- Unë nuk njoh asgjë me qartësi, por pamja e yjeve më bën të ëndërroj.
- Shpesh mendoj se nata është më e gjallë dhe më e shumëngjyrshme se dita.
- Unë përjetoj një periudhë kthjellimi drithërues në ato momente kur natyra është aq e bukur. Unë nuk jam më vetja ime, dhe pikturat duken sikur janë bërë në një ëndërr.
- Unë mund të bëj fare mirë pa Zotin në jetën time dhe në pikturat e mia, por unë, pa Zotin, i vuajtur siç jam, nuk mund të bëj diçka që është më e madhe se unë, që është jeta ime, fuqia për të krijuar.
- Unë e vë zemrën time dhe shpirtin tim në veprën time, dhe e humb mendjen time në procesin e krijimi të saj.
- Gjërat e mëdha janë bërë nga gjëra të vogla të bashkuara mes tyre.
- Lumturia… ajo ndodhet në gëzimin e arritjeve, në trillin e përpjekjeve krijuese.
- Unë ëndërroj duke pikturuar, pastaj e pikturoj ëndërrën time.
- Mendoj se nuk ka gjë më vërtetë artistike se t'i dashurosh njerëzit.
- As vetëdija e rrëzueshmërisë sime nuk mund të më frenojë së bëri gabime. Vetëm kur rrëzohem, unë ngrihem prapë.
- Mos e ngujo frymëzimin dhe përfytyrimin; mos u bë skllav i modelit tënd.
- Ndërgjegja është kompasi i njeriut.
- Teksa ne ecim në jetë, bëhet gjithnjë më e vështirë të ndeshemi me vështirësitë që janë rrënjosur në zemrën tonë.
- Një pikturë e mirë është e barbartë me një bamirësi.
Këtu poshtë, po paraqesim një përzgjedhje të fjalëve të shkruara nga Vincent, shkëputur nga letrat që I dërgonte Theo-s, përzgjedhje që më së miri e nxjerr në pah gjendjen e tij shpirtërore:
- Për të vepruar në këtë botë, duhet të vdesësh brënda vetes…Njeriu nuk gjendet përmbi tokë vetëm për të qenë i lumtur, as dhe për të qenë thjesht i ndershëm. Gjëndet për të realizuar gjëra të mëdha për shoqërinë, për të arritur fisnikërinë e shpirtit e për t’u hedhur përtej vulgaritetit në të cilin hiqet zvarrë egzistenca e pothuaj të gjithë individëve.
- Për çfarë mund të jem i dobishëm, për çfarë duhem? Ka diçka brenda meje, por çfarë është?
- Njeriu është i huaj përmbi tokë dhe jeta e tij është një udhëtim i shkundulluar nga stuhitë.
- Ç’është të pikturuarit? Si arrihet? Është akti i shpalosjes së një peisazhi, nëpërmjet një muri të padukshëm prej hekuri, që me gjasë gjendet mes asaj që ndjen e asaj që mundesh.
- Më pëlqen më shumë të pikturoj sytë e njerëzve se sa katedralet, sepse në sytë e njerëzve egziston diçka që nuk gjendet në katedralet, sado madhështore e hijerënda që të jenë.
- Do të doja të pikturoja burra e gra me nuk di se ç’gjë të përjetshme, për të cilën, dikur, simboli ishte aureola që ne e kërkojmë në rrezatimin e brendshëm e në regëtimën e koloritit tonë.
- Gjithçka është në të njejtën kohë, simbol dhe realitet.
- Të vuajturit pa u ankuar, është i vetmi mësim që mund të marrësh në këtë jetë.
- Ngandonjëherë, ashtu si dallgët e dëshpëruara që thërrmohen ndër shkëmbinj, unë ndjej dëshirën turbulluese për të përqafuar diçka…
- Në ethen time trunore apo në çmendurinë, nuk di si ta çuaj, mendimet e mia kanë lundruar në shumë dete.
- Është e vështirë të largohesh nga një vend, përpara se të kesh treguar në një farë mënyre se e ke ndjerë dhe e ke dashur.
- A e di ti, Theo, këtë shprehje të një poeti holandez: “jam lidhur me tokën me fije më shumë se tokësore”?
- Nuk jetoj për veten, po për brezin që do të vijë.
- Natyra është mënyra më e mirë për të kuptuar artin; piktorët na mësojnë që të shikojmë.
- Nëse do të vlej diçka në të ardhmen, vlej edhe tashti, sepse gruri është grurë, edhe pse qytetarët në fillim e pandehnin bar.
- E kështu, për punën time rrezikoj jetën dhe kam humbur gjysmën e arsyes.
- Njeriu është i huaj përmbi tokë, dhe jeta e tij është një udhëtim I tronditur nga stuhitë.
- Jeta jonë është si çapitja e një pelegrini. Një herë pashë një pikturë të shkëlqyer, paraqiste një peisazh mbrëmësor. Në të djathtë, në largësi, një rresht kodrinash që dukeshin si blu në lagështirën e mbrëmjes. Përmbi këto kodrina, vezullimën e perendimit, retë gri të përvijuara me argjend, me ar e me purpur. Peisazhi është një rrafshinë e mbuluar me bar e me shkurre dhe aty- këtu me lëvoret e bardha të mështeknave, gjethet e së cilave janë të verdha, sepse është vjeshtë. Mespërmes peisazhit gjarpëron një rrugë që të çon kah një mal i lartë, shumë, shumë të largët, e mbi majën e malit, një qytet mbi të cilin dielli që perendon lëshon një dritë lavdie.
- Mbi rrugë ecën një pelegrin që në dorë ka një bastun. Ai tashmë është duke ecur që prej shumë kohe dhe është i lodhur. Takon një grua, një figurë krejt në të zeza që të sjell ndërmend fjalët e Shën Palit: “Edhe pse e trishtë, prapëseprapë gjithnjë e hareshme. Ky engjëll i Zotit është vënë aty për t’i dhënë zemër pelegrinit e për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij; dhe pelegrini e pyet: “A shkon gjithnjë përpjetë kjo rrugë?”. Dhe përgjigja është: “Po, deri në fund”. E pelegrini pyet sërish: “A do të vazhdojë gjithë ditën udhëtimi?” Dhe përgjigja: “Nga agimi deri në mbrëmje, miku im”. Dhe pelegrini vijon rrugën e tij, i trishtë e prapëseprapë gjithë hare.
- Në pranverë, një zog në kafaz e di mirë se ka diçka së cilës mund t’i shërbejë, e ndjen shumë mirë se ka diçka që do mund ta bënte, por nuk mund të bëjë asgjë, e çështë kjo? Nuk i kujtohet mirë, ka ide të vagullta dhe thotë: “Të tjerët bëjnë foletë e tyre, nxjerrin jashtë të vegjëlit e tyre dhe i ushqejnë”, e mandej përplas kokën e tij të vockël në telat e kafazit. Por kafazi nuk tundet dhe zogu çmendet prej dhimbjes. “Shiko çfarë bjerraditësi”, thotë një tjetër zog që kalon aty pranë, “ai është një tip që jeton me të falur”. E megjithatë, i burgosuri vazhdon të mbahet, nuk vdes. Jashtë nuk duket asgjë prej asaj që ai ka brënda. Ka shëndet të mirë e kohë më kohë, ndjehet i gëzuar nën rrezet e diellit. Po mandej vjen koha e dashurive. Dallgë depresioni. “Por, a ka me të vërtetë gjithçka që i nevojitet?”- thonë fëmijët që kujdesen për të e për kafazin e tij. E ai, rri i palëvizur me vështrimin e ndehur kah qielli, ku vërehet kërcënimi i një shtërngate, e brenda vetes ndjen rebelim ndaj fatit të tij. “Rri në kafaz, rri në kafaz, e nuk më mungon asgjë, budallenj! Kam gjithçka që më nevojitet! Por ju lutem, liri, lermëni të jem një zog si të tjerët!”. Kështu, ndonjëherë, një njeri që nuk bën asgjë, i ngjan një zogu që nuk bën asgjë.