Nga Albert Vataj
Samuel Beckett, njihet prej mbarë nesh si novelist, dramaturg dhe poet. Djaloshi irlandez i lindur në Dublin erdhi në letërsi ngadalë, pa poterë e trumbeta lajmëruese.
Samuel Beckett konsiderohet si një nga shkrimtarët më origjinalë dhe më kompleksë të shekullit të njëzetë. Në shfaqjet dhe rrëfimet e tij ai tregon ndjenjën e shkretimit dhe zbrazëtisë që përshkon botën, e zbatuar përmes përdorimit të dialogjeve të përbërë nga fjalë të thjeshta dhe të zakonshme të përditshme për të theksuar kufijtë e komunikimit tonë, i cili, me gjithë përpjekjet, nuk arrin të formulojë plotësisht mendimet. Në produksionin e tij teatror, gjuha lidhet drejtpërdrejt me veprimin dhe mimika dhe heshtja luajnë rolin kryesor pikërisht për të nënvizuar rëndësinë e të pathënës dhe gënjeshtrës së komunikimit njerëzor.
Ai i shkruan veprat e tij në anglisht dhe frëngjisht dhe kjo e detyron atë në një stil rigoroz në zgjedhjen e fjalëve dhe frazave, megjithëse arrin ta reduktojë gjuhën në thelbësore duke ngjeshur mendimet dhe shprehjet dhe duke hequr gjithçka që duhet konsideruar e tepërt. Mënyra e tij e të shprehurit ndonjëherë mund të duket e fshehtë, por ajo lind nga nevoja e tij për të shprehur në mënyrë simbolike kotësinë dhe pakuptimësinë e ekzistencës njerëzore.
Samuel Beckett u ngjit duke sprovuar pa panikun e të pamundurës. Asgjë rastësore nuk vjen me të. Ai përgatitet për të gjitha dhe gjithçka që reflekton protagonismin e tij, është veçse vetja e një Sizifi që ngjitet. Teatri është Olimpi i këtij Zeusi që fal plotpushtetin por nuk i heq nga dora ushtat e zjarrit. Teatri, ai manifestim që përpëlitej në terrin dhe heshtjen, asgjësë dhe mykut të përtej siparit të së shkuarës dhe domosdosë së një shekulli ngulmëtar, kërkonte një zë, një zemëratë, një ëndërr gjërash të thyera që paralajmëronin ribërjen e botës.
Ai, Samuel Beckett ishte i zgjedhuri. Vinte për ta kthyer teatrin në një skenë ngjarjesh të mëdha, kumtimesh të epërme dhe transformimesh estetike.
***
Messhekulli XX tenton të ringrejë diçkanë në teatër si nga hiri Feniksin mitik. Vendosje elegante, kostume madhështore, intriga të spërdredhura dhe mbarime të lumtura, janë hope filluese. Ardhje që kërkonin të ngrinin të tjera ura komunikimi me një njeri që ndryshonte më shpejt koha, me një botëkuptim që kërkonte të ngrihej mbi gërmadhat e së shkuarës. Vetëdija konfuze e një individi që kërkonte shumëçka pa qenë në gjendje të vizualizonte se çfarë, më shumë se një rebus që kërkon zgjidhje ishte një dhimbjë që kërkon mbivendosjen e një tjetër dhimbje, për ta ndarë ngadalë nga terrori i padurimit të torturës së ferrit që kishte gatuar vetë. Samuel Beckett, ndoshta kishte diçka për të thënë, për të bërë, jo dhe aq për ta çkoduar këtë enigmë, se sa për të ç’burgosur këtë gjendje shpirtërore nga boshi, për t’i kthyer thelbësoren këtij njeriu përmes teatrit.
Ai na qaset me gjëra krejt të tjera, të ngjashme me gjendjen e zhveshur të një peme të vetme, pushtuar nga dy endacakë të rreckosur, që prisnin për dikë që nuk do të vinte kurrë.
Në këtë kohë boshe dhe me këto shpirtra të telendisur, shkrimtari na ofroi ne shëndetin e brutalitetit, dhembshurisë, shpresës dhe dëshpërimit, të gjitha në të njëjtën kohë.
Nga erdhi ky njeri, ky njeri, i cili ishte aq i përqendruar në më të keqen tonë dhe që nuk mund të na ndihmonte ne… për të zbuluar më të mirën. Por ai u përpoq, i bindur se njeriut që kishte marrë arratinë nga vetja, do ti lejohej të rivinte, pa pendim a shpagë.
E hapi derën e atij vendi, që dukej qartë si një dhomë e murrëtyer dhe na ftoi të futeshim brenda. Ngadalë… sytë tanë u mësuan me errësirën, dhe mundëm pak nga pak që t’i shikonim gjërat shumë më qartë.
***
Te teatri bashkëkohor i Samuel Beckett, dikush mund të shikojë se si ai zhvishet nga grackat konvencionale të trillimit artistik, duke u përpjekur tashmë që të zbresë deri te thelbësoren e gjërave. Dhe vërtetë ai e përlan me fushëpamje të gjithën këtë proces krijimi, këtë identitet që rreket të kërkojë të tashmen e vet.
Ndër krejt tekstshkruesit e plotkuptimtë modernë, Samuel Beckett, e veçon veten në një këndshikim të ndryshët të botës, reales, racionales, të kuptueshmes. Qëllimisht ai më bëhet se vendos të qëndrojë nga na e errët, nga ajo pjesë e reales së gjërave dhe gjëndjeve ku pahet fare me dritën, ose e ka refuzuar përgjithmonë këtë thërmi të gjallimit zjarmues.
***
Samuel Becket u lind më 13 prill 1906. Ai njihet si novelist, dramaturg dhe poet, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1969, personazh që mban mbi vete ndikesën e fuqishme të një shekulli dhe barrën e rëndë të “teatrit absurd”. I fundmi modernist, i ethshmi tragjikomik, gjithëpoaq një themel i kështjellës së shëmbëllimit të vlerave të tetarit si altar predikimesh.
Vizionet e tij të ngrysura në lidhje me qenien dhe me ekzistencën njerëzore në themel të konceptimit, nxitojnë t’i hedhin mbi supe mantelin e një nihilisti. Sipas tij, fati i njeriut në të tashmen e përgjithmonshme është përgjithësisht i erret, ngase në çdo kapërcyell, në çdo kthinë, në çdo qoshkë e skutë, e përgjon sëmundja, mjerimi, vdekja. Në një njëfarë mënyre, kësaj krijese fatkeqe një Amok i vihet nga pas këmba-këmbës, nga djepi në varr duke mos e lënë për asnjë çast të qetë. Së këndejmi rrekemi të dëshifrojmë tek ai botekuptimin e një pesimisti të pandreqshëm, një lloj predikimi të Zarathustrës si Zot.
Situatat e ngjeshura dramatike në kumtin krijues të Samuel Beckett ngulmojnë të shpërfaqin vetëm episode të ngrysura, shterrur prej gjithëpamjes, të jetës. Vetmia, dobësia, degradimi, humbja e dinjitetit, janë kudhrat ku ai farkëton personazhin e tij absurd, me kast nevojën e tharmit të një mbinjeriu, për të cilin flet Niçe. Humori sarkastik që shoqëron skenat, situatat, gjestet dhe personazhet, e bën më klithës këtë pesimizëm që ngërthen skajet ku tendoset njeriu që ai njeh, njeriu që ai ka takuar, vetvetja që ai rreket ta predikojë si një mundësi për ta çliruar njeriun bashkëkohor nga plogështia, boshi dhe shterrimi.
Beckett duket qartë se është i apasionuar pas shpirtit spartan dhe nuk toleron kundrejt asgjëje që personazhet e tij të vijnë si një forcë që zhvendos atë që rrezikon vërtetë të tashmen duke nxjerrë në dritë një krijesë të gatshme për tu ndeshur. Forca përshkruese dhe thellësia depërtuese e brendisë dhe shpirtit të personazheve të tij e bëjnë Beckettin një ndër penat me të fuqishme të letërsisë moderne.
Ndoshta jo aq i pazakontë se sa i vetvetishëm, Beckett i rrethvjen nevojës së njeriut bashkëkohor të njihet me një pjesë të vetes së tij, të cilën ndonse e ka të vështirë ta pranojë, ai gjithqysh jeton me të. Sipas këtij deshifrimi të absurdit Beckettian, ky njeri duke e pranuar këtë vetvete, nuk ka pse druhet ta njohë, ta shikojë në sy, të flasë për të dhe të ndeshet me të, si me një sëmundje të cilën mund ta luftosh pasi e ke denoncuar, jo duke e fshehur, duke e strukur pas alogjizmit trashanik: se kur diçka e largojmë nga sytë e botës, ajo nuk ekziston. Harrojmë se rrugën për tek mjeku na e tregon gjithnjë sëmundja dhe shërimin na e predikon ndeshja dhëmb për dhëmb dhe jo përpjekja për të fshehur veten pas gishtit.
***
Kësosoj Samule Beckett e vendos veten në rendin e penave më të veçanta, më origjinalë dhe më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.
Ai nuk ishte ekzistencialist si filozofi francez Jean-Paul Sartre.
Puna e tij ngjasonte në disa drejtime me atë të James Joyce, mësuesit të tij të parë, kryesisht në përdorimin e gjuhës.
Me Franc Kafkën ngjasonte në trajtimin e disa situatave herë-herë duke përcjellë frikë e terror.
Me Fjodor Dostojevskin, në nxjerrjen në pah të shpirtit njerëzor, të përjetimeve dhe vështirësive me të cilat ndeshet njeriu në jetë.
Me Dante Aligerin tek kryevepra botërore “Komedia Hyjnore” atë e pikëtakon frymëzimi.
Nëpërmjet romanit “Duke pritur Godonë” e cila është edhe vepra e tij më e suksesshme ai përcjell tek lexuesi shpirtin dramatik ku e konsideron veten një romancier të mirfilltë. “Duke pritur Godon” u shkrua në 5 Janar të vitit 1953 në Paris . Është konsideruar për shumë kohë si “best seller”. Krijimtaria letrare e Samuel Beckettit shpesh herë është përdorur edhe në teatër ku regjisorë me famë botërore kanë ngjitur vepra të ndryshme në skenë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe kanë patur shumë sukses. Duke bërë një shëtitje “virtuale” përmes Irlandës, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë ai shkroi poema dhe histori nga më të ndryshmet duke treguar përjetime dhe situata nga më interesantet të cilat i skaliti me mjeshtëri në rrjeshtat që kanë mbushur librat e botuara prej penës së tij.
Ky është Samuel Beckett, predikuesi i absurdit si formë çlirimi e njeriut nga plogështia dhe boshi, sëmundje këto me të cilat e molepsi modernizmi.
Albert Vataj