-Cilët janë disa prej veçorive që e bëjnë të dallueshëm një keqtrajtim?
Dhuna ndaj gruas dhe dhuna në përgjithësi duhet të eliminohet brenda individit të çdo niveli social. Dhe kjo arrihet, sipas psikologut kur shoqëria krijon kushtet e përshtatshme për çdo individ të saj që të mund të ndjehet i vlerësuar përmes punësimit, aksesit në shpërndarjen e produktit social, shikimit real të së drejtës në çdo hallkë të sistemit, funksionimit normal të barazisë brenda kuadrit të të drejtave bazë dhe të ndjerit e secilit të sigurt në mënyrën e jetesës. Ka dhe shumë faktorë të tjerë, por mendoj se këta do të ishin të mjaftueshëm për të ulur nivelin e stresit dhe të agresionit të çdo individi në një shoqëri demokratike.
-Po të shprehemi në formën ligjore, keqtrajtimi është çdo formë abuzimi që mund të ushtrohet nga një person mbi një person tjetër, që rezulton me dhunim të integritetit fizik, moral, psikologjik, social, seksual ose ekonomik. Kurse e shprehur sipas pikëpamjeve psikologjike rezulton me dëmtime fizike, seksuale apo mendore, duke çuar në probleme vërtetë serioze psikologjike, në izolim social, në sjellje të papëlqyeshme për shoqërinë si dhe në transmetimin e këtij modeli të dhunshëm te pasardhësit. Veçoritë që e bëjnë të dallueshëm janë izolimi social, sjellje josociale, dëmtim serioz të shëndetit mendor dhe fizik, por ajo që është më e rëndësishme të theksohet, është kur familja shkon në ndarje pra, në divorc.
-Ç’është keqtrajtimi, si formë e dhunës?
-Duke u nisur nga vetë fjala keqtrajtim, do të thotë trajtim i keq, që është i lidhur me privimin nga liria e besimit, shkollimit, punësimit, zhvillimit, zhveshje nga dinjiteti, morali social, duke synuar skllavërimin dhe degradimin e individit. Pra, mohimi i të gjithave të drejtave universale të të qenit njeri i lirë.
-Përse shumë gra edhe sot, kur kemi të bëjmë me një psikologji krejt ndryshe, vazhdojnë t’u binden burrave dhunues?
-Në të vërtetë ky është një fenomen i dukshëm sot në shoqërinë shqiptare. Shumë gra përpiqen të ruajnë familjen, qoftë edhe me pranimin e një dhune apo keqtrajtimi, të mendojnë më shumë për të ardhmen e fëmijëve, përpiqen t’i mbijetojnë deri në një farë mase dhe një “përballje” me opinionin social të trashëguar mbi rolin e gruas dhe përgjegjësinë e moralit të familjes pra, bëhen viktima të paragjykimeve morale tradicionale, të cilat po gjejnë një terren pranues edhe në situatën e sotme moderniste. Gruaja shpesh bie në grackën e sigurimit të një modeli bindjeje në “hierarkinë” e familjes, e cila i bën ato “shërbëtore” të bindura ndaj burrave. Mungesa e lirisë ekonomike, ideja e mëmësisë, pamundësia për të pasur sigurinë e duhur e shumë të tjera, janë faktorë që i bëjnë gratë “duruese” të mos kërkojnë respektin e duhur ndaj vetvetes. Megjithatë duhet të pranojmë se sot familja e ka humbur “qetësinë” e saj.
-Në këto kushte kritike, kush është i prirur të bëhet dhunues?
-E thënë shkurt, mendoj se prirje për t’u bërë i dhunshëm është personi që ka mangësi në edukimin e vetëdijes civile. Por janë një varg faktorësh që e bëjnë individin të dhunshëm. Nuk mund të themi se faktori i parë është ky apo ai, por secili faktor shfaqet në rrethanat e veçanta të vetë individëve që përbëjnë familjen si dhe nga ndikimi i mjedisit social, gjendja emocionale, formimi kulturor etj. Gjithashtu, ndër faktorët bazë janë problemet ekonomike, papunësia, mungesa e shkollimit, martesat e parakohshme, mungesa e mjeteve financiare, xhelozitë, përdorimi i alkoolit dhe drogave, njerëz që janë të zhurmshëm me vete dhe me të gjithë, por dhe faktorët psikologjikë, si: stresi, depresioni, sëmundjet e ndryshme mendore, prejardhja nga familje të dhunshme etj. Po kështu kanë të bëjnë dhe faktorët individualë të personalitetit, si: temperamenti, dëshira për të qenë i fuqishëm, kurioziteti për të ushtruar dhunë etj. Si përfundim, dhuna brenda familjes është një sjellje e udhëhequr nga nevoja për pushtet dhe kontroll. Dhe këtë e bën më i forti, që, pothuajse në të gjitha rastet, është burri.
-Me këtë kontingjent prindërish dhunues, ka rrezikshmëri të transmetohen elementet e kësaj dukurie anadollake tek brezat e rinj?
-E theksova dhe më sipër se një ndër rreziqet kryesore të këtij fenomeni është dhe ai i transmetimit të këtij modeli tek pasardhësit. Fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës brenda familjes, mund të kenë vështirësi serioze emocionale në zhvillimin e tyre dhe në sjellje. Këta persona ka mundësi që të bëhen adoleshentë dhe të rritur emocionalisht të paqëndrueshëm, të dhunshëm, agresivë dhe problematikë për të ardhmen e tyre dhe të shoqërisë. Dhe fatkeqësisht këtë e shohim çdo ditë tek xhelozitë, tek mungesa e një besimi në partneritet, tek divorcet, vrasjet etj.
-Kemi një kategori tjetër grash që nuk dinë nga t’ja mbajnë dhe në mes dilemës për të vazhduar apo jo jetën, zgjedhin dhënien fund të saj, pa menduar për pasojat. Si e shpjegoni?
– Sigurisht, jo të gjithë njerëzit kanë të njëjtën forcë për të përballuar dhunën, si dhe për t’i mbijetuar asaj. Stresi krijon një gjendje tensioni fiziologjik dhe psikologjik të shkaktuar nga nevoja e përballimit të realitetit. Vetëvrasja është akt kur njeriu i merr jetën vetes me dëshirën të tij me anë të një veprimi të vetëdijshëm. Arsyet e vetëvrasjeve janë të ndryshme. Arsyeja më e shpeshtë është depresioni ose sëmundjet bipolare si dhe sëmundje të tjera psikike dhe fizike. Shpesh një kombinim gjenetik, psikologjik dhe faktorë ambientalë janë të përfshirë për të filluar çrregullimet depresive. Duke u ndjerë e pashpresë dhe e pamundur për të përballuar jetën, humbet interesimin dhe kënaqësinë ndaj gjërave që i mendonte ndryshe më parë, duke përfshirë edhe marrëdhëniet imtime, humbet vetëvlerësimin, duke e parë dhe ndjerë veten si të pavlerë për të vijuar më tej. Krijohen probleme të thella psiko-somatike dhe i bie rezistenca, ka dhimbje etj. E vetmja gjë që i duket se ia zgjidh problemet është mendimi për vdekjen. Në këto kushte nuk mund të arsyetojë më tej dhe në një çast të tillë dobësie, sidomos kur gjendet e pambështetur, kryen vetëvrasjen.
-Vrasjet në familje po marrin përmasa të frikshme, cilët janë faktorët që po e favorizojnë krimin në familje?
-Duhet të pranojmë se familja e sotme shqiptare vazhdon të tronditet thellësisht nga ngjarje të tilla tragjike, siç janë vrasjet, vetëvrasjet, dhuna e vazhdueshme dhe keqtrajtimet etj. Institucioni i familjes është konsideruar i shenjtë gjithmonë. Por sot ka një ndryshim të roleve dhe vlerave në familje, gjë që ka prishur dhe disa ekuilibra të saj. Sot shoqëria shqiptare po urbanizohet me shpejtësi të madhe dhe, e ndodhur përballë “prurjeve” pa filtër të çdo gjëje që vjen nga “jashtë”, ka një përplasje të madhe mes asaj që duhet dhe asaj që paradoksalisht jemi të detyruar ta pranojmë. Kriza e madhe që ka përfshirë pothuajse gjithë botën, polarizimi i shoqërisë kanë krijuar probleme të shumta, duke e rënduar edhe më shumë situatën e familjes sonë, sidomos në gjendjen e saj të punësimit, në mospasjen e mjeteve financiare të nevojshme etj., probleme këto që çojnë në përdorim të alkoolit, drogave, krijojnë stres dhe depresion, sëmundje të ndryshme mendore etj. dhe për pasojë bëhen në njëfarë mase “shtrat i ngrohtë” për krimin në familje.
-Sistemi totalitar i kishte të kufizuara rastet e krimit familjar, a mos vallë ishte ligji i prerë dhe i pafalshëm ndaj kriminelëve vrasës?
-Tashmë është i njohur fakti se diktaturat përdorin dhunën si mjetin më efikas për të sunduar. Duke mos përfillur të drejtat e individit dhe duke abuzuar mbi këtë individ, duke mos i lënë asnjë hapësirë për të komunikuar me botën e shumë të tjera, krijojnë një realitet frike dhe dhune për çdo gjë. Sot bëhet fjalë që njeriu të jetë i vetëdijshëm për atë që i takon dhe për hapësirat e tij të lirisë. Derisa individi të arrijë të plotësohet me kulturën demokratike dhe me normat e reja që shoqëria demokratike pranon, ka brenda një vakuum, nga ku shpesh rebelohet dhe rebelime të tilla shpesh janë tronditëse, siç e kemi theksuar dhe më sipër.
-Me këtë kuadër ligjor të mbrojtjes së viktimave të dhunuar në familje a ka ardhur koha të ndërhyjmë profesionalisht, që të mos shtohet numri i jetimëve nesër. E them këtë se ka ndodhur në zyrat e shtetit, ku gratë që denoncojnë, shpesh përcillen me nënqeshje e mospërfillje.
-Kuadri ligjor në Shqipëri është shumë i mirë dhe çdo ditë pasurohet me elemente të reja, të cilat e përmirësojnë atë. Kurse mentaliteti maskilist, i përfaqësuar edhe nga zyrtarët e shtetit, është një mosarritje suksesi e civilizimit demokratik të individit dhe që fatkeqësisht ky individ përfaqëson (jo në të gjitha rastet!) figurën e shtetit dhe që krijon një perceptim të gabuar për të gjithë strukturën shtetërore dhe kuadrin ligjor. Çdo ligj që nuk zbatohet, sado i arrirë që të jetë, është “i keq”.
-Mentaliteti i pushtetit të burrave në administratën publike rrit apo jo abuzimin ndaj grave të dhunuara?
-Administrata e një vendi është figura e parë e shtetit, me të cilin ndeshet qytetari dhe krijon perceptimin e tij lidhur me nivelin social dhe demokratik të shtetit. Ne së abuzimi vjen nga zyrtarët e shtetit dhe sidomos me abuzimet ndaj gjinisë femërore në veçanti, administrata publike humb besueshmërinë dhe kjo sjell pasoja të rënda në raport me qytetarin. Por nga ana tjetër tregon se sa i lirë është individi, sidomos femra dhe sa respektohet ajo në se abuzohet. Pra, domosdoshmërisht duhet që të punohet për krijimin e një psikologjie të re marrëdhëniesh, besimi dhe respekti ndaj rolit të femrës në shoqërinë tonë, duke mos sjellë brenda institucioneve njerëz pa kulturën e duhur demokratike dhe me mentalitete penguese.
“Koha Jone”
Intervistë e Fran Gjokës me psikologun dhe publicistin, Ndue Dragusha