Nga Albert Vataj
Ditëlindi sot 240 vite më pare Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ëndrra e ngashërimi i pamatë i të gjithë atyre njerëzve që kanë të shenjtë; jetën, besimin, larinë, të drejtat. I gjithë atyre që shpresojnë te një e sotme mundësishë dhe një e ardhme e sigurt.
Ju që besoni tek mirënjohja, Gëzuar 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Amerikës!
Ajo që bëri Woodrow Wilson për fatin e integritetit territorial të Shqipërisë që kërcënohej nga orekset shoviniste, ajo që bëri Bill Clinton për Kosovën martire, ajo që bëri George W. Bush dhe Barack Obama për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ajo që bënë dhjetëra personalitete të shquara amerikane për këtë vend të vogël që kërcënohej nga fati i keq, fqinjët dhe armiqtë e ligj, ajo që bën çdo ditë ky vend mik për integrimin dhe realizimin e ëndrrës së mijëra shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në SHBA, ajo që ka bërë gjithmonë ky vend i madh për ne, është lëndë e mjaftueshme për të qenë motivim për të besuar tek shpresa, për të shpresuar tek progresi, për të kremtuar 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Amerikës, si një festë, si një motivim për mirënjohje, si një vullnesë e mirë për të besuar tek miqësia pa kushte e këtij vendi mik.
Happy 4th of july 2016!
Sot, është 4 korriku 2014, Dita e Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara, ditëlindja e 240 të e saj. Më 4 korrik të vitit 1776, 56 përfaqësues të 13 kolonive britanike të Amerikës Veriore, deklaruan, se me autoritetin e popullit, ata po krijonin një komb të ri.
Do të duheshin edhe 6 vjet të tjerë luftë me Britaninë, në atë kohë fuqia më e madhe ushtarake e botës, para se të fitohej pavarësia e Amerikës nga ai vend. Më 1782, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ende larg bashkimit.
Ato ishin në fakt, një konferderatë e paqëndrueshme, me një qeveri qendrore të dobët. Fuqinë e vërtetë e kishin qeveritë e sheteve të ndryshme.Por shtetet ishin shumë të ndryshme nga njeri tjetri, përsa i përket praktikave fetare, opinionit politik dhe interesave ekonomike. Ato kishin vendosur tarifa dhe barriera tregtare ndaj njëri tjetrit. Monedha ishte e fryrë nga inflacioni dhe ishin vendosur taksa që pengonin zhvillimin.
Kaosi ekonomik çoi në paqëndrueshmërinë civile. Filluan konflitetet mes shteteve lidhur me kufijtë, Qeverisë kombëtare i mungonin forcat ushtarake për trajtimin e kërcënimeve të sigurisë. Amerikanët filluan të kërkojnë mënyra për zgjidhjen e këtyre problemeve. Përgjigja ishte një kushtetutë e re, e cila do të krijonte një qeveri kombëtare të fuqishme, e cila të trajtonte nevojat e vendit, ndërkohë që t’u jepte fuqi të caktuara shteteve të ndryshme. Por amerikanët ishin të ndarë lidhur me formën që do të merrte qeveria e re.
Shtetet e vogla kërkonin përfaqësim të barabartë me shtetet e mëdha. Shumë qytetarë druheshin se një qeveri e fortë kombëtare do të shtypte të drejtat e individit. Këto çështje u zgjidhën, vetëm pas disa vite debatesh dhe kompromisesh. Kushtetuta e re u ratifikua në vitin 1789, vetëm pasi u shtuan 8 amendamente, të cilat garantonin të drejtat themelore të shtetasve, mes tyre lirinë e ushtrimit të fesë, të fjalës dhe shtypit, të drejtën për të zhvilluar procese gjyqësore dhe mbrojtjen kundër abuzimit të qeverisë ndaj qytetarëve.
Kushtetuta nuk është një instrument në duart e qeverisë për ta kufizuar popullin, tha në atë kohë Patrik Henri, një nga udhëheqësit amerikanë në luftën për pavarësi, ajo është një instrument në duart e popullit, për të kufizuar qeverinë, që ajo të mos e sundojë jetën tonë.
Më tepër se 240 vjet pas miratimit të kushtetutës, ajo mbetet garancia e lirisë për të gjithë amerikanët dhe të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në SHBA, një model i funksionimit të dokumentit themeltar të shtetit.
Ky vit shënon 240-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Britania e Madhe. Në vitin 1776, 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë dhe lirinë e tyre nga qeverisja britanike.
Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA-ve është njëri ndër dokumentet-ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë – që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetesën dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.
Gjatë gjithë historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, mbreti ose pushteti, dhe si të tilla ato mund të shkeleshin e të mohoheshin sipas dëshirës e qejfit të qeverisë, ose mbretit, pasi, sipas tyre, ato ishin privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi.
Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë këtë besim ose nocion, njëherë e mirë, duke shpallur se të drejtat, personit dhe popullit nuk i jepen nga qeveria, por nga vet Krijuesi.
Mesazhi kryesor i kësaj dite si për amerikanët ashtu edhe për popujt anë e mbanë botës është se këto mund të jenë fjalët më me rëndësi në historinë e njerëzimit – se Perëndia dhe natyra, dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti – jo vetëm amerikanëve por të gjithë njerëzve kudo, u ka falur të drejta themelore dhe të pamohueshme.
Dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim e që është për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore dhe në ushtrimin e tyre në mbështetje të qytetarëve.
Shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 240 vjet më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë dhe fatkeqësisht indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit.
***
Anija e lirisë
Këtu në Shtetet e Bashkuara, Franca njihet si mikja më e vjetër e Amerikës. Është vendi i parë që e njohu Amerikën e pavarur menjëherë pasi ajo shpalli pavarësinë nga Anglia 240 vjet më parë. Kjo lidhje e vjetër gjen mishërim në një relike shekullore. Një anije që erdhi nga Franca në Shtetet e Bashkuara 240 vjet më parë u shndërrua në simbol të miqësisë me dy vendeve. Anija luftarake franceze udhëtoi përmes Atlantikut për të ndihmuar në fitoren kundër britanikëve gjatë Revolucionit Amerikan. Tashmë, një replikë e plotë e anijes së mahnitshme ka përshkuar të njëjtin udhëtim dhe do të vazhdojë përgjatë bregut lindor deri në mesin e muajit korrik.
4 korriku është Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën datë të vitit 1776, 13 kolonitë amerikane në luftë me Britaninë e Madhe, krijuan një shtet të ri. Amerikanët mund ta kishin humbur luftën që mbaroi në vitin 1783, nëse luftanija franceze nuk do të kishte kaluar Atlantikun për të ndihmuar trupat e rrethuara amerikane. Një replikë e anijes po kryen të njëjtin udhëtim. Ajo është një fregatë 65 metra e gjatë, e quajtur Hermion, dhe ngjason me anijet luftarake në pikturat e vjetra, me vela të mëdha, me një direk të zbukuruar dhe marinarë që ngjiten në të. Aurore Le Vilain është ndër vullnetarët francezë që përbëjnë ekuipazhin e anijes prej 80 vetash. Asaj iu desh të mposhtë frikën nga lartësitë.
“Është si një lavjerës. Lëviz nga një anë në tjetrën, ndërkohë që duhet të vazhdosh punën.”
Përpara këtij udhëtimi, Alice Bru nuk kishte udhëtuar kurrë në det.
“Kemi mbi 200 litarë dhe secili ka funksionin e tij. Është fizikisht e vështirë, pasi çdo gjë peshon shumë.”
Historia e anijes Hermione fillon me miqësinë ndërmjet George Washington, komandant i ushtrive amerikane dhe më vonë president, dhe Markezit de Lafayette, një aristokrat i ri francez që i ishte bashkuar vullnetarisht ushtrisë. Lafayette u kthye në Francë për të siguruar anije dhe armë në ndihmë të amerikanëve. Ai u rikthye në bordin e anijes Hermion për të ndihmuar në luftën kundër britanikëve.
Vogëlushi Roy Wolf, kujton mësimin e historisë me fyell dhe tamburë.
“Amerikanët patën vështirësi dhe Lafayette erdhi dhe ndihmoi për të fituar luftën.”
Anija replikë u ndërtua për 17 vjet në Francë. Kon Gojnycz u impresionua nga fakti që ndërtuesit përdorën shumë teknika të shekullit të 18-të.
“Topat u derdhën në të njëjtën fabrikë që prodhonte për anijen Hermione dhe marinën franceze në vitet 1770-të.”
Anija është autentike, thotë Bruno Gravellier, mbikqyrës në bord. Por, janë shtuar disa gjëra për të rritur sigurinë e anijes, si p.sh. një motor.
“Aty ku tani kemi dushet dhe tualetet, atëherë mbanin me qindra dele.”
Nuk kanë ndryshuar p.sh. dhomat e ngushta të fjetjes, thotë studenti i historisë, Adam Hodges-LeClair, ndër të paktët amerikanë në bord.
“Ka momente kur njerëzit janë shumë ngjeshur. Të duhet pak hapësirë, por njëkohësisht është mirë të kesh ndihmë kur bën ndonjë manovër.”
Miles Young, president i shoqatës së Miqve të Hermione-Lafayette në Amerikë, shpreson se replika e mahnitshme do të ndihmojë në krijimin e miqësive të tjera francezo-amerikane.
“Ky është një ndër udhëtimet simbolike të lirisë në histori. Feston lindjen e Shteteve të Bashkuara si një komb i lirë dhe i pavarur.”
Ai thotë se “Fregata e Lirisë”, siç është quajtur Hermione, do të vërë në pah rëndësinë e lirisë në mbarë botën.
Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara
Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Ky dokument u hartua kryesisht nga 32 vjeçari Tomas Xheferson.
Njera pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxhi i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Pjesa tjetër e Deklaratës, përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.
“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.
Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Dokumenti tjetër është Kushtetuta. Në Shtetet e Bashkuara 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare, Dita e Pavarësisë.
Vdesin dy miq, dy nga themeluesit e kombit amerikan
Më 4 korrik të vitit 1826, mori fund një nga miqësitë më të gjata dhe më të rëndësishme në historinë amerikane, ajo midis Thomas Jeffersonit, autorit kryesor të Deklaratës së Pavarëssë, dhe John Adamsit, mbështetësit të zjarrtë të pavarësisë. Ata vdiqën vetëm disa orë njeri pas tjetrit, pikërisht në 50 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.
Jeffersoni vdiq në shtëpinë e tij në Montiçello të shtetit Virxhinia, kurse Adamsi në Quincy të shtetit Massachusetts. 82 vjeçari Jefferson ishte i sëmurë rëndë dhe luftoi me vdekjen deri pas mesnatës së 4 korrikut. Ndërsa 90 vjeçari Adams, i cili nuk ishte në dijeni të vdekjes së mikut të tij, thuhet se shqiptoi këto fjalë të fundit “Jeffersoni është ende gjallë”.
Ata ishin njohur gjatë konventës së vitit 1776, e cila çoi në vendimin e kolonive britanike të Amerikës për të shpallur pavarësinë nga Anglia. Në vitet e para pas krijimit të Shteteve të Bashkuara, Jeffersoni dhe Adamsi nuk ishin gjithmonë dakord për çështjet e ndryshme politike, por mbajtën një korrespondencë të vazhdueshme për problemet e kohës. Historianët edhe sot i studjojnë dhe i admirojnë letrat e shumta që shkëmbyen ata me njeri tjetrin.