Nga Albert Vataj
Letërsia ruse, krejt mbamendja e kujtesës së poezisë nuk mund të kuptohen pa pjesëmarrjen e Pushkinit në të. Ai ishte një prej zërave të fuqishëm që himnizoi sentimentin dhe çoi peshë shpirtin e një epoke dhe u plazmua në përjetësi.
Shpirti i Pushkinit karakterizohet, para së gjithash, nga ajo poezi, e cila nuk gjendet në libra, por në natyrë, në jetë, atje ku shpirtrat marrin qiellin për flatra dhe diellin për zjarrmim pulsesh shpërthyese dashurore . Ngjyrimi i përgjithshëm i poezisë së Aleksander Sergejeviç Pushkin, veçanërisht ai lirik, është bukuria e brendshme e njeriut dhe humanizmi, që e ushqen shpirtin. Ai i përket atij grupi të krijuesve gjenialë, atyre natyrave historike, të cilat, duke punuar për të sotmen, përgatitin të ardhmen dhe pikërisht, për këtë nuk mund t’i përkasin vetëm së shkuarës, do të thoshte Belenski për Pushkinin. Ata janë dëshmimi i gjithëkohjes së një epoke, ata janë tempi i jetësimit shkulmues të gjeneratave.
Pushkin është konsideruar prej shumë kremtimesh kritike, si përfaqësuesi kryesor i romantizmit në letërsinë ruse. Megjithatë, ai nuk mund të etiketohet pa mëdyshje si një romantik. Kritikët rusë e kanë argumentuar që vepra e tij përfaqësojn një rrugë nga neo-klasicizmi përmes romantizmit në realizëm.
Gjithqysh Pushkini, me penën dhe kumtin e tij krijues u bë zëri më i ëmbël dhe kumbimi më depërtues i ëndjes së gjeneratës, vetë shpirti i gjallimit gjithëjetues të saj. Përgjatë kësaj ëndje, ai mbeti patriarku absolut i poezisë, kreshtës me të harlisur, me të cilën matej nevoja e asokohshme e sentimenteve dhe dëshirimit kaplues. Në këto hove të vrullshme shpengimesh shpirti, ai hedh dritë të vezullimtë në brendinë më të njimendtë të shpirtit njerëzor.
Behja e poetit
Aleksandër Sergejeviç Pushkini lindi në Moskë më 6 qershor 1799, në një familje oborrtare. Më 1811, u regjistrua në një lice, atje ku kridheshin në krahët e një jetësimi diturues edhe fëmijë të aristokracisë peterburgase. S’kishte se si të ndodhte ndryshe, në rrugëtarin e një gjeniu, kjo strehëz dijetimi do të linte gjurmë të pashlyera në formësimin dhe brumosjen e krejtçka u ngrit në përmendoren e memuarit të letërsisë ruse dhe asaj botërore. Së andejmi ai u josh dhe u përflak në shpuzën e ideve anitcariste, ngulmi dhe vlimi i asokohshëm i vullnesave për ndryshim dhe harbimit të shpirtit të lirisë dhe zellit flakërues të transformimeve të mëdha. Që në moshë ende të vogël, ai shkroi vjershat e para lirike për jetën, dashurinë, natyrën dhe të tjera ngasje të ngulmeve të tij të shpenguara. Mbamendte se në atë kohë u bë i njohur me odën “Liria”, poezitë, “Çadajevit” dhe “Fshati”, të cilat përcillnin tempin e kësaj pene flakatare.
Përndjekja cariste
Censura cariste do ta ndalte këtë fluturim shkundullitës në qiellin e nevojës për liri të një brezi ngulmesh të ethshme për ndryshim dhe kurajës së paepur, për t’u hedhur në flakët e kacafytjes së mundësive.
Jo vetëm censura, por edhe internimi do të lëshojnë në shpengim këtë shpirt lirie. Poezia e Pushkinit edhe pse u ndalua censura cariste, ajo u përhap dorë më dorë, duke e kthyer vargjet e tij në limfën e një rebelimi. E internuan në Kaukaz, ku e mbajt në mbikëqyrje të rreptë. Ëndërrimet liridashëse i shpalosi me frymë bajroniane. Poemat që e bënë të famshëm atë janë: “Robi i Kaukazit”, “Shatërvani i Bahcesarait”, “Ciganet” etj. Në vitin 1820 i gjetën një letër ku shpreheshin pikëpamjet ateiste, e cila ia bëri më të rëndë barrën e dënimit. E detyruan të jetonte pa të drejtë largimi në fshatin Mihajllovsk. Njeriu i dashur, që i qëndroi pranë në këto vite të vështira, ishte dadoja, së cilës Pushkini i ka kushtuar vargje nga më të ndjerat. Dështimi i kryengritjes së Dekabristëve, të këtyre fisnikëve përparimtarë, që donin të rrëzonin nga pushteti Carin, e tronditën pa masë atë.
Zhgënjim dhe shpresë
Pushkini ishte një përkrahës i hershem i Dekrabistëve dhe kur Cari e pyeti se ç’do të bënte po të kishte qenë më 25 dhjetor në Sheshin e Pallatit, ai u përgjigj pa nguruar: “Do të isha përbri shokëve të mi në kryengritje!”. Reaksioni carist u bë edhe më i egër kundër poetit. Pas këtij dështimi në poezi e Pushkinit nuk mund të fshihej ai përshkim zhgënjyes që e kishte shpuar tejpërtej këtë kurm flakatar. Do të vinin në jetë kumtet pesimiste “Mëshira për të rënët”, “Mërzia e përgjithshme”, gjendje që kishte pllakosur brezin e tij. Por siç ka vënë në dukje për të Bjelinski, “Pushkini shkundte pesimizmin si luani pluhurin nga krifa e tij”. Në vitin 1827 shkruan poezinë e njohur “Në Siberi”, ku bënte thirrje për qëndresë krenare dhe shpresë. Viti 1827 ishte viti i fundit i internimit në Mihajllovsk. Pas kësaj, poeti jetoi në Petërburg dhe në Moske, ku nisi, periudha e mbrame e krijimtarisë se tij, qe kulmon me “Eugjen Onjegini” më 1831. Pak kohe para se të vdiste shkroi poezinë “Monument”, ku në mënyrë gjeniale parashikoi pavdekësi për veten, sepse me lirikën e tij ai kishte prekur miliona zemra, kishte rrokur pafund përjetime.
I hyjshmi i poezisë ruse
Poezia e tij qe këngë hyjnore e bërë për perëndi dhe vetë ai, magjistar që përmbysi edhe konstatimin e Volterit se dashuria i bën njerëzit poetë, duke i bërë njerëzit, me poezitë që shkroi, dashnorë. Ai, tashmë pranohet nga të gjithë, ashtu siç e përcaktoi i pagabueshmi Bjelinski, si fenomen që jeton dhe lëviz përjetësisht, fenomen që nuk ndalet në pikën ku e kap vdekja, por që vazhdon të zhvillohet në ndërgjegjen e shoqërisë. Ja pse dhe vdekja fizike e tij, në 10 shkurt të vitit 1837, tronditi e përloti miliona njerëz edhe pse ajo qe në pajtim të plotë me epokën kur ai jetoi, me intrigat e urrejtjet e kohës, me mentalitetet e saj, me kryelartësinë dhe konceptin që edhe ai, si pjesë e asaj kohe, kishte për nderin e moralin. Ja përse edhe sot, brezat, me shumë të drejtë mallkojnë ditën kur ai njohu në shtëpinë e Karamzinëve, kolonelin emigrant francez Xhorxh D`Antes dhe i mundon dilema për thesaret që do të kishin ndër duar, sikur ai plumb fatal, por gjithsesi historik, nuk do të priste në mes jetën e kryemjeshtrit të dashurisë, në atë duel të panevojshëm, atje në rrugën e Pargolovos, pranë fshatit Odojevski. Asnjëherë, një plumb i vetëm nuk kishte bërë dëm më të madh, sesa ai që shtriu përdhe të vetmin njeri të gjallë që mund të matej me vetë Kupidonin. Se po të parafrazojmë Ciceronin edhe Kupidoni në qoftë se do të mund të fliste, do të fliste vetëm kështu. Legjislatorin e dashurisë së sinqertë dhe pasionante, e vrau dora e pabesisë, e bashkë me të, u shuan përgjithmonë dhe humbën për të mos i parë askush, perla pambarimisht të shkëlqyera që prisnin radhë të merrnin jetë në mendjen dhe zemrën e poetit.
Kultura ruse kurrë nuk do të ishte kaq e bukur, sikur asaj t`i mungonte zëri shkëlqimtar i Aleksandër Sergejeviç Pushkinit. Aq e vërtetë është kjo, sa po t`i besojmë asaj thënies impresionante të Algarotit se “Petërburgu është dritarja përmes së cilës Rusia shikon Evropën”, atëherë, është jashtë çdo dyshimi, se dhe bota e ka parë Rusinë, në radhë të parë, nëpërmjet gjenisë krijuese të Pushkinit. Intuita profetike e Derzhavinit që teksa dëgjonte më 8 janar të vitit 1815, një fëmijë të hijshëm, flokëkaçurrel dhe me sy të zgjuar, të deklamonte në “Kujtime të Carskoje Sjello”:
Simbol i dinjitetit kombëtar, zëri më i kumbueshëm dhe më i fuqishëm i dëshirës për liri, filozofi që gjeti mënyrën më të thjeshtë e më të mençur, për të rrënjosur tek çdo njeri mendimin se jetën e bën kaq të çmuar dashuria e pastër, Pushkini me romantikën, por dhe me vërtetësinë e uraganit të fjalës së tij artistike, u bë shumë shpejt shumë i dashur për shqiptarët, sapo kushtet bënë të mundur përkthimin dhe botimin e veprës së tij. Atyre që jetuan para nesh, u la mbresa të veçanta trajtimi që ky gjigant i bënte nevojës për liri, pasi për ta, mungesa e saj qe preokupimi kryesor.
Vdekja tragjike e poetit
I madhi poet rus, më i veçmi i testamentit të letërsisë dhe limfës së këtij gufimi. Vdiq në një duel për të mbrojtur nderin e së shoqës se tij, Natalia. U vra nga një plumb që mori në stomak gjatë përballjes që pati me oficerin francez, Zhorzh D’Ante, i cili ishte dhe i kunati i tij. Për vdekjen e Pushkinit ka dy hipoteza:
E para, se D’ante cënoi nderin Pushkint, duke i shprehur dukshëm dashurinë e tij gruas së poetit, një tërheqje që ra në sytë kreshtar të shoqërisë së lartë e kohës, e cila ia lejonte vetes të merrej me komentet e sjelljeve të D’antes dhe Natalias gjatë ballove.
E dyta hipotezë, së cilës i druhej dhe vetë Pushkini, qe se D’ante ishte thjesht një mjet në dorën e Carit të Rusisë, që frikësohej prej poetit dhe donte ta zhdukte atë. Kjo hipotezë do të justifikonte dhe varrimin e fshehtë të poetit dhe mbrojtjen të cilën Cari i premtoi Natalias dhe fëmijës së saj. Këto hamendësime janë përftuar prej librit të Vickery-t, gjithashtu edhe prej ditarit të poetit, copëza të përshkrimeve që ka lënë, përafrojnë krijimin e mozaikut të së vërtetës. Gjithsesi, ai iku tragjikisht në moshën 37-vjeçare duke e thelluar boshin që ky shpirt i lirë ngasej ta mbushte përplot pasion.
Ditari Sekret i Pushkinit
Më 1986, një libër me titull “Ditari Sekret 1836-1837” u botua nga një Mineapolis, shtëpi botuese MIP Company, duke pretenduar të jetë ditari privat që mbahej nga Pushkin. Kësisoj në të u promovuan disa detaje që kishte të bënte me përmbajtjen, kjo për arsye të mbulimit të qëllimshëm me harrim në Rusi. Testamenti erotik i Pushkinit do të gjente dritën e botimit më 2001 në Moskë nga Ladomir Publishing House e cila krijoi një skandal. Në vitin 2006 një botim Rusisht-Anglisht dygjuhëshe u botua në vendlindjen e poetit nga Shtëpia Botuese Retro. Saora ai është në ëndjen e lexuesit të 25 vendeve të botës.
Aleksandër Pushkin*
Ançari
Atje ku fushat janë shkretëtirë,
Atje ku tokën vapa përvëlon,
Si karakoll i tmerrshëm rri ançari;
I vetëm ky në botë lulëzon.
Stepat e përvëluara e pollën
Një ditë zemërimi plot me gjak,
Dhe degët e zhuritura, të thara
Dhe rrënjët ja vaditnë me farmak.
Pikon farmaku tej-për-tej lëvezhgës,
Ky shkrin në diell ditën e bekuar,
Dhe mbrëmanet pastaj ky ngrin e bëhet
M’u si një dyll’ i trashë, i kulluar.
Nuk fluturon as zogu tek ançari.
As tigri nuk vete. Me furi
Mbi drun’ e vdekjes hidhet vetëm era,
Dhe tutje shkon me vdekjen m’u në gji.
Dhe kur e arratisur nonjë re
Të përgjumshmen gjthe javadit,
Kullon nga degët shiu i farmakosur,
Edhe mi rërën derdhen që zhurit.
Po i dha urdhër njeriu njeriut
Dhe e dërgoi tek ançari i helmuar,
U ngrit me natë skllavi edhe vajti,
Dhe shpejt u kthye me farmak në duar.
Pruri dyllin e vdekjes dhe një degë
Plot me gjethe të fishkura edhe
Nëpër faqet dhe mbi ballin e zbehtë
I kullonte djers’ e ftohtë rrëke.
Pruri helmin dhe ju prenë fuqitë,
Gjer e gjatë në kasollet u shtri,
Pa dha shpirtin skllav’i mjerë mbi kashtë
Mu në këmbët e të zot zëmër-zi.
Sulltan e mbretër me atë farmak
Ngjyen pastaj shigjetat dhe me to
Përhapën zi e vdekje nëpër fqinjët
Përtej kufijve t’huaja, kudo.
Poltava
(Fragment)
E qetë nata në Ukrainë
Qielli llagar, Yjet zjarre.
Dremit ajo si një luginë,
Ku ajri s’tundet. Argjëndrae
Aty baloshet fëshfërijnë.
Po makth’ i ëndrrave, që nxijnë,
Mundon Mazepën: yjet rrojnë,
Si sy hakmarrës e shikojnë,
Edhe baloshet radhë-radhë,
Sikur gjykatësit në sallë
Kokë më kokë pëshpërisin,
I duken majat kur lëvizin.
Dhe hia e zez’ e natën-hon
Si burg i errët i rëndon
Përkthyer nga Lame Kodra