Nga Albert Vataj
Mes Shkodrës dhe Lezhës u ngjiz ky zë kumtues i poezisë, kjo qëndresë e një ngadhnjimtari të pashoq. Ai njeri i përkorë e mrujti brenda jehonës së shpirtit atë, zërin e shëmbëllimeve delikate, këndimin e ngulmit dhe gufimit të hovshëm. Mes djepit dhe varrit rendi ky shpirt lirie, me trazimin nër flatra e dhimbjen në trajtat e qiellores ku strukej ky kurm. Erdhi dhe iku në paqe. Jetoi në çaste mrazi e hekash, e veç n’kresht e mprehu ballin. Endi kangën e shpirtit “Poeti me fytyr Krishti”, dishepull i zanit të naltë të përjetimit.
“Rrezatim”, “Shqiponja rreh krahët”, “Qëndresa”, “E përdtishme”, “Çaste”, “Kthimet”, “Dhjata ime”, “Biri i njeriut”, kjo është diagrama krijuese e poetit Ndoc Gjetja. Rrugëtimi i tij poetik u qas të mbetej kumt i një shpirti dimesionesh lirie, anipse ai u ngjiz në kapërcyell të një diktature që rrekej të kolektivizonte jo vetëm individët, por edhe idetë dhe grindin poetik të një shpirti të kapluar prej një shtërngate kaltërsie, e cila duke u gjegj thirrjeve të shpirtit, diti të përplasej heshturazi mbi brigjet shkëmbore, duke stërpikur me yje sandejmi natën e ngulmeve pasionante.
Vetë jeta e poetit është tharmi i asaj lënde e cila u mrujt e u ngjesh në magjën e një shpirti ndjenjash delikate e një zaemrë puhizash të imëta pjalmimi.
Ndoc Gjetaj ishte i tillë, i predestinuar për të bërë punën e krijuesit. Ai iku, me fytyrën e Krishtit të mbuluar me një dhembje hyjnore (Kolec Traboini), por e shkroi Dhiatën e poezisë shqipe, një shkëndijë që do të gjallojë për jetë e mote, ngase atë nuk mund ta mbuloj terri e as antipoezia, të cilat i luftoi mjeshtërisht. Poezia e Ndoc Gjetjes “është kurora e letërsisë imagjinative, sepse ajo është një mënyrë profetike”(Harold Bloom), e cila parakoncepton jetën e poetit, perceptimet e tij për botën përreth tij, për fenomene tokësor e qiellore, për dashurinë, si toposin themelor të poezisë së tij. Kësisoj, ajo bëhet një shkollë e veçantë poetike, e cila komunikon një gjendje kulturore të posaçme, brenda një konteksti të zymtë poetik nëpër të cilën gjalloj poezia e tij dhe ai vetë. Nëpër këtë ferr, poezia e tij triumfoi, me armët e fuqishme, që janë metaforat e tij goditëse, dashuria e tij e pafundme dhe morali i fuqishëm (Ndue Ukja).
Jetëshkrim
Ndoc Gjetja u lind më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Kur ishte shtatë vjeç, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para. Merret vetëm me poezi. Është autor i disa vëllimeve poetike. Studiues të njohur e kanë cilësuar Ndocin poet që di me çdo varg t’i bjerë bukur tastierës së humanizmit. Ai këtë frymë e timbër të zërit të vet kurrë nuk u rrek ta tradhtonte. Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, si një orakull, ai vazhdon të shkruajë edhe sot e kësaj dite me atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veç se një gjimnazist në Lezhë. Poezi e thellë, e ndjerë, poezi në të cilën rrëfehet bota e njeriut, intimiteti, marrëdhëniet njerëzore, madje edhe me sendet rreth e rrotull. Ai ka shkruar veprat “Rrezatim”, “Shqiponja rreh krahët”, “Qëndresa”, “E përdtishme”, “Çaste”, “Kthimet”, “Dhjata ime”, “Biri i njeriut”.
Ndoc Gjetja, poeti që jetoi dhe shkroi se: “Poetet jetojnë ne Qytetin e Ideve” (Qyteti i ideve), ishte një kreshtë e madh e thurur me ide, me rravgime poetike nga më të çuditshmet dhe me imagjinatë shumë të bujshme, siç janë poetet e mëdhenj. Ai la tharmin shpirtit të tij poetik, si testament feje, la një poezi të frymëzuar nga dhiata shpirtit të tij, që bëhet identifikim subjektiv dhe shkreptinë shkëndija dashuri, tamam si prototipi i tij Jezu Krishtit, kryqin e të cilit e mban përditë ne shpine (Autoportret) dhe me të rrugëton drejtë ne Kishën Apostolike te Poezisë (Curriculum). Janë të paktë ata poetë që e fjalën poetike e peshojnë aq shumë, për ta ndërtuar tempullin e poezisë, një aureolë poetike, që mishëron të bukurën dhe të këndshmen, në funksione thellësisht etike, sikurse është poezia e Gjetjes- një poezi e ndërtuar nga sekuenca jete e që bëhen shkëndija poezie. E tillë është poezia e tij e përjetshme; poezi që jashtë çdo funksioni praktikë, ka synim të bukurën, bëhet kurorë e së bukurës dhe si e tillë mbetet model autentik i poezisë shqipe.
Ravgima poetike
Shkrimtari John Milton, pat shkruar se një: “Një i ditur, është si një qiri që ka dashurinë dhe dëshirën, të gjithë njerëzit t’i ndriçoi”. Këto tipare kaq të fisme, kaq hyjnore, kaq njerëzore, kaq të jashtëzakonshëm, i ngërthen poezia e Ndoc Gjetjes, e cila rrezaton ngrohtësi, freski, dashuri, humanizëm, në shumëtrajtësinë e saj dhe në shumëdimensionalitetin e saj- të diskursit dhe të poetikës. Ai krijoi një poezi elitare, thellësisht të inspiruar, të ndjerë e të jetuar. Kështu përshembull, poezia e tij “Dashuria” është një ungjill poetik, i konstruktuar me një diskurs të fuqishëm lirikë, në të cilën, kjo ndjenjë sublime dhe superiore njerëzore, ngrihet në lartësitë e plotfuqishme, para së cilës poeti dorëzohet, madje edhe atëherë kur ajo i shkakton aq shumë dhembje. Vargjet e kësaj poezie, janë drithërimat e shpirtit të ekzaltuar poetik, të njeriut të pasionuar pafundësisht për të bukurën, të njeriut që di të dashuroj deri në infinit. E, ketë dashuri e ngjizi në vargje të bukura, të cilat të shtangin trupin për fuqinë që kanë dhe të tronditin mendjen për mesazhet që përçojnë: “O perëndeshë e gjithëpushtetshme/ e universit mashkull-femër!/ Bëj ç’të duash me veten time/ jam instrumenti yt i verbër/ Në jetë më solle kaq shumë dhimbje/ dhe shqetësime pa mbarim/ po s’jam ankuar kundër teje/ as me gojë e as me shkrim/ Më hidh në zjarr, në det, në ferr!/ Më hidh në baltë, më hidh në hon!/ Veç të lutem mos më lër…/në atë vend ku ti mungon! “
Poezia e tij, me tiparet e saj moderne, shquhet për ritmet e brendshme poetike, të cilat përcjellin dhembjet e subjektit lirik, si notat e një simfonie të përkryer. Poezia e tij, tingëllon si muzika e shpirtit të dëlirë, ku lexuesi i pasionuar dhe lexuesi i kultivuar i letërsisë, prehen me madhështinë e humanizmit, me artin e fuqishëm që vihet në funksion të edukimit, të moralit, të së bukurës, tipare këto që e shquajnë atë dhe e bëjnë krejtësisht të veçantë në letërsinë shqipe. Ky është poeti që imagjinatën e ka të pafund dhe ajo i lundron mistereve të poezisë, ku vetëm një krijues i rrallë dhe me imagjinatë të bujshme depërton, siç del te vargjet: “Ne rendin e pafund te numrave te plote/ matematikisht, ti je me i vogli/ por, ti papritur u bere i madh/ ne saje te zerove qe te shkojnë pas” “Njëshit”). Këto zero, simbolikisht shprehin botën e vetmuar të poetit, të cilës me kohë i bashkëngjiten koret e njerëzve, lexuesit e pasionuar. Janë këto zero, të cilat i ngjiten poezisë së Gjetjes, këtij Njëshi poetik.
Poeti ngadhnjyes
Në poezinë bashkëkohore shqiptare, Ndoc Gjetja nuk do të mbahet mend si poeti që mjeli lopën e shterur të patriotizmit poetik, siç do të na thoshte Krist Maloku, nuk do të mbahet mend si poet që glorifikoi rrejshëm idetë e revolucionit dhe artin e masave, ai nuk e pranoi shëmtinë e kohës dhe ideologjisë, sepse ishte i formësuar për të qenë “kryeneç” me poezinë e tij të papërkulur: “Gjendja civile: Mbetje teknologjike e administratës shtetërore/ se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eproreve” (Autoportret). Mirëpo, ai krijoi një letërsi thellësisht të bukur, të inspiruar nga e bukura, pikërisht atë lloj të letërsisë që e sugjeron shkrimtari i mirënjohur amerikan, Ëilliam Faulkner, pra një letërsi të bazuar te dashuria, nderi, dhembshuria, krenaria, mëshira, sakrifica, vuajta, dramat njerëzore, etj. Këto perceptime për letërsinë, në rrafshet universale gjallojnë në mënyrë harmonike, brenda tematikës së poezisë së Ndoc Gjetjes dhe e bëjnë atë një poetik modeluese në poezinë shqipe. Ai ju shmang temave patetike, artit poetik deskriptiv dhe si një orakull me frymëzime mbitokësore, krijoi një poezi të inspiruar, subjektive, një lirikë të pastër, që relacionin mes së bukurës dhe produktit të saj- poezisë, e vuri në suaza të ndjenjave dhe perceptimeve të tij imagjinative të pakufishme. Poezia e tij shquhet për forcën e ideve, për universin e pafundmë të komunikimeve që ndërton, me botën e madhe të letërsisë, me antikitetin dhe Biblën, këto dy strombullara të letërsisë perëndimore. Dhiata biblike bëhet shënjues i poezisë së tij në librin me titull, “Dhiata ime”. Ndërsa antika vjen si evokim dhe reminishencë e kontesktualizuar, në poezinë e tij, përmes poezisë së shkëlqyer “Herakliti” dhe vargjeve jashtëzakonisht të realizuara bukur, si në planin tematik, gjithashtu në atë stilistik: ”Ne moshen 70 vjec, filozofi Heraklit/pati kërkuar ti nxjerrin syte/ -Pse Heraklit? -e pyeten krirurgu dhe shokët/ -Me pengojnë, -tha, -për te pare boten/ Dhe vrimat e veshëve i mbylli me dylle/ te dëgjoje zërat e vetvetes me mire./ Dhe rrinte i ngrire me ore te tera/ duke ndjellur ne koke mendime te thella/ Tmerrohej nga prekja e sendeve me duar/ çdo send e quante “një djalle i shëmtuar”/ Për te ruajtur te pastër dashurinë, i gjori/ tere jetën një femër për grua s’e mori./ S’kishte shtëpi dhe u thoshte te gjithëve/ -Kam lindur dhe banoj ne kokën time”.
Ashtu sikurse Dhiata që vlerësohet të jetë një libër i veçantë në kuadër të librave të panumërt në rruzullin tokësor dhe burim frymëzim për jete e poezie, nëpër breza të tërë, si mishërim i fjalës Hyjnore, gjithashtu, jeta e Ndoc Gjetjes është mishërim i veçantisë njerëzore dhe poezia e tij, mishërim i kësaj fuqie imagjinative poetike. Prandaj, si e tillë do të mbetet një testament poetik i bukur i poezisë shqipe.
Nëse do të kërkohej një poet i përveçëm në poezinë shqipe, që diti t’iu ik shablloneve, dogmave, që diti të krijoj një poezi thellësisht të inspiruar, me tipare tokësore dhe qiellore, një poezi që gufon nga ndjenjat e fuqishme të dashurisë, një poezi që komunikon fuqishëm me gjuhën e artit, pa dyshim se njëri nga ta do të jetë Ndoc Gjetja.
Poezia e tij, është një arenë e tendosjeve të pafundme, e dhembjeve të mëdha dhe si e tillë, bëhet reflektim emocional i shpirtit të trazuar, të cilin e rrahin fuqishëm tallazet e një jete bizare, e një jete, e cila i shëmbëllen vuajtjeve të kryqit të Krishtit. Poezia e tij, me gjithë tonin e fuqishëm të dhembjes që ka, me gjithë tallazet e fuqishme shpirtërore që përçon, asnjëherë nuk është montone, por është një reflektim thellësish njerëzor, emocional, ku lexuesi ndjen dridhmat e bukura, me gjuhën e ëmbël poetike. Edhe kur godiste dukuritë degjeneruese përreth tij, këtë e bënte me një pedanteri poetike: “Ç’mrekulli do te kishte qene/ sikur te jepnin qe sot dorëheqjen/ presidenti dhe çdo lloji ministri!/ Dhe ta merrte pushtetin Shpirti” (”Sikur”)
Ndoc Gjetja iku, duke lënë testamentin e fjalës poetike, që sikur shenja e tij poetike, është ylli udhërrëfyes, i cili do të rrezatoj dhe ndriçoj brezat në poezinë shqipe. Poezia e tij është një dhiatë e shpirtit hyjnor dhe kësisoj do të vlerësohet në poezinë shqipe.
Krijimtaria e Ndoc Gjetjes
Ndoc Gjetja: Dhimbja e poetit bëhet energji krijimi
Unë do ta përkufizoja, se njeriu kur vendos për t’u marrë me letërsi, për të nxjerrë diçka hyjnore nga shpirti i vetë, vendos një lloj fatkeqësie të vetvetes që do të thotë zgjedh një jetë me privacione, në qoftë se është shumë i talentuar bëhet i famshëm por dhe fama atë e kënaq, por lumturi nuk i sjellë, sepse, sa më shumë shkrimtari bëhet i vetëdijshëm për kohën njerëzit e vendit të tij aq më shumë i shtohen ato dhimbjet. Dhimbjet e shkrimtarit nuk janë si dhimbjet e politikanit. Shkrimtari e shikon realitetin me syrin e shpirtit jo me syrin thjesht të trurit, vet fantazia është një vuajtje njeriu, duke fantazuar harxhon energji më shumë se duke kositur një livadh të tërë me kos, po e përmend kosën se, siç thotë populli, puna më e lodhshme është kositja, po nuk ka punë më të lodhshme se vënia në përdorim të fantazisë.
“Pa këtë shpirt rebel, nuk ishte e mundur që të shkruaja ato lloj poezie. Kam bërë një jetë vetmitare dhe kjo më ka ndihmuar që të bëj një poezi të përvuajtur, të qetë, me një lloj fisnikërie kristiane.
Jo, se pa libra nuk kam mbetur. I kam gjetur në mënyrat e mia, nuk kam gjet pa lexuar, por më vjen inat se tani, që përsoset demokracia, në shoqëri përsosen dhe infrastrukturat e tjera, por libri vjen më pak afër nesh. Ne duhet të kemi librarinë tonë në Lezhë. Këtë ja kam kërkuar ministrave të Kulturës, po nuk kanë bërë asnjë gjë. Ministria më e varfër për mendimin tim ka qenë Ministria e Kulturës.
Ç’kënaqësi ju ka dhënë arti i krijimit poetik?
Më ka dhënë dhe më jep kënaqësi aq të madhe dhe aq të thellë sa që unë rezervohem ta përshkruaj sepse e di se nuk do të ma kuptojnë të gjithë ata që s’kanë prirje për të kryer një akt të tillë hyjnor. S’besoj të ketë lehonë që të di të artikulojë me fjalë dhimbjen dhe dallimin e gezimit të lindjes.
Edhe mua nuk më ka shpëtuar pa e hetuar shfaqjen e monotonisë në disa nga poezitë. Veçse atë nuk e kam kërkuar dhe gjetur vetëm te përdorimi i masave të njëllojta të vargjeve e të strofave, as dhe në rrahjen e njëllojtë të theksave, por para së gjithash në vetë përmbajtjen e tyre. Këtë s’besoj se do ta kisha shmangur dot edhe sikur të kisha përdorur format më të larmishme metrike. Monotonia vjen nga standartizimi i përmbajtjes në disa nga poezitë si dhe nga konkludimet e përafërta të tyre.
AUTOPORTRET
Vendbanimi:
Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
Gjendja sociale:
Mbetje teknologjike e administratës shtetërore
Se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia:
E mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë
Dhe një mjekër e thinjur nga moslejim kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.
Bindjet:
Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu.
Antipatitë:
Burrat me Grada, gratë me shumë tule dhe miu.
Simpatitë:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançës dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria:
Drita e mendjes me të cilën fitoi varfërinë.