Nga Alberet Vataj
“… Një gotë e mirë e një të bardhe aromatike nga lugina e lumit Ren, nuk është aspak e kotë… Të zgjon shumë më tepër se ç’do verë tjetër me tepër gaz e që mund të provokojë shpërthime të papritura dhe të gëzuara të shpirtit. Ia del të të pasurojë fantazinë me imazhe të gëzueshme që ndezin zemrën, pa lodhur mendjen e rënduar stomakun.
Por përtej kësaj, në takimet dashurore të gjithë stimuluesit e këtij lloji kërkojnë një përdorim shumë të vëmendshëm. Poetët, të diturit dhe baballarët e Kishës e lavdërojnë verën si një aleat të dashnorëve. Në fakt, mund të thuhet se ajo shkrin mbrojtjen, ndihmon çlirimin e pasioneve, largon turpet, “ngroh” ata që janë të ftohtë nga natyra. Më shumë se kaq, vera nuk mund të bëjë.
Por, në duart e mjeshtrit, kaq do të mjaftonte.
Sipas rastit, efekti i saj mund të jete më pak i ndjeshëm e ndoshta jo pozitiv. Them këtë sepse në fund të fundit, efikase është vetëm çka arrin qëllimin. Të stimulosh epshin nuk është afrodisiake, është të torturohesh. E pirë në mënyrë jo të shëndetshme, vera shton dëshirën, por frustron përmbushjen. Jep kurajo, por kjo lloj kurajoje nuk shkon për fushëbetejën e Erosit. Avujt e alkoolit dhe kapadaillëku si tepërt shpesh sjellin “sëkëlldi” e ndonjëherë vënë në rrezik kontrollin e mirë të situatës, nga ana e fillestarëve. E nëse dashnori nuk është fillestar, tjetri rrezikon përçmimin, hatërmbetjen, apo të bërit qesharak.
Vera është një afrodiziak i pasigurtë, avujt e së cilës kanë bërë të vyshken mjaft çiftëzime.
Ji esëll: bëj të pijë të dashurën, kontrollo fjalët e gjestet se përndryshe do të të mohohej parajsa e do të shtyheshe drejt humbjes së shpirtit, nga ku do të lëshoje britma majmuni, do të flije si një kufomë, apo do të nxirrje, si ndonjë bishë, gjithë çka barku. E gjithë kjo do të shkatërronte e çnderonte gjithë ceremoninë… edhe nëse do të arrije lumërinë.
Vera për më tepër, “sakrilegj i mjerë”, mjegullon pjesëmarrjen mendore në ritual dhe zhvesh konsumimin nga “çelja”, e cila nëse do të arrihej me ndihmën e verës, do t’ju përplaste përdhe gjysmë të vdekur, do t’ju plagoste burrërinë me një paralizë qesharake që mund të shpjerë në impotencën e një të sapolinduri…”
Pilaff Bey