike dhe në funksion të ndërtimit të një shoqërie më të përparuar. Sipas Dantes, njeriu duhej të çlirohej nga kufizimet fetare dhe të synonte drejt shprehjes së lirë të mendimeve dhe të ndjenjave të tij, si dhe drejt zgjimit të vetëdijës qytetare e politike. Vetëm kështu do të mund të zotëronte humanizëm dhe demokratizim në marrëdhëniet më njerëzit e tjerë. Pjesëmarrja aktive në jetën shoqërore e politike të Firencës, i siguroi Dantes karrierë të shpejtë e të ndritshme, por ndoshta edhe goditjen më të madhe e më të dhimbshme të jetës së tij.
Universi i krjimtarisë
Tankush e ka përçuar në erudicionin e formimit të vet këtë emër, ka gjetur shtegun përnga përfundimi se Dante është poeti më i madh italian i të gjitha kohërave. Ai ishte gjithashtu, një shkrimtar i shquar në prozë, mendimtar aktiv politik, filozof moralist e teoricien letrar, gjithashtu dhe arkitekt. Si vazhdues i trubadurëve provansalë, që i këndonin “beatriçes dhe rihanas” (vashës) e dashurisë kalorsiake dhe i ndikuar nga krijuesit e shkollës poetike të “stilit të ri të ëmbël”, e veçanërisht nga bolonjezi Guido Guiniçeli. Dantja krijoi një lirikë delikate dhe depërtuese, përplot me realizëm e nerv vërshimi, të thellë e të çiltër, ku dashuria tokësore e qiellore shkrihen e behën një. Më 1294 ose ’95 shkruan në gjuhën popullore veprën “Jeta e re” (Vita nuova), historinë e dashurisë së tij me Beatriçen, të parin tregim autobiografik në historinë e letërsisë së Evropës Perëndimore. “Rimat” janë një përmbledhje sonetesh, baladash e këngësh, që i kushtohen Beatriçes dhe mikut të tij Guido Kavalkanti. Janë shkruar në gjuhën popullore sipas “stilit të ri të ëmbël”.
Ati i gjuhës italiane
Në vitet 1306-1308, duke luftuar për krijimin e një gjuhe të përbashkët për popullin italian, shkroi traktatin “Mbi gjuhën popullore”, të parin traktat gjuhësor në Evropë. Në të, ai flet për prejardhjen e gjuhëve, sidomos romane, dhe ndalet në 14 dialektet e gjuhës italiane. Ai synon krijimin e një gjuhe që të jetë po aq e përsosur sa latinishtja, që të matet pa frikë me frëngjishten dhe gjuhën provansale. Vepra mbeti e përkryer plotësisht. Këto vepra të tjera janë mjaft të rëndësishme, po ajo që i dha atij lavdinë e përjetshme, e hodhi në prehrin e amshimit, është kryevepra me titull: “Komedia Hyjnore” (La divina Commedia). Ajo ishte dhe mbeti “Iliada” romane e Rilindjes. Kolana e librave të përbotshëm, nuk do të ishte e përplotësuar pa “Komedinë Hyjnore”, një nga vërshimet më të potershme të kohës dhe një nga miklimet më të adhuruara, për hapat e mëvonshëm të pasionit për shpirtin dhe sentimentet, etikën dhe estetikën, besimin dhe hovin drejt qiejve të paanë të lirisë, fshikujve ndaj sistemit të anitvlerave dhe amborzin për plagën e kahershme të përkushtimit.
“Komedia Hyjnore”
Struktura e saj mbështetet në numrin tre në raport me numrin një: ka tre kantika (Ferri, Purgatori dhe Parajsa), të ndara secila në 33 këngë. Vargjet janë të ndarë gjithashtu në (strofa me tre vargje). Sipas Dantes, vepra e tij nuk ishte e stilit të lartë, por të mesëm, për shkak të zhvillimit të aksionit (sepse këtu veprimi fillon i trishtuar dhe mbaron i gëzuar) dhe gjuhë te folur italishte jo stilit të lartë. “Hyjnore” ajo u quajt vetëm më vonë nga pasardhësit për vlerat e saj të larta poetike dhe të përmbajtjes. Udhëheqësi i tij nëpër Ferr është Virgjili, i cili e shoqëron atë edhe në Purgator. Pastaj atë e shoqëron Beatriçja, bashkë me të cilën ai ngjitet në sferat e planetëve dhe të yjeve të Parajsës, ku takohet me shpirtrat e bekuar që zbresin për ta përshëndetur. Duke dalë nga pylli i errët i mëkateve, poeti takon Virgjilin, i cili bëhet udhërrëfyesi i tij nëpër Ferr. Ata futen në portat e Ferrit ne vitin 1300. Sëbashku kalojnë nëntë rrathët e Ferrit dhe sosin në qendër të tokës. Tre janë mëkatet kryesore që ndëshkohen në Ferr: mospërmbajtja, dhuna dhe mashtrimi. Sipas Dantes, Ferri është vendi i ndëshkimit të çdo dhune, e cila mund të ushtrohet ndaj Krijuesit, të afërmëve dhe vetëvetes. Në këtë botë të dhimbjes së përjetshme shohim figura historike të të gjitha kohërave, të të gjitha fushave: Në letrën më lart Dante shkruan: ” … mund të themi shkurt se fundi i të tërës (i komedisë sime) është që të nxirren të gjallët në këtë jetë nga gjendja e mjeruar dhe të udhëhiqen për në gjendjen e bekuar”. Në Komedi u mishërua puna e madhe, e gjatë dhe këmbëngulëse që kishte bërë Dante. Ai arriti të krijojë një kryevepër me vlera artistike, të japë gjykimin për njerëzit e kohës së shkuar dhe bashkëkohësit.
“Jo më pak se dija, dyshimi më pëlqen”
Kjo vepër monumentale është shkruar në një periudhë tetëvjeçare (1313-1321). Dantja e titulloi veprën Komedi, sipas poetikës së moçme, duke dashur të përcaktojë gjininë e veprës: Komedia është një vepër që përfaqëson një rrëfim me përfundim fatlum, e kundërta e tragjedisë. Në realitet dhe Komedia e Dantes përfundon fatmirësisht, meqenëse protagonisti e takon Zotin, pra sos udhën e vet në fillimi i jetës së pasosun përkrah krijuesit. Më vonë, me sugjerimin e Xhovani Bokaçios, kësaj vepre iu shtua atributi hyjnor, që të lartësohej më fuqishëm madhështia dhe bukuria e saj. Te “Komedia Hyjnore” Dantja shfreu të gjitha pasionet e tij, sulmoi ashpër armiqtë, u sul kundër tiranive dhe korrupsionit të selisë papnore, kundër veseve njerëzore, u tregoi bashkëkohësve të vet se si duhej ndrequr njerëzimi. Vepra paraqet një alegori epike trekëngëshe të shpirtit njerëzor dhe një përmendore, në të cilën me fantazinë e tij të mrekullueshme. Si arkitekt gjenial, ai ngriti ndërtesën e mbretërisë së botës së përtejme. Me fjalë të tjera është një përshkrim i udhëtimit fantastik të Dantes nëpër tri mbretëritë e përjetshme: Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës. Gjatë këtij udhëtimi përfytyror, që zgjati vetëm 24 orë, Dantja provoi të përshkruajë gjendjen e shpirtit të njeriut pas vdekjes. Shtegëtimet nëpër rrugë të llahtarshme, me plot vajtime, dhimbje, pendime, dyshime e gëzime, përfshijnë një botë me njerëz të të gjitha kohërave dhe të të gjitha shtresave.
Përjetësia e një kumti
Tash kur kanë kaluar afor shtatë shekuj që nga vdekja e këtij dimensioni krijues të pamatë, bota e mendimit dhe e kumtimit të së tashmes, ka rrethuar me brerorë shenjtërimi emrin dhe veprën e tij. Tash kur kanë kaluar kaq vite mundet me xanun vend si gjymtyrë e thyeme nga shtatorja e një statuje, ajo që i madhi Bogaço shkroi për Danten: “Emni i tij sa më shumë do të lëmohet nga koha, aq më i qartë e më i ndritshëm ka për t’u ba”. Kurrqysh ma bukur nuk i përkojnë se më këtë sentencë emri, vepra dhe koha që limoi Danten, duke e kthyer atë në një shkrepëtim zjarmtare rrufeje për tan ata shpirtra që velen në çastet e fundit të jetës, e të tjerëve që vetë jeta i përball orë e çast me cakun e mbram.