Nga Albert Vataj
Po, ai William Shakespearer, ishte dhe mbeti i përgjithmonshëm, magjiku i sendërgjimit përmes tragjikomedisë i shpirtit njerëzor. Jo vetëm Anglia që e kishte poetin e saj kombëtar, por gjithë bota përulen me respekt dhe mirënjohje të thellë për William Shakespeare, për veprën e tij monumentale, gjenialitetin e asaj kreature që mbeti e pavdekshme si shëmbëllim në tematikë dhe karaktere, në mëtim, kumtim dhe jetësore.
Edhe pse kanë kaluar 5 qindvjeçarë qëkur feksi si diell në kreshtën e komunikimit dhe manifestimit estetik, botkumtimit thellësisht filozofik, ai mbetet shkreptima më dritlëshuese e dramaturgjisë, tingëllima më larushitëse e sonetave, më e qenësishmja lojë e aktrimit në skenën angleze. Ai kishte pararendës themelet e botëve antike dhe traditën, epokat e përtëritjes përmes ligjërimit. Dishepujt i kishte panumërt, doktrinar, zotër dhe shëlbyes të shpirtit dhe tempit të epokës. Letërsia britanike, dramaturgjia, krejt bota e letrave, do ta mbajnë ndërmendjen për të si kremtimin më solemn të kumtit artistik. Gjeneratat do të përulen para këtij shërbestari të bindur se ai meriton më shumë. Magjepsja e krijimtarisë që la, guxojnë të na japin gjithnjë atë shkëlqim, që mundëson kjartësimin dhe njohjen me njeriun dhe botën e asokohshme dhe deshifrim i botëkuptimit të gjithkohjes së njerëzimit, i cili përsiat vetveten, rrapëllitet në vorbullën e kohës, sipërfaqet dhe rrok të hyjshmen e së tashmes.
Filli psikologjik
Me një gjerësi të pashoqe, në veprën e tij Shekspiri paraqet marrëzinë e shpirtit njerëzor, të pushtetit dhe dashurisë, rregullsinë e përbotshme dhe të pashmangshme që sjell pasioni njerëzor. Pikëpamja e tij gjerësisht pesimiste na ysht të besojmë se “pushteti s’është gjë tjetër veçse një mjet ndihmës për të kënaqur mizorinë, kurse dashuria e patradhtuar të çon në varr”. Kjo nxitje shpie në anën e errët të shpirtit njerëzor dhe bën që për Shekspirin ëndrra të jetë e rëndësishme. Si shkas në veprën që la është e mundimshme të dallosh realitetin nga ëndrra. Kësisoj jeta është vegim, ndërsa njeriu është ëndërr. Në të shumtën e herëve këto ëndrra janë të makthshme. Veç kësaj, ashtu siç është e vështirë të perceptojmë, në rrimë zgjuar a vigjilojmë, më kot kuturisemi të dallojmë të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra.
Diçka nga jetëshkrimi për tragjikomedianin e madh
Jeta e William Shakespeare është pak e njohur. Dita kur ai u lind është e pakonfirmuar, megjithëse shumë përllogaritje saktësojnë atë më 23 prill 1564. Rreth këtij deji të tragjikomedianit të madh vetë pagëzimi është vërtetura dhe ajo daton më 26 prill. Dokementet kishtare provojnë se ai pagëzu në Stratford-upon-Avon , Warwickshire, Angli . William Shakespear vdiq më 23 prill 1616 në po të njëjtin qytet. U martua më 1582 dhe u largua nga Stratfordi më 1585. Më 1592 lë gjurmë në Londër. Është fillimisht aktor pastaj tekstshkrues i dramave. Shekspir bën pjesë në trupën mbretërore, e cila ka teatrin e saj që quajtur “Globi”. Jeta e këtij teatri daton më 1599 dhe kapaciteti i saj është tremijë shikues. Me kalimin e kohës blen një teatër privat për t’u kthyer në Stratford më 1612, ku dhe ndërron jetë më 23 prill 1616. Kjo njohje e paktë e jetës së Shekspirit u ka lënë shteg hamendjeve për t’u hedhur në trillime dhe sajesa nga më të pabesueshmet. Disa shkojnë deri në atë cak sa të vënë në dyshim ekzistencën e tij. Të tjerë thonë se nën emrin e tij fshihet Francis Bekon. Nuk duhet lënë mënjanë fakti se edhe për shumë autorë të tjerë të kësaj periudhë dihet fare pak. Enigma e Shekspirit qëndron midis jetës së tij të thjeshtë dhe veprës së tij të jashtëzakonshme dhe shumë të larmishme.
Teatri, ku lindi ky diell
Nën mbretërimin e Elizabetës, kohë kur Anglia ishte në kulmin e fuqisë së saj dhe po ndërgjegjësohej si komb, teatri ishte ai që rroku interesimin e publikut. Ky ishte “arti i madh” i kohës, ku publiku gjente vetveten. Konsumi i kësaj forme shprehëse estetike dhe artistike nuk i privohej asnjë shtrese sociale, shtresat e ulëta, fisnikëria dhe monarkët ishin të gjithë të shtruar në të njëjtën sofër.
Galeria e veprave
Duke mos llogaritur poemat, Shekspiri ka shkruar 36 pjesë teatrore. Nuk dihet se kur u shkruan ato, por një lloj kronologjie renditësh mund të ofrojë shtresimi sipas zhanreve. Në këto pjesë, tematika huazohej nga autorë të mëhershëm, anglezë apo të huaj, por të gjitha janë të ripunuara me themel.
Fillesa e krijimtarisë së Shekspirit përkon me temën historike që përbënte dhe interesimin e kohës. Më 1591 erdhi në jetë “Henriku VI” për t’u pasuar nga “Rikardi III” më 1593, “Rikardi II” , 1595, “Henriku IV” që daton në periudhën 1596-1597 dhe mbyllëse e këtij kapitulli të teatrit historik vjen më 1599 “Henriku V”
Në të njëjtën periudhë jetësohen edhe komeditë. E para e këtij vargani është “Komedia e gabimeve” më 1594, pastaj “Gjerpërushja e zbutur” shkruar nga Shekspir në të njëjtin vit. “Ëndrra e një nate vere” vjen më 1595 e pasur nga “Gratë gazmore të Uinstorit” më 1597. Tri komedi të tjera vijnë në kohështrirjen e viteve 1598-1601, ato janë “Shumë zhurmë për asgjë”, “Si t’ju pëlqejë” dhe “Nata e mbretërve”.
Dhe çelet sipari i tragjedive që nis me një pjesë shumë të dhunshme në stilin e kohës, me vrasje, përdhunime, gjymtime. Bëhet fjalë për “Titus Andronicus”, kohë në të cilën pena e jashtëzakonshme shkruan dhe “Romeo dhe Xhulieta”. Pas vitit 1600 ai hedh në letër e vë në skenë tragjeditë e mëdha me temë nga lashtësia; “Antoni dhe Kleopatra”, “Koriolani dhe Timoni i Athinës”. Kjo është koha e veprave epokale “Jul Çezar” më 1599, “Hamleti” më 1601, “Otello”, 1604, “Makbeth” më 1606 dhe “Mbreti Lir” diku rreth atij viti.
Shkëlqimtari i botës viktoriane
Shekspiri mbamendet të jetë një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Rilindjes evropiane dhe një nga viganët mendimtarë më të fuqishëm që lindi kjo epokë. Ai ka rrëmbyer skeptrin e sundimtarit në botën e dramaturgjisë dhe letërsisë të të gjithë kohëve. Krijimtaria e Shekspirit karakterizohet nga madhështia e dimensioneve të saj, me gamën e mendimeve dhe gjerësinë e pazakonshme të mesazheve. Dramat e tij dallohen për shumëllojshmërinë e tipave, situatave, personazheve, epokave, popujve, mjediseve shoqërore dhe skutave më të thella të personalitetit dhe karakterit të njeriut të sekushëm në këtë botëjetim. Kjo begati e imagjinatës, tempi i shpejtë i veprimit, forca e pasioneve të paraqitura dhe tensioni i personazheve të caktuara, janë tipike për epokën e Rilindjes.
Burimet e frymëzimeve të William Shakespeare janë larushitëse në kohë dhe në perimetër, në shtresëzime dhe në shëmbëllime. E nëse ka diçka të huajtur, ai e ka përvetësuar duke rijetësuar në atë kurm krejtçka mendja dhe pasioni i tij orvateshin të përsosnin në aktin sublim të krijimit.
Artin antik grek dhe atë romak, Rilindjen italiane dhe traditën popullore të dramaturgjisë angleze përbëjnë zgafellet e thella ku ai rrëmoi ngadhënjyeshëm, për të nxjerrë së andejmi diamantet magjike të tragjikes dhe komedisë, të romancës dhe historisë. Janë këto diamante, gurët më shndritës në gjerdanin e visareve estetike të njerëzimit që shndrisin në gjoksin e krenarisë së gjeneratave.
Shekspiri është origjinal dhe i vetmi për sa i përket përdorimit të gjuhës, lloj-llojet dhe pasurimet e ligjërimit artistik. Begatia e jashtëzakonshme e leksikut të përdorur nuk qëndron vetëm në numrin tejet të madh të fjalëve dhe të shprehjeve, por edhe në llojshmërinë e nuancave kumtuese. Në veprat e tij gjejmë një shumësi shprehjesh, proverbash dhe fragmentesh të këngëve të hershme që përbëjnë traditën e asokohshme popullore. Sikundër s’mungojnë rrekje të vezëllimta të kujtesës magjike të klasikëve.
Ajo që e përshkon si një fill kreçfarë përbën veprën e William Shakespeare është karakteri demokratik dhe humanist. Me një realizëm të mprehtë dhe kritik ai trajtoi idetë përparimtare të Rilindjes dhe ushtroi një ndikim të pamohueshëm në letërsinë evropiane. Dishepuj dhe shembulltarë të Shekspirit behin të shumë në dalldinë e solemnitetit, ku u përkund kjo përvojë befasuese. Krijues të vendeve të tjera, të cilët kungojnë këtë shpirt në shtatin e dramaturgjisë së vendeve të tyre, do të vënë si gurëthemelet e dramaturgjive të veta kombëtare, siç bënë Lesingu, Gëte, Shileri, Hygoi, Pushkini etj.
Keqtrajtimi dhe anatemimi
Një kapërcim kaq i hovshëm në qiejt e famës dhe sundimin e kreut nuk mund të kishte dakordësi dhe të rrokte admirim te rivalët, ashti si tek artdashësit.
Të shumta janë vragët në të vdekur të tij, por përplasja e një gjeniu mes pasaktësisë së datëlindjes dhe datëvdekjes, është një nga çorollepsjet që kanë qëlluar me gurë diellin e tij, kujtojmë saora, hamendësimet anatemuese, se ai nuk është autori autentik i veprës që la në fondin e artë të letërsisë botërore. Informacione të ndryshme që orvaten të dritëlëshojnë një panoramim të jetës dhe veprës së Ulliam Shekspirit, ngecin në baltën e pasaktësive, pa mundur të shkojnë larg me “vërtetësitë” e tyre. Kësisoj, datëlindja e dramaturgut në burime të shumta është 26 prill 1564. Kjo datë është e pagëzimit, sipas regjistrave të kishës. Burime të tjera mbeten të ngulmëta për datën 23 prill, si datëlindja e saktë e poetit dhe dramaturgut të madh. Datëvdekja, gjithashtu, është e pasaktë.
Ceremonia mortore e kishës ku i’u dha lamtumira mjeshtrit të madh, është 5 prill 1616, ndërsa ne na është servirur 23 prilli si datëvdekje. Nuk duam të besojmë se janë të qëllimta, sikundër e papajtueshme mbetet ecejaket në këtë qorrsokak.
Krijimtaria në zanafillë
Është ende e turbullt deri m’tash se kur ka filluar Shekspiri të shkruaj. Ndërkohë që radhitja e veprave të shkruara njihet vetëm përafërsisht. Sa ishte gjallë mjeshtri i madh, publikoi vetëm 8 nga 37 dramat që sot njihen si testamenti i tij krijues. Po ashtu ekzistojnë ndarje të ndryshme të krijimtarisë së Shekspirit. Më e shpeshtë është ajo që klasifikon në tri periudha: faze e hershme, që njëherit është edhe faza më e frutshme e veprimtarisë së tij, e mesmja dhe e vonshmja.
Për herë të parë Sonetet e William Shakespeare u publikuan më 1609, edhe pse disa prej tyre ishin shkruar shumë më herët, para vitit 1598. Kjo është një nga përmbledhjet më të mira me sonete të Rilindjes dhe përmban 154 poezi. Motivi themelor që përshkon tërë përmbledhjen është ai i kalueshmërisë së kohës, e cila fluturon pamëshirshëm dhe merr me vete shumësinë e gjërave të mira dhe të bukura, duke shkatërruar e brejtur gjithçka dhe duke sjellë pleqërinë. Shekspiri, i cili gjatë jetës së vet ishte i njohur sa si poet, aq edhe si dramaturg, famën e tij të mëvonshme e përftoi ekskluzivisht falë dramave të tij gjeniale. Askush nuk ka mundur të rrënjëzohet kaq harlisur në kujtesën e njerëzimit sa veprat monumentale të këtij kolosi, të mendimit dhe kumtimit. 37 janë veprat që përplotësojnë kolanën e tij, prej të cilave, 13 tragjedi, 10 drama dhe 14 komedi. Ai përdori rreth 20 mijë unitete gjuhësore ndërkohe qe fjalori aktiv i njeriut te epokës nuk përmbante me shume se 1500 fjalë. Kishte një gjuhë jashtëzakonisht te gjallë dhe te pasur. Përdorte neologjizmat, lojërat e fjalëve dhe fjale me shumë kuptime.
Tragjeditë e William Shakespeare
Në tragjeditë e tij Shakespeare krijoi një galeri të pasur dhe të larmishme me karaktere e personazhe, komplekse, të gjalla, vepruese dhe bindëse për të gjitha shtresat e shoqërisë. Autori hyn thellë nën botën e tyre të brendshme, duke bërë analiza psikologjike të jashtëzakonshme të veprimeve, e të sjelljeve të tyre. Të gjitha këto ai i jep me një larmi të madhe mjetesh kompozicionale dhe stilistike, me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur, me rreth njëzetë mijë fjalë, plot me proverba e shprehje popullore. Një nga emblemat e tij ne tragjedi është “Romeo dhe Zhulieta”.
Për herë të parë në një tekst dramatik paraqiten personazhe plotësisht të individualizuara dhe të gjalla, në zhvillim shpirtëror fizik. Kjo është një dramë me një përmbajtje të theksuar lirike. Subjekti i veprës është shumë i thjeshtë dhe në qendër të tij vendoset dashuria e dy të rinjve, të cilët iu takojnë familjeve Kapulet e Montag që janë në hasmëri me njëra tjetrën. Për shkak të këtij dashuria e tyre pengohet dhe ndalohet. Por është dashuria forca kryesore lëvizëse e intrigës dhe pasioni kryesor që i ndërlidh ndjenjat. Skenat kur dialogojnë dy të dashuruarit janë shprehje të fuqishme dashurie, me pasazhe të mrekullueshme lirike, të cilat e bëjnë Romeon e Zhulietën të thuhet se është himni më i madh kushtuar dashurisë rinore. Vdekjen e tyre në fund të tragjedisë është një kambanë e zëshme kundër botës së mykur mesjetare dhe alarm për mbrojtjen e dashurisë, si forcë jetëdhënëse.
Kapërthimi i epërm i gjenialitetit
Në përputhje me ndryshimet e mëdha shoqërore në kapërcyell të shekujve, rreth vitit 1600, vjen një kthesë e madhe në krijimtarinë e William Shakespeare dhe ai kthehet të ashtuquajturave “drama problemore” Tragjedia e parë e kësaj periudhe, “Hamleti”, është shprehje e atmosferës së re intelektuale e shpirtërore të kohës, një lloj refleksi i dëshpërimit politik dhe i frikës nga e ardhmja e shtetit në prag të vdekjes së mbretëreshës Elisabetë.
Tragjedia “Makbethi” për shumëçka nuk është dramë e zakonshme, personazh kryesor është kriminel, ngjarja pothuaj e tëra ndodh natën, elementet mbinatyrore kanë një rol mjaft të madh, dhe është një tragjedi më e shkurtër e shkruar nga William Shakespeare. Tema e saj është fitorja e së keqes mbi njerëzimin, e shprehur përmes veprimesh të motivuara nga ethja për pushtet dhe nga frika. Makbethi dhe gruaja e tij me vetëdije zgjedhin të keqen dhe kryejnë aktin që drejton gjithë rrjedhën e mëtejme të jetës së tyre. Nga dëshira për t’u ngjitur në fron, vendosin ta vrasin mbretin e ligjshëm, Dunkan. Krimi e izolon shpirtërisht Makbethin nga rrethi i tij. Mbetet i braktisur, i vetmuar dhe gjithnjë ndjen shkretëtirën në shpirt. Ai ka vrarë, por jo në fushën e betejës. Subkoshienca e tij tronditet në themel dhe ai s’mund të jetë ai që ka qenë. “Makbethi vrau gjumin e pafajshëm” Kjo është fraza që dëgjon ai nga nënvetëdija dhe që e çon atë në çmenduri. Ndërsa Ledi Makbethi, mishërohet natyra e gruas egoiste, e pamëshirshme për pasuri e lavdi dhe për fronin mbretëror. Është ajo e para që e shtyn në krim të shoqin duke e bërë vegël e ambicies së vet të sëmurë. Fillimisht shfaqet tepër gjakftohtë, por deri kur? Njëlloj si i shoqi fillon të vuajë nga vegimet e krimit, që i shfaqen në formën e njollave të gjakut. Ideja e fuqishme e kësaj tragjedie është se etja për pushtet e shtyn njeriun në shterimin e çdo virtyti dhe vlere morale, për të cilën një ditë ai merr shpagimin e merituar.
Thanë për veprën e William Shakespeare
-Volteri flet për Shakespeare si për një “Perlë në plehra”, ndonëse është pikërisht zelli dhe kushtimi i tij që kjo vepër t’i mëkohet edhe francezëve.
-Zbulimi i William Shakespeare në kontinent ndikohet shumë në lindjen e romantizmit. Schlegel thotë për “Makbeth”-in se, “që prej “Oresti”-s së Eskilit nuk është krijuar një tragjedi më e madhe dhe më e tmerrshme se ajo e Shekspirit.
-Viktor Hygo është i afeksionuar aq sa nxit të birin që të përkthejë Shakespeare, të cilin ai e përkufizon: “William Shakespeare është vëlla me Danten. Njeri plotëson tjetrin. Dante mishëron të mbinatyrshmen kurse Shekspiri gjithçka që është e natyrshme.Gjithqysh në gjithëkohë, William Shakespeare, ky ishte, është dhe do përjetëjetojë gjithmonë si më e epërmja gjendje shëmbëllimi dhe përjetimi, frymëmarrja e densitetit të lartë dhe vërshimi i limfës në realen kohore të shpirtit njerëzor, të atij ngulmi që gjithnjë nget përku e çon brendi e tij, pushteti, pasioni.