Nga Albert Vataj
Bota e humanizmit me vdekjen e Viktor Hygo, ndahet me një emblem, me një shëmbëlltyrë të pashembullt dhe vetanake në udhëprirjen e njerëzimit përnga barazia, toleranca, drejtësia dhe besimi.
Më 22 maj 1885 ndali trokun e vet të drobitur nga vitet dhe dhimbjet, zemra 83-vjeçare, e Viktor Hygoit, babait të romantizmit dhe atit të kombit francez, dalëzotësit të paepur të të nëpërkëmburve, të të varfërve, të gjithë atyre që i kishte ndëshkuar më shumë se fati, koha.
Karroca e të varfërve me kurmin e tretur së gjalli të Hygoi u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Dy milion persona asistuan në ceremoninë e lamtumirës. Franca dhe bota mbarë do të ishte dëshmitare e një prej akteve më solemne të mirënjohjes, e denjë për zotër dhe etër. Ai ishte ati i shpirtrave të shëlbyer prej njerëzores. Nga çdo cep i Francës kishin ardhur atë ditë për tu ndarë me zërin e zemrave të tyre. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë një nga ceremonitë e lamtumirës më madhështorja që njerëzimi kishte parë. Viktor Hygoi iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.
Të 50.000 frangat që kishte kapital ai e la me amanet për të varfërit.
I tillë ishte ai. E tillë, pikëlluese dhe e pazevëndësueshme ishte humbja e tij. Me ikjen ai la kryeveprën monumentale, la personazhet, Zhan Valzhanin, Anzholrasin, Gavroshin, Mirielin, Guinplenin, Kazimodon, Esmeraldën, të cilët gjallojnë në frymimin e përgjithmonshëm të penës së tij humaniste, shpirtit të tij të madh, zemrës që troket atëditë e sot në kalldrëmet e fateve të krisura, që zvarget hekakeqe edhe tash mbas 130 vitesh në baltën që përlyen ndërgjegjen e kohërave, për të qenë përherë një zë denoncues, një ndëshkim, një fshikull, një akuzë.
Romantizmi, rrymë letrarë që ushqeu me vetveten, Hygoi, ishte një lëvizje komplekse shpirtërore dhe kulturore që prodhoi një rinovim të thelle në letërsi, në art dhe në mendim, në politike dhe në zakone. Ishte në kryeherën e vet, një vullnesë për të ndryshuar, një rrjeshtim i zëshëm për të dëshmuar dhe për të mëtuar vetvetes dhe botës, kjartazi, gjithëkohësisë, të drejtën për të rendur gjithnjë përpara, për njeriun, brenda, thellë brenda tijë. Romantizmi u zhvillua nga ai mutacion i shijeve dhe i ndjeshmërisë që u verifikua në Evropë në fund të shekullit të XVII, erdhi si domosdo dhe orakull.
Hygo e trajton njeriun në një mënyrë të tjetërsojtë nga sa e kishin mëtuar dhë qenë rrekur mbamëndjet kohore letrare. Veçmas kur gjen shteg dhe depërton në brendinë e tij të mistershme, mëdyshjet që ka njeriu rreth zgjedhjeve në jetë, konfliktin që gjallon në vetëdije, dhe metamorfoza që e përndjek në të gjithë hapat në të gjallë. Ai sheh anën vlertë të qënies, qëllimshëm për të nxjerrë që andej të virtytshmin. Nuk resht së lartësuari shpirtin dhe dhimbjen, ndërgjegjes i jep kahje hyjnore duke e naltësuar dhe himnizuar këtë krijesë si gjithnjë të njëmendtë në mirësi. Sipas shkrimtarit njeri mund të bëhet i madh, i urtë, i dobishëm për shoqërinë, pavarësisht sesi ka qenë ai më parë. Ai depërton më në thellësi, ndoshta shumë më shumë se kishte mbërritur tjetërkush më heret.
Viktor Hygo krijoi novela dhe poema, të cilat përfshinin çështje të nalta dhe vorbulluese, ato politike dhe filozofike të historisë së asokohëshme. I trajtoi ato me një stil të lartë dhe finesë, dritëpamësi dhe fundament, nuk është aspak i mërzitshëm edhe pse shpesh ndalet në detaje që dlirin dyshimin në trill dhe mishërojnë çdo çast me shkëlqimin e vet të ngrysët dhe trishtimin pikëllues. Gjithmonë në këtë lojë ligjëruese, ka ndopak andje dhe hir për tu përfshirë, gjithëpoaq, ke diçka për të reflektuar mbi atë që trajton me aq mjeshteri Viktor Hygoi. Mjafton vetem një sentencë që ka fuqinë e një bërthame shpërthimi brendie, që të ngas me forcën dhe magjinë e një Circe dhe të përfshijë në vorbullën e përjetimit. Për formësimin e një botëkuptimi letrar, përvoja me kryeveprat e shkrimtarit të madh, “Njeriu që qesh”, “Katedralja e Parisit” dhe “Të mjerët”, është kryekëput një ndikesë për nga përfundimet dalldisëse, të cilat lënë në gjurmën e kohës dhe në përcjelljen kundruese, gjurmë që drithërojnë. Gjithsesi këto tre vepra, dhe jo vetëm, ishin njëkohësisht dhe pasaporta ndërkombëtare e Hygoit. Mbeten sakaq emblematike për galerinë e shkrimtarit. Njëherash janë realitete letrare që paraprijnë në yshtjen e stuhishme drejt kreut këtë penë. Kohësia e këtyre veprave mëtoi në sentimentet e një qëmtesë kushtruese. Pas personazheve të skalitur me daltën e këtij dimensioni të gjithmonshëm letrar, asohere kur u botuan, sefte, në të tashmen e kohës, kur erdhën në shqip dhe u bënë yshtje e netëve pagjumë, në të sotmen e përgjithkohë, mbeten të jashtëzakonshëm. Kuazimodo, Guinpleni dhe Gavroshi janë të gjithëkohshëm. Kumti i tyre ishte, është dhe mbetet në kohësinë e gjithë shtresime shoqërore, një shkundje nga themelet, një ndërmëndje që udhëton dhe jeton me elemnetin thelbësor të jetësores, njeriun, asohere, tash e në të përgjithmonshmen. Manteli që veshi këto personazhe është reja e zezë që noton edhe në qiejt modern, duke gërmushur me nervin e hakërrisë paqen e rrejshme sociale, patosin dhe shtrirjen jargavitëse ndjesore.
Ai diti dhe ia doli t’i ikte modeleve pështira dhe melankolike që mëkoi shpirtin kumtues të asokohjes së tekstshkruesve. Nuk hezitoi të hidhej në rrapëllimën e kohës, të përballet fyta-fytas me peripecitë, me jetësoren gjithnjë në zgrip të personazheve, për ti shndrruar ato hove në shkëndija të qenësishme të ndryshesave epokale historike.
Kreatura shkrimore dhe padyshim thellësisht ndjesore, arritën të mbulonin të gjitha gjinitë letrare, nga lirika tek tragjedia, nga zakonet tek satira politike, nga romani historik e social tek thmelimi i një doktrine, duke ngjallur kësisoj një lloj njëmendësie të patjetërt evropiane.
Albert Vataj