Nga Albert Vataj
Sot 970 vjet më parë u lind qëndistari më i tamëlt i kurtinave arabe, Rubairave, Omar Khajam, 18 Maj 1048. E kush nuk i njeh ato vargje, e kush nuk i pëshpërit ato strofa, të cilat në udhëtimin e tyne shekullor kanë mund të vijnë në një shqipe t’kullut, të tingëllojnë në ambëlsinë e tyne, fal t’pavdekshmit Fan Noli, mjeshtërisë së përkthimit të tij.
Omar Khajam erdh në jetë në Nishapur, asohere kryeqyteti i Khurasanit. Me të drejtën e krejt kandave dhe dritëhijes, ai është tashmë një emblemë e persianëve dhe botës arabe. Paraardhësit e tij rrjedhojnë prej fiset arabe të quajtura Khayyami, të cilët emigruan dhe u vendosën në Persi.
Omar Khajam, anipse më s’shumti këtë emër e lidhim me kuartinat e famshme të Rubairave, ai mbamendet dhe rrok deri në të tashmen një mirënjohje të qenësishme për kontributin e vyem si matematikan e astronom, filozof dhe fizikant. Kontributi i tij në shkencën e algjebrës, mori vlerësim në të gjithë Evropën. Në Perëndim, ai njihet më së shumti e studiohet gjerësisht për përmbledhjen poetike me titull “Rubaiyat” (që në shqip do të thotë: strofat, kuatrinat arabe), të cilat u përkthyen për të parën herë në një përmbledhje, që besohet se është më e plotë në gjuhën angleze, nga Edward Fitzgerald, në vitin 1859. Khajam, nga arabishtja, do të thotë pak a shumë “bërës tendash”.
***
Fan Noli me të drejtë e ka pagëzuar Omar Khajami si “Kryeluftëtari i mendimit të lirë”.
Ai shkëlqeu si një nga studiuesit dhe shkencëtarët më të shquar të këtij vendi të lashtë të Lindjes së Mesme. Pinjoll i një familje të varfër, ai me vështirësi të mëdha mundi të ndjekë shkollën dhe të përvetësojë të gjitha dituritë e kohës: teologjinë, filozofinë, historinë, letërsinë, mjekësinë, fizikën, astronominë e matematikën, duke u bërë i pari i “savanteve” të Persisë në çdo degë të shkencave. Rreth vitit 1069, në Samarkand, shkroi veprën shkencore “Traktati mbi bazat e algjebrës”. Omer Khajami ishte i pari që filloi zgjidhjen e ekuacioneve të shkallës së tretë në matematikë në një mënyrë që vetëm pas disa shekujsh do bënte të njëjtën metodë edhe Dekarti. Ai më së shumti u morr edhe me numrat irracional dhe gjeometrinë. Në mënyrë gjeometrike arriti të zgjedhi ekuacionin të panjohur deri atëherë x^3+200x=20x^2+2000. Trekëndëshi i Paskalit, që gjen koeficientet e fuqive binominiale ka qenë i njohur shumë më para nga Khajami.
Në vitin 1074, kur ishte vetëm 26 vjeç, drejtoi observatorin e astronomisë në Isfahan, një nga më të mëdhenjtë e asaj kohe. Tre vite më pas, përfundoi studimin mbi shpjegimin e tezave të vështira të Euklidit, matematikan i dëgjuar i antikitetit grek. Më 16 mars të vitit 1079, në bashkëpunim me kolegët e tij, futi në jetë kalendarin që është më i saktë se ai që përdorim ne sot. Në krye të vitit përfundoi veprën filozofike “Traktat mbi qenien dhe ekzistencën” në frymën e peripatizmit lindor. Vepra u pasua edhe nga dy traktate të tjera filozofike. Në këto vite ai ka shërbyer edhe si mjek i sundimtarit të Horasanit dhe familjeve të tjera të kamura të vendit.
Ato që e bënë të pavdekshëm Omar Khajamin janë rubairat e papërsëritshme, “katërvargjëshat. “Rubairat, shkruan Fan Noli në parathënien e botimit të dytë të veprës së përkthyer, janë një nga veprat poetike më të bukura të botës”.
Pavarësisht se në botën perëndimore ai njihet vetëm si poet kritik, siç vërejtëm Khajami mbi të gjitha ishte matematikanë dhe astronom. Në Evropë ai mori famë me përkthimin e veprës së tij letrare Rubairat nga Edward FitzGerald në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Edhe shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar Fan Noli, përktheu rubairat në vitin 1924 nga Edvardi pavarësisht se ishte njohës i persishtes. Sipas histografisë letrare shqipe, Fan Noli ka përkthyer njëkohësisht veprën me Hafiz Ali Korçën ku edhe kanë pasur debate ne lidhje me botëkuptimet e Khajamit.
Sipas profesorit të njohur të Harvardit Sejjid Husejn Nasër, Khajami është mysliman suffi, për këtë jep argumente se Khajami në Rubairat e tij i referohet verës jo-alkoolike aq shumë të përfolur nga sufistët, por përkundër kësaj Khajami kishte edhe plot vepra që flisnin për Islamin ku edhe mbështeste imamin më të njohur sunni, mbase të të gjitha kohërave Imam Gazalin.