Nga Petrit Palushi
Litarin e prenë me gërshërë dhe trupi i të ndëshkuarit ra vrik në karrocerinë e makinës sikur të binte një trung peme. Qe ora njëmbëdhjetë e paradites. Mbasi e hoqën prej vendit të marrjes së frymës, trupin e ndrynë në njërin prej lavazheve të ndërtesës së policisë (Asokohe quhej Dega e Punëve të Brendshme; rruga prej 6-katëshit deri tek ajo ndërtesë zakonisht quhej Rruga e Degës, dhe si për çudi shpesh përmendet edhe sot. Por ecja nëpër atë rrugë qe disi e frikshme, madje edhe në pikë të ditës). Aty e hodhën krejt shkujdesshëm, sikur të hidhej një trung peme dhe në ndërmjetzën kohore qyshkur trupin e vendosën në lavazh dhe derisa e morën ta largonin prej aty, njëri prej policëve i hodhi disa herë ujë me kovë trupit të pajetë, mbasi qe vapë përvëluese dhe trupi sikur kish nisë të mbante erë. Trupin e nxorën po prap përjashta dhe vetëm atëherë kur kish kapërcye një orë prej mesit të natës nisën ta çonin dikund, ku as shoferi që ngiste automjetin me trupin e të ekzekutuarit nuk e dinte se ku do ta çonin, por zbatonte urdhrin e oficerit të policisë se vetëm kur t’i thoshte ai duhej ta ndalte automjetin. Automjetin e ndalën pranë një përroi, që ndodhej pranë fshatit Kolsh; nuk patën nevojë të hapnin një varr apo një gropë në vend të varrit e të futnin aty trupin e njeriut të pajetë që e përplasën për tokë si një trung peme, por gjetën një gropë të hapur kushedi ç’kohë më parë të futnin në të një shtyllë betoni. Ajo gropë i ngjante një pusi të vogël, të hollë dhe pak si të stërgjatë. Mbas gjetjes së gropës, njëri prej varrtarëve të natës u fut në të si të provonte se ajo gropë qe krejt e mjaftueshme të merrte trupin e njeriut që do ta fugnin aty shpejteshpejt. Ai ndërkohë ngriti duart përpjetë, si t’u tregonte të tjerëve që i rrinin mbi krye se vendi qe i mjaftë dhe madje qe një pëllëmbë si tepër, se trupi i njeriut që do ta plasnin aty qe shumë i imtë, të paktën ashtu i qe dukur atij dhe të tjerëve tek e kishin parë të valëvitej nëpër ajër; kur doli nga gropa ua përsëriti edhe një herë të tjerëve se ai vend qe krejt i përshtatshëm dhe duhej të luanin duart të mbaronin punën sa më shpejt. Me shumë ngut, mu n’atë gropë shtylle, trupin e të ekzekutuarit e vendosën thuajse si në këmbë, si me krye nga qielli, si të mbillnin një pemë, gropën e mbuluan me dhé dhe me gurë, mbi dhé e gurë hodhën shkurre si të dëshmonin se aty s’kish pasë gjë prej gjëje, dhe natyrisht, s’do t’i binte më në mend njeriu për të aq sa mund të kujtohej kush për borën e parvjetme, por nëse do kalonte kush atypari, mund ta merrte me mend se aty vetëm sa mund të kish lëvizë dheu si rastësisht, ndoshta në mesin e natës si krejt rastësisht. Ndërkaq, edhe pse nuk u vendos rrasa e varrit, së paku si shenjë e parë se aty nën dhé gjendej trupi i dikujt, varrtarët amatorë, të ngutshëm dhe krejt të pazakontë të natës (nëpër qytete, zakonisht varrtarët qenë profesionistë, nga një a dy nëpër qytete, ose shumë më tepër në qytetet e mëdha, ndërsa nëpër katunde një punë e tillë kryhej zakonisht nga të afërmit e të vdekurit, ose thirreshin nga më të rinjtë e katundit të ndihnin në hapjen e varrit), u larguan duke marrë me veti të fshehtën e atij vendi të fshehtë, me bindje se nuk do ta kallëzonin kurrë, ose me shpresën se nuk do t’i pyeste njeri për atë gjë. Ndërsa, në mendjen e tyre duhej të kthjelltohej diçka tjetër: ata s’kishin parë gjë, por edhe nëse do t’u vinte nëpër mend, atëhere pa dyshim, ata mund të kishin qenë në ëndërr, sepse vetëm n’atë përzierje të turbullt mund të shiheshin gjëra të tilla të trishta, që mund t’u shfaqeshin më vonë në çdo pjesë të ditës, në kohë të gëzueshme, gjysmë të gëzueshme apo dhe në kohë të vranët. Tashmë duhej të zhdukej çdo gjë që lidhej me të ekzekutuarin: emri, kujtimi për të, të ruhej me shumë fshehtësi vendi i hedhjes së trupit të tij, d.m.th. vendi të riparohej në mënyrë të tillë që askërkush në botë të mos mendonte se aty prehej dikush, por se aty, i tillë kish qenë ai vend, një copë vend me shkurre sipër dhe që dalngadalë uji i përroit mund ta brente. Pra, duhej të krijohej përshtypja se ai nuk kish ekzistuar si i gjallë n’atë botë, por ai nuk mund të ekzistonte si i vdekur asedhe në botën tjetër. Le të gjendej një vend tjetër ku mund të sistemohej! As në tokë, as në qiell, as në zonën e ndërmjetme midis tokës e qiellit, pra, le të vendosej qetësisht në zonën e të harruarve të përjetshëm! Thënë pak më ndryshe, në zonën përjetësisht të harruar. Pra, pak nga pak të flakej dhunshëm nga ajo botë e trazuar. Meqenëse mundimet e vazhdueshme të H. Nelës bëjnë pjesë në ato gjëra që ekskluzivisht mund të ruhen e të kallëzohen vetëm për Natën e shenjtë të Vorrit, atëherë mund të themi se është shumë e vështirë që ato të vizatohen, aq sa mund të vizatohen fijet e një ferrnaje. Kuptimshmëria e frazës: “Veç Natës Vorrit i duhet kallëzue”, të duket sikur vjen prej shtresave të nëndheshme, të padukshme dhe të pakapshme nga syri i njeriut, por njëkohësisht rikthehet po prap aty, në të njëjtat shtresa, si të bëhet përsëri sunduese. D.m.th., është e pamundur të tregohet se ç’ka heqë njeriu dhe vetëm atë ditë të mbrame kur futet në dhé, i mbështjellë krejtësisht nga nata e ftohtë siç është Nata e Vorrit, pra vetëm atëherë mund të flitet dhe të kallëzohet se ç’ka ndodhë në të vërtetë. E frikshme se ç’ndryhet brenda kuptimit të saj, krejt e akullt dhe e ethshme si vetë Nata e Vorrit, gjithsesi një shprehje e tillë (“Veç Natës Vorrit i duhet kallëzue”), mund të kthehej në model në rastin e tij, në modelin e të kallëzuarit se ç’mund të heqë njeriu, se deri ku mund të shtrihen dhe ç’vend mund të zënë përmasat e vuajtjeve njerëzore. Nata e parë e Vorrit s’ka qenë e plotë. Lehtësisht mund të thuhet se ajo qe vetëm një gjysmë nate. E them këtë sepse trupin e tij e futën në tokë, më saktë në një gropë shtylle, një orë mbasi pat kaluar piku i natës dhe si kohë vere, duheshin edhe katër orë të çelte drita e ditës së 11 gushtit. Pra, rrëfimi i tij në natën e parë të paplotë, mund të ketë qenë me mungesa, një rrëfim ende i zbehtë, ashtu përciptas, një rrëfim copa-copa, si me thënë, vetëm prologu i rrëfimit të gjatë që nuk mund të thuhet dhe as mund të merret me mend se kur do të ketë sosë. Meqenëse nata e dytë e bujtjes nën tokë ka qenë një natë e plotë, atëherë ia vlen të thuhet se vetëm në këtë kohë mund të ketë nisë rrëfimi i tij, një rrëfim i qetë, pa mungesa dhe duke qëndruar në mbretërinë e vetmisë, pa shqetësuar kënd dhe pa u shqetësuar më prej kërkujt. Gjithsesi, vetëm nata e dytë e bujtjes nën tokë, mund të merret si natë e plotë, dmth., vetëm në këtë kohë ndodh ridimensionimi i Natës së Vorrit, një ekuilibrim i plotë në rrafshin vertikal dhe horizontal. Shkurt, ridimensionimi i natës së parë që njëkohësisht është edhe Nata reale e Vorrit. Por, ia vlen të besosh se edhe në natën e parë të plotë të tij, rrëfimi përsëri mund të ketë qenë i paqetë. Shkurt, i trazuar. Kjo gjë, ndoshta, ka të bëjë me vendin ku u hodh trupi i tij: një gropë shtylle në vend të varrit, ose për të imituar varrin, por e gjetur si rastësisht mu në vendin ku qe menduar më parë se ku do ta futnin në tokë të ekzekutuarin. Tani, lehtësisht mund të marrim me mend ose të rindërtojmë vetëm një pjesë të rrëfimit të tij në Natën e Vorrit.