Nga Albert Vataj
Asnjë forcë e vullneteve të plotpushtetshme, asnjë ligjësi e logjikës së raconales, asnjë ojnë e gojtarisë dhe shpengim i përfytyrimeve, nuk munden ta bëjnë zap atë që shkëndin në një çast, e shpërthen në miliona puhiza eterne.
Dashurohemi dhe asgjë nuk dimë të shpjegojmë, se qysh e se si. Edhe kur gabimisht rrekemi ta bëjmë, e zhbëjmë. Dashurohemi dhe gjithçka ngjet nuk ka asnjë përngjasim, nuk puthitet në asnjë përkim, nuk nxiton për të mbërritur diku. Ajo është e pagjasshme në asgjë dhe reflekton dritim në gjithçka dhe pasqyron gjithkund.
Është fjala për dashurinë, atë të kurmeve që jepen, atë të zjarreve që flakërijnë, atë të pamatshmes andshmëri që na rrëmben siç bën hutimi, e pakapshmja e fijeve që na lidhin.
Dashuria e vërtetë, ajo e pashoqja prej gjithë kaplimeve dhe kopulimeve mish e shpirt, ajo që ju kërkoni si shkas i lojës së shpenguar, si shkëndijë e shpërthimeve të epshme, si uturimë e gulçimeve të gjakut… ajo që ju ysht të ndjeni se si tërbohet në zgjimin e saj epik kafsha prehistorike dhe lëshohet harbimeve dhe ndërkryerjes. Ajo… nuk kërkon vetëm përfshirjen prej gjuhëzave përpirëse të epshit, por zotërim të gjithshëm, mëvetësim tërësor të dëshirimit që mpleks në këtë lojë, në këtë ndeshje që i’a kërkon gjithçka që ka ngritur, gjithçka që e shpërbën.
Njeriu që duam është e vetmja gjë për të cilën ne kërkojmë së brendshmi nesh një forcë titane për ta vënën nën hyqëm, për ta zotëruar, për ta patur kudo që pipëtijmë. Për t’ia arritur kësaj, kurrsesi, nuk mund të përdorim armët e mprehta të politikës ojnëtare, as logjikën racionale, e për më pak, kanunin e etikës dhe moralit që ngrefoset hijerëndë si një togë gjyqtarësh, pasi ajo, dashuria jonë e rrëmbimeve si përrenjt që tatpjeten pas një kohe dengur me rrebeshe, ajo nuk ka durimin për ta qëmtuar përnga kuptimsia dhe ligjësia e këtij botkuptimi, dhe për më pak të ketë në favor kohën dhe instinktin e ngjadhnjyesit që ndan dritën në ngjyrave, thërret erën për velat e drobitura të kësaj anije që përpëlitet në mëshirën e dallgëve.
Ajo është një dhunti që e ka të pamundur të mësojë artin e nënshtrimit prej telasheve rutinore, prej mureve dhe shtresimeve të hapsirës. Ajo fatkeqësisht i përket një realeje imagjinative që kërkon prej zelltarëve të pasionit një copë truall të bëjë fole për vezën e sfinksit të tij mitik. Ajo kërkon qoftë edhe një copëz qiell nën këtë paanësi përpirse, mjafton që të dëshmojë aktin e vet sublim të krijimit, të të hyjshmes që jeton me tokësoren e njeriut, njeriut i cili teksa sodit yjet dhe qiellin, ndjen se diçka hapsinore i lëvrin në gjak, diçka e thellë e e pamatshme e cyt në nevojën e zjarrmët për t’u hedhur në kthetrat e skërmitura të dëshirimeve që e kaplojnë në çdo pore, në çdo pikë djerse, në çdo frymëmarrje, në çdo shikim që e përflak.
Ai cak që kërkon në ne flinë e hyjshme, është një gjeneral që di të fitojë beteja, por e ka shteruese të mundshmen e marrjes me kopsat e uniformës, apo me rregullat e kazermës.
Dashuria vetëtin si një rrufe në një natë të terrtë dhe e lan me dritë zjarri gjithçka që sheh. Ajo bubullin e shtërzen, shkrepëtin e yryshet turraz pa pyetur për frerët e drojet, mëdyshjes dhe hutimit. Kërcënon me urët e zjarrit që i shpërthej në çdo prekje e kopulim, lutet e përgjërohet me përunjësi ndërsa jepet. Ajo qan dhe ngashërehet, lutet me përkushtimin e një rishtari në një Zot që e krijon përmes vezullimit të shkëndijave ku notojnë trupat e lëshuar epshit. Çakërdiset, shan e turfullon, mallkon e pisket me gjithë çfarë brenda tyre zgjon terri i humbjes së fillit të dritës që i mban pezull në honin e mishit, ku është derdhur kjo formë reinkarnimi. Lajkatohet e ledhet në një dëshirë që e thërret ëndrra, ajo e erosit dhe parajsës, ajo e lëndinave luleshumë ku përfytyrimet e cysin të harbohet, ajo e harrimit. Ndizet dhe shumët në një çast që zgjat sa një kapsallitje e qepallave, e rishtaz i kthehet lojës së magjepsjes së yjeve, për tu kacarritur përmes ofshamëve dhe përgjërimeve për të kapur më të shndritshmin shpërthim që feks e ndër gishta i shkokrron, ashtu siç bën me hutimin pëshpërima e gjetheve.
Dhe… nisët pas çdo kthimi prej kësaj udhe në kërkim të yjësive të rinj, shëmbëllimeve të ëndshme të dritës që e kallin në çdo copëz të kurmit.
E kështu shuhet duke kërkuar yje deri në pafundësi.
Albert