Nga Albert Vataj
Sekt masonik. Pasuri përrallore. Kontroll mbi qeveritë e shumë vendeve. Ndikim i fshehtë në qarqet e larta të politikës botërore. Lavazh truri… Pas thashethemeve të shumta që shpërthyen lidhur me natyrën sekrete dhe misterioze të saj për shkak të librit “Kodi Da Vinçi”, “Vepra e Zotit” u ndje e detyruar të marrë masa për të rregulluar imazhin në sytë e publikut
Opus Dei do të hapë arkivat e saj për studiuesit e të gjithë botës. Në selinë qendrore të organizatës po punohet për këtë në tri drejtime: katalogimi i sasisë jashtëzakonisht të madhe të informacionit; përgatitja e një hapësire fizike ku të gjithë të interesuarit të kenë mundësi për të pasur në dorë dosjet e dokumentet; trajnimi dhe specializimi i një personeli që të jetë i aftë të menaxhojë fondin e arkivit, në mënyrë që të jetë sa më i dobishëm për të interesuarit. Megjithëse nuk është fiksuar ende data kur një gjë e tillë do të jetë e mundur, nga qarqet zyrtare të organizatës- që sidomos pas daljes së librit “Kodi Da Vinçi” u vu në qendër të thashethemeve -mësohet se që tani studiuesit mund të kryejnë kërkime specifike. Gjithçka bëhet me motivin që organizata të jetë sa më transparente në sytë e publikut të gjerë, në mënyrë që të rikuperohet ajo humbje e imazhit që u vërejt pas çfarë shkroi lidhur me këtë sekt në librin e tij autori Dan Brown. “Ne romani i Dan Brown nuk na pëlqeu aspak. Mendojmë se është thjesht një sajesë e përshtatur për kohët moderne. Por duhet të themi, pranon një nga krerët e lartë të saj, që për Opus Dei ishte një shtysë mjaft pozitive, pasi i bëri njerëzit mjaft kureshtarë lidhur me gjithçka që ka lidhje me ne”.
Operacion që duket se nuk do të përfundojë me hapjen e arkivave. Është parashikuar një film kinematografik me metrazh të gjatë, një film i animuar për kinema e për televizione, dy programe televizive, një për “Rai”-n e një për “Mediaset”-in dhe katër site në internet ku do të jepen të dhëna të hollësishme mbi historikun dhe aktivitetin e Opus Dei.
Organizatë apo sekt
U themelua nga kleriku i lartë spanjoll Monsignor Josemaria Escriva de Balaguer, në vitin 1928 dhe në terma politike mund të përkufizohet si skaji i djathtë i kishës katolike, pozicionim që i ka krijuar sa miq, aq edhe armiq. Mes anëtarëve të saj, përqindja e priftërinjve është shumë e ulët dhe ekziston prirja e fortë që të tërhiqen në Opus Dei eksponentët laikë më në zë të të gjitha fushave të jetës e të shkencës. Menjëherë pas themelimit, ideali i gjetjes së shenjtërisë te jeta e përditshme, tërhoqi një numër të konsiderueshëm njerëzish, të kategorive shoqërore e profesioneve të ndryshme, por mbi të gjitha të shtresave të ngritura, njerëz që mbulonin funksione të rëndësishme në botën e industrisë e të financës, të vendosur të dëshmonin përkushtimin total ndaj besimit, por pa u shkëputur nga jeta e përditshme (një koncept që gjendet mes formave të shprehjes së besimit të Vatikanit).
Opus Dei dhe Vatikani
Që nga dalja në skenë në vitin 1928, “Vepra e Zotit” (kështu përkthehet nga latinishtja) ia doli të grumbullonte pasuri përrallore (shifra zyrtare vërtitet te 2,8 miliardë dollarë, por për skeptikët kjo është vetëm maja e ajsbergut). Madje mbuloi edhe një pjesë të mirë (30%) të shpenzimeve të Vatikanit pas rrënimit financiar që pësoi kisha katolike për shkak të skandalit bankar të viteve ‘80. Monsignor Josemaria Escriva ishte i gatshëm të ofronte shumë më tepër para, aq sa të merrte përsipër pjesën më të madhe të shpenzimeve që duheshin për të anashkaluar krizën. Por këtë e kërkonte në këmbim të dhënies nga ana e Papës të prelaturës personale, një status i veçantë që e lë jashtë hierarkisë së kishës katolike. Një gjë e tillë nuk iu lejua nga Papa Pali VI, i cili kishte mjaft rezerva mbi organizatën dhe mbi themeluesin e saj Monsignor Josemaria Escriva, duke e refuzuar me shumë mirësjellje ofertën.
Me Papën Gjon Pali II organizata njohu edhe shkëlqimin më të madh. Një prej veprimeve të parë që kreu pas zgjedhjes ishte vizita në varrin e Monsignor Josemaria Escriva. Më pas i lejoi marrjen e statusit të prelaturës personale, gjë që do të thoshte se Opus Dei mund të anashkalonte çdo lloj shkalle hierarkike kishtare, duke u përgjigjur vetëm përpara Papës e Zotit. Për shumë nga kritikët brenda Vatikanit dhënia e këtij statusi në fund rezultoi veprim që iu kthye kundër vetë kishës katolike, duke qenë se që nga viti 1982 nuk është më nën juridiksionin e strukturës botërore të peshkopatës. Mund të veprojë sipas dëshirës dhe t’i përgjigjet vetëm liderit të saj, i cili aktualisht është Madrileni Xavier Echevarria, që nga ana e tij është i detyruar të japë llogari vetëm përpara Papës. Kur disa nga klerikët e lartë irlandezë gjatë viteve të fundit iu kundërvunë praktikave që Opus Dei vinte në jetë nëpër dioqezat e saj, u injoruan krejtësisht nga kisha katolike. Në librin “Habemus Papam” të autorit David Yallop, lexohet se në vitin 1974 revista prestigjioze “Visao” publikoi një shkrim ku artikuloheshin një seri e gjatë kritikash kundrejt organizatës. Menjëherë pas kësaj redaksia e gazetës u mbyt nga një ortek letrash kërcënuese dhe pak kohë më pas, në mënyrë shumë të mistershme, zyrat e saj u përfshinë nga zjarri.
Misteri dhe sekretet
Për shumicën e kritikëve, ai që flet së tepërmi për natyrën masonike dhe të dyshimtë të organizatës është pikërisht misteri dhe sekreti që e rrethon. Nga ana tjetër, shumë anëtarë të Opus Dei garantojnë se sekti nuk ka asgjë për të fshehur, madje as edhe listën e shumëpërfolur të pjesëtarëve të saj, e cila në opinionin e gjerë shihet si një sekret i ruajtur me mjaft xhelozi nga organizata. Për autorin spanjoll Jesús Ynfante, të gjithë anëtarët që japin këtë përgjigje ose gënjejnë, nuk i njohin rregullat që janë shkruar me të zezë mbi të bardhë në Kushtetutën e Opus Dei në vitin 1950. Megjithëse disa nga anëtarët e saj shprehen se tashmë Kushtetuta është anakronike dhe e pavlefshme, Jesús Ynfante i servir lexuesit një prej ligjeve bazë të saj. Kjo kushtetutë është baza e institutit tonë. Për këtë motiv duhet konsideruar e shenjtë, e pashkelshme dhe e përjetshme”. Jesús Ynfante kësaj teme i ka kushtuar librin “Aventura e Opus Dei”, në të cilin citon të gjithë Kushtetutën, duke analizuar edhe një për një rregullat e saj. Rregulli numër 189 thotë: “Për të realizuar objektivat në mënyrë sa më efikase, ekzistenca e institutit (Opus Dei) duhet të jetë e natyrës okulte”.
Në rregullin 190 shtohet:
“Për shkak të përunjësisë sonë kolektive, e cila i shkon për shtat natyrës së vetë institutit, gjithçka që bëhet nga pjesëtarët nuk duhet t’u atribuohet atyre vetë, por vetëm Zotit. Për rrjedhojë, edhe fakti i të qenit pjesë e institutit nuk duhet të zbulohet jashtë tij. Numri i anëtarëve duhet të mbetet sekret, dhe më saktësisht anëtarët tanë nuk duhet të diskutojnë mbi këto argumente me askënd jashtë institutit”.
Rregulli 191 vazhdon:
“Anëtarët e rregullt dhe të tjerët duhet të ruajnë gjatë gjithë kohës një heshtje të kujdesshme lidhur me identitetin e pjesëtarëve të tjerë dhe nuk duhet të zbulojnë në asnjë mënyrë se i përkasin institutit Opus Dei… në rast se nuk janë të autorizuar ta bëjnë këtë nga drejtuesi i tyre lokal”.
Praktikat e pranimit
Sipas asaj që shkruhet në një artikull që e përjavshmja amerikane “Times” i ka kushtuar organizatës, Opus Dei nuk është një sekt ku mund të bëjë pjesë kush të dojë. Janë të kufizuar ata që mund të përfshihen në të, apo që shihen si kandidatë të mundshëm, ndërkohë që në të shumtën e rasteve këta kandidatë vijnë nga familje me pozita të rëndësishme. Anëtarët bëhen pjesë e një kursi mjaft rigoroz për formimin shpirtëror, ku njihen nga afër edhe me filozofinë e Monsignor Josemaria Escriva. Sipas kritikëve, objektivat e parapëlqyera nga organizata janë të rinjtë e adoleshentët që largohen për herë të parë nga familjet. Ish-anëtarët e zhgënjyer e të shkëputur nga sekti, apo prindërit e hidhëruar pasi “kanë humbur fëmijët”, flasin për shpëlarje truri. Kandidatët i nënshtrohen një bombardimi të zgjatur ideologjik dhe me t’u bërë pjesë e sektit, pa e kuptuar e gjejnë veten nën kontrollin e plotë të Opus Dei, e të shkëputur nga familjet e miqtë. Për shembull, një rregull i rreptë parashikon kontrollimin e gjithë korrespondencës së një pjesëtari nga një tjetër i rangut më të lartë, i cili ka në dorë edhe vendimin për t’ia lejuar apo jo leximin e saj.
Opus Dei dhe politika
Në të vërtetë, numri i njerëzve që janë pjesë e Opus Dei sot nuk i kalon 90000. Është karakteri prej sekti masonik i organizatës që e vë në qendër të kuriozitetit të publikut, i cili i vesh një seri të gjatë akuzash. Për këtë arsye, gjatë 79 viteve që kur është krijuar, është kthyer në objekt hamendësimesh dhe teorish nga më të ndryshmet, siç është ajo që e sheh si një organizëm gjysmëklandestin, i cili arrin t’i fusë anëtarët e saj në nivelet më të larta të politikës e administratave të shumë shteteve. Sipas asaj që lexohet në librin “Habemus Papam” të autorit David Yallop, eksponentë të organizatës punojnë pranë më shumë se 600 gazetave, revistave e organeve shkencore të shpërndara në të gjithë botën, si edhe në më shumë se 50 kanale televizive e radiofonike. Spanja, vendi ku organizata ka edhe rrënjët, është shembulli më i mirë për të ilustruar mënyrat si vepron kjo organizatë. Duke nisur nga vitet ‘50 e deri më sot, qeveritë spanjolle kanë pasur rregullisht në radhët e tyre ose anëtarë të Opus Dei, ose njerëz të lumtur që “gëzonin” bashkëpunim të afërt me të. Në vitet ’60, tre nga anëtarët e saj bënin pjesë në kabinetin qeveritar të diktatorit spanjoll Franko dhe morën pjesë mjaft aktivisht në atë që në atë kohë përkufizohej si “mrekulli ekonomike”. Në vitin 1969 gjenerali Franko vendosi se vendit i nevojitej një qeveri e re. Dhjetë nga anëtarët e kabinetit të ri qeveritar i përkisnin Opus Dei, pesë të tjerë të lidhur ngushtë me të, ndërkohë që tre të tjerë bashkëpunonin shpesh me të. Kreu i grupit gjigand spanjoll, Rumasa, José Mateos, i njohur si njeriu më i pasur në Spanjë, është anëtar i Opus Dei. Aktualisht si anëtarë të Opus Dei njihen Presidenti i Bankës Popullore spanjolle, Jesus Cardenal, një prokuror i Përgjithshëm, Juan Cotino, shef i lartë i policisë spanjolle, qindra gazetarë e pjesëtarë të qarqeve të larta shkencore, për të mos folur për 20 nga pjesëtarët e familjes mbretërore. Nuk përbën më asnjë sekret fakti që fëmijët e ish-kryeministrit José Maria Aznar kanë studiuar pranë shkollave të Opus Dei.
Opus Dei në botë
Që përpara viteve ‘70 Opus Dei ishte shtyrë me shumë sukses përtej kufijve të Spanjës. Në Itali, Gjermani, Francë e Britaninë e Madhe mund të krenohej me praninë e saj që prej viteve ‘60, ashtu siç kishte vepruar edhe në të gjitha vendet e Amerikës Latine, duke nisur nga Meksika e deri në Kili. Shpejt pasoi përhapja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Lindjen e Largët. Në Angli, në vitin 2004, u deshën muaj përpara se sekretarja për edukimin e qeverisë laburiste, Ruth Kelly, të pranonte se kishte marrë mbështetje shpirtërore nga Opus Dei. Prej vitesh katolikët në Washington kanë folur në mënyrë jo zyrtare për ekzistencën e njerëzve të Opus-it në pikat kyçe të politikës e administratës së lartë amerikane, ku përfshihen figurat madhore të drejtësisë: Antonin Scalia dhe Robert Bork, senatorët Rick Santorum dhe Sam Brownback, analisti i njohur Robert Novak, apo ish-kreu i FBI-së, Louis Freeh. Madje dihet mirë se fëmijët e Louis Freeh kanë studiuar në një shkollë të Opus Dei, ndërkohë që i vëllai ka qenë anëtar i rregullt për një farë kohe.
Përktheu: Lorenc Rabeta