Nga Albert Vataj
Vdekatar është ai trup, ajo pemë; të cilës…
… në pranverë, bashkë me gjethet t’i bulojnë edhe foleza zogjsh;
… në verë njiherash me pëshpërimën e gjetheve dhe frushumllimës së erës, të dëgjojë edhe cicërima;
… në vjeshtë, me arratisjen e gjelbërimit dhe këputjen e gjetheve, të mëkojë me pikëllimin që cyt stina, shtegtimin e zogjve.
Ai kurm prej gjaku dhe ndjenjash është një grumbull hekakeq mishi dhe kockash që hiqet zvarrë, nëse brenda tij është këputur kjo pemë, i janë vrarë stinët, i është mohuar kryemotivi i vetë jetës, dashuria.
Ai diell që shkëlqen në kupën e blusë së qiellit,
… në mijëra rreze shndërron dritën që ndrin gjithçka syri kërkon të shohë,
… në dhjetëra tonalitete ngjyrash e hijeshon panoramën që rrok ëndja e dëshirimit,
… në pafundësia aromash duhmon ajri që deh, fryma që shpuplon pendët e krahëve të engjëllit që ke nxënë e të hedhin nëpër fluturime dalldishë që masin kahjet e lirisë së qiellit.
Pa ëndrrën e dashurisë që pikon si rreze, nata të makthshme do ta dengin në trazim atë shpirt që vuan dhe kurm që dhëmb.
Pa shpërthimin e asaj ofshame që të shpërbën në mijëra pasqyra ku shihesh me mrekullitë e botëve, ajo vete brenda së cilës je derdhur ka marrë trajtën e shëmtuar të asgjësë.
Pa maskë vendos të jetosh, por jo pa atë dhimbje që të bën kaq të lumtur.
Dashuro!