Nga Albert Vataj
Mozarti i vogël ishte në Paris, kur sapo kishte mbushur shtatë vjeç e gjysmë. Luajti në klaviçembal në mënyrë të mahnitshme, improvizoi arie të vogla dhe sonete me një mjeshtëri të rrallë aq sa i shastisi të pranishmit që e dëgjuam me mjaft kureshti dhe admirim. Ai kishte lindur të ishte një mrekulli.
Edhe kur i ati, për t’i bërë më të qarta aftësitë e tij të jashtëzakonshme, ia mbuloi tastierën me një cohë leshi të hollë, ai ekzekutoi po kaq mjeshtërisht pjesët si dhe kur tasti ishte i zbuluar. Përnjiherë u bë objekt i çuçuritjeve në sallat dhe ambientet mondane të Versajës.
E thirrën në oborr ku mbreti e përgëzoi dhe mbretëresha e ngopi me ëmbëlsira. Në fund donte ta shikonte edhe Madame de Pompadour. Ajo për ta parë sa më mirë e vendosi në këmbë mbi një tryezë. Djali i vogël i zgjati dorën që t’ia puthte, por ajo nuk dënjoi t’i përgjigjej kësaj kërkese. Atëherë Mozarti i vogël, të cilin e kishte puthur perandoresha Mari Tereza, u prek dhe i tha:
– Kush është kjo grua kryelartë që nuk do të më puthë dorën, kur vetë perandoresha më ka puthur?
Ai i tha këto fjalë në gjermanisht. Madame de Pompadour sigurisht që nuk e kuptoi dhe mrekullisht që nuk u bë kureshtare për të ditur se çfarë tha djaloshi, ndryshe Mozarti i vogël mund të përfundonte pas hekurave në bodrumet e ftohta të Bastijes.
Mozarti do të kthehej në Paris në moshën 20-vjeçare, kur i vdiq e ëma.
I pikëlluar i’u desh të linte hotelin, ku qe ftuar nga Grim, i cili nuk kishte asnjë besim në aftësitë muzikore të Mozartit. Ai e detyroi djaloshin që të largohej. Dhe Mozartit në ikjen dëshpëruese iu desh të ndalej në Strasburg për të dhënë një koncert, sepse nuk kishte paratë e mjaftueshme për të vazhduar udhën e kthimit.
– Salla më kishte pritur, – kishte thënë më vonë Moxarti, – në një tryezë të përgatitur për njëzetekatër vetë, vetëm tre a katër ishin duke ngrënë. Ky ishte dështim i plotë për Wolfgang Amadeus Mozart, për mjeshtrin e mjeshtarve të të magjishmes muzikë klasike.
Pasi u paguan shpenzimet, atij i dhanë si shpërblim një luigj, që ishte i mjaftueshëm vetëm për të bërë me karrocë një copë nga rruga e tij e kthimit.