Nga Albert Vataj
Njerzimi ka shpërfaqur përmes shkrëpëtimave të serta të natëve të përtëritjes shumë personazhe, por rasti Casanova është një vegim që rreket të manifestojë në gjithçka të tijën atë çka ishte asokohja. Hulumtues dhe biografë që janë ngasur nga kjo dukuri, rreken ta paraqesin atë si një prej burimeve më të njimendta të zakoneve dhe normave të jetës shoqërore europiane gjatë shekullit të 18-të. Ndoshta atij i ra shorti të ishte shembëllimi i një ere, një kapërcyelli, dhe tek ai mirërri çmosgjë që sinjifikon kohën që u ngjiz prej këtij tharmi.
“Shpesh më kanë akuzuar pse e fsheh veten pas një veli, por në të vërtetë është e kundërta. Unë fsheh botën. Kam vënë një perde përballë saj. Përmes atij veli të dantelltë dhe të mëndafshtë, çdo gjë duket më miqësore, aq e ngrohtë, aq joshëse, aq e ëndshme, për çdo ngulmëtar të një jete me ngjyra dhe dritë, të një krijese prej mishi dhe gjaku që kupton se epshi është i vemi diell që ngroh këtë kurm që rreket të sfidojë jetën e acartë… Veli pati edhe një efekt tjetër të rëndësishëm, te klientela. Burrave iu pëlqen të hamendësojnë. Ata do të preferonin më mirë të kërkonin sesa të ishin të sigurt. Çdo grua mund të ta thotë se ia ushqen më shumë zjarrminë të dashurit duke i treguar konturin e thimthit të gjoksit poshtë një cope të tendosur, sesa t’ia nxjerrësh menjëherë të gjithin”. Janë këto fjalët që në rrëfimtarinë e tij Casanova i vë në gojë të një far Galathi de Pompinjak, një prostitutë klasi në Amstërdam.
E ç’nuk ishte, Giacomo Giralomo Casanova. Me gjithçfarë e memorizoi emrin e tij në kujtesën e kohës. Ai ishte filozof, prift, ushtarak, spiun, kumarxhi, diplomat, bibliotekar, shkrimtar, udhëtar, aventurier, por gjeneratat dhe vetë historia do ta mbajnë mend si dashnori emblematik, si kremtimin e pashoq të një mashkulli që do të flijonte 40 vite të jetës së tij në krevatet e epsheve.
“Dashuria është një ndjenjë që nuk mund të shpjegohet! Është Zoti i të gjithë natyrës! Është një ndjenjë e hidhur dhe e ëmbël njëkohësisht! Dashuria! Një përbindësh i bukur që është e pamundur ta kuptojmë! Zot, që në mes të gjithë gjembave që na shpojnë e na shkaktojnë dhembje, ti shtron kaq shumë trëndafila në rrugën ku ecim, dhe pa të cilën ekzistenca dhe vdekja nuk do të kishin më dallime e do të ishin një!” do të thoshte ai, dashnori legjendar dhe pasionanti frelëshuar.
Ndërmendje në përvjetorin e lindjes
Giacomo Casanova, personazhi më i pazakontë dhe gjeniu më autentik u lind më 2 prill 1725 në Venedik. Casanova ishte aq i njohur për aventura dashurie sa emri i tij edhe atëditë e sot është sinonim i “feministit”. Fatmirësisht është kjo duhmë djerse ku lëshoi ai dëshirimet dhe kjo ninull ofshamësh që ka zhvendosur atë nga panteoni i letërsisë, po pa mundur ta zbresin që andej. Më i pamëshirshmi ka qenë Stefan Cvajg, ndaj të cilit diti të lëshojë rrufetë e anatemës.
Megjithatë, “Historia e jetës sime”, një portretizim që Casanova i ka bërë vetes. Aty në të rrëfen me sinqeritetin që e fisnikëron më shumë se aventurat e tij, të cilat i’u vunë nga pas përgjatë gjithë udhëtimit nëpër Evropë ku fati e përkëdheli me mundësinë e njohjes dhe takimit me shkrimtarët më të mëdhenj të kohës së tij duke përfshirë Volterin dhe Rusoin, por edhe Mozartin, kompozitorin e famshëm si dhe krerët e lartë politikë siç ishte Frederiku II i Prusisë dhe Katerina II e Rusisë. Shthurjet e tij në shtratin e 122 gra kalon flakëruese, dehëse, marrosëse, tashmë prej duarve të lëveshkuara të një shpirti që ende e ushqen me iluzione shkëlqimtare.
Në penën e pamëshurshme të Cvajg
Dashnori legjendar dhe pasionanti frelëshuar krevator, mikluesi i damave dhe eksploratori i botës toksore dhe jargavitëse, tejkalon veten për tu mbushur kur ai po shpërbëhej, duke iu dhënë tekstshkrimit, krijimtarisë, pikërisht atëherë kur bota, krevatet me purteka bardhoshe, të cilave iu dha me mish e me shpirt, e kishte flakur. Casanova në letërsinë botërore përbën një përjashtim. Thjeshtë një çështje fati, e papërshkruar. Bëri që sharlatani i famshëm të ndodhej në Panteonin e Shpirtit Krijues, aq i pajustifikuar sa edhe Pons Pilati para fesë, do të kumtonte Stefan Cvajg. Mund të vësh në dyshim të qënurit e tij fisnik, po aq sa dhe titullin tjetër të Kalorsit të Seingalit, të krijuar në një mënyrë fort të pafytyrë, nga disa shkronja alfabeti të mbledhura aty këtu. Ato pak vjersha të improvizuara me ngut, diku midis tryezës së lojës dhe shtratit, për nder të ndonjë zonjëze, kundërmojnë erë myku dhe zamke akademike. Madje për të shkuar deri në fund “Iskameronit të tij” këshillohet një uri qengji nën një lëkurë të regjur gomari. Kur i shtrenjti ynë Giacomo Casanova nis të filozofojë, rekomandohet të shtrëngoni mirë nofullat se mund t’ju ndrydhen nga hapja e shpeshtë e gojës.
Duke vazhduar Cvajg, në jetëshkrimin për të kumton se Casanova nuk i përket aspak fisnikërisë poetike, pavarësisht se nuk e ndal veten para mburrjes së poetit, ashtu siç nuk ka të bëjë fare as me Almanakune Gëtes. Edhe këtu ai është një parazit, i future pa pozitë dhe pa të drejtë. Por ama, megjithëse e di mirë se është një bir bushtre, një prift mëkatar, një ushtar i përbuzur, një lojtar me famën e baronit dhe një “batakçi me emër”. Ky lojtar i përjetshëm nuk e njeh përgjegjësinë e papërshkrueshme të një artisti të vërtetë, atë punë të mundimshme dhe titanike, vetmitare dhe të panjohur prej lexuesi, që kryhet shumë e shumë lega nën botën e ëmbël të ndjenjave, larg, shumë larg bashtinave ku shakadahen në dimensione e perversit, jargavitjes dhe dalldisë, në minierën ngadhënjimtare të përkushtimit apokaliptik.
Ai nuk e njeh kurrqysh gëzimin plot angakth të të projektuarit dhe brengën e të krjuarit, të shkrira në njësh me të, brendi dhe sipërfaqe, ëndrra dhe botë rrethanore, që aq fort i ngjajnë asaj etje të përjetshme. Ai nuk e njeh as nevojën e ndjeshme të formave për një mishërim tokësor dhe të ideve për të ndjekur tallazet e ftohta qiellore. Ai, Casanova, nuk i njeh netët pa gjumë, as ditët e hargjuara në punën krijuese plot përkushtim dhe shqetësim, për t’u dhënë formë fjalëve, në mënyrë që nëpërmjet thjerzës së të shprehurit, kuptimit, të shfaq qartë dhe plot ngjyra. Kësisoj nuk e njeh përjetimin përshkrues dhe depërtues të poetit. Ky është pra Casanova, dashnori legjendar, eposi i një mashkulli që zhgrrythet në shtretër e flirte si një derr në llucë, gjithnjë me të njëjtin pasion çmendurie, fal gjithnjë dhe gjithsecilës femër që i jepet të njëjtën përbetim të pafytyrë dashurie, petalet e të cilit bien ende pa u ngritur nga krevati, për tu hedhur në tjetër masë mishi të fshehur pas salltaneteve mondane të grave të kohës, grave që shkruan përjetësinë e tij. Ky është pra ai megaloman sharlatan, që ka bërë të pamundurën për ti ikur përndjekjes së vështirësive të jetës, ai që deri sa mbylli sytë nuk gjeti motiv për të sakrifikuar për një kauz asnjë thërrime lumturi, asnjë grim qejf, asnjë orë gjumë, asnjë minutë ëndjeve të tij kumtuese. Vetëm atëherë kur ta kenë shporrur si një qen e ta kenë përqeshur femrat, kur të ndjehet në vete lypsar i vetmuar dhe pafuqishëm, një hije e së shkuarës, e asaj jete të mbushur përplot me kotësia dhe net dalldie, kur ta shohë veten plak dhe llafazan, ai do të harrohet në punë, sikur kjo të jetë rrangallë e jetës, për të cilën e ka marrë malli, dhe për të cilën ai është i denjë. Prej mërzitjes dhe bezdisë, i torturuar si në ferr nga gjendja e rëndë shpirtërore si një gërdadhë plehrash pa dhëmbë, bëhet gati duke hunguritur dhe grindur ti tregojë vetes 70-vjeçare atë çka ai kishte jetuar. Kështu ai nis dhe rrëfen jetën e tij, pikërisht atë të vetmen gjë që ka patur dhe do të lërë trashëgim.
Nëse je aq e fortë sa të përballosh atë që quhet paragjykim, me një fjalë, nëse je e gatshme që të bësh gjithçka për të siguruar një pozitë të mirë, bëj shumë kujdes që të mos gabosh. Mos u beso fjalëve të bukura që do të të thonë burrat e dashuruar për të bërë të tyren, se sapo të të shtien në dorë zjarri i tyre do të ftohet dhe do të kuptosh se të kanë mashtruar, këshillon ai, Casanova, mjeshtri i mashtruesve, shenjtori i zemrave të brengosura e trupave të velur nga pranverat e shterruara. Megjithëse një grua, në jetën e një aventurieri, si Casanova, nuk duhet të ishte më shumë se një numër në historitë e shpenguara të pasionit te ketij perbindeshi oreksesh epshi.
Lindja dhe perëndimi e mitit
Asokohe ishte periudha e humanizmit evropian si dhe periudha e ngjizjes së ngjarjeve të mëdha, siç ishte Revolucioni Borgjez Francez, në të cilën edhe Giacomo Giralomo Casanova me rrethin e tij, si një frimason i lozhave të Lionit dhe si një rosikrucian, kishte dhënë padyshim kontributin e vet, së bashku me njerëzit e shquar të letrave dhe miqtë e tij frimasonë si B. Franklin, alkimistë e shkrimtarë të shquar si Count de Saint, Germain, Volterin, d’Alembertin dhe Jean Jacque Rousseau.
Casanova ka qenë gjithashtu mik me Gëten dhe Mozartin. Ai ka takuar Xhorxhin III të Anglisë, Luigjin XV, Frederikun e Madh të Prusisë, Katerinën e Madhe të Rusisë, Papa Klementin XIII si dhe ishte anëtar i Urdhrit Papal “Èperon d’or”. Gjatë Luftës 7-vjeçare kundër Prusisë, Casanova përfitoi shuma të mëdha financiare nga disa veprime me tregun e Bursës në Amsterdam, e si pasojë hapi një fabrikë tekstili.
Femrat që punonin në këtë fabrikë tekstili ishin si një harem për Casanovan, deri sa ai falimentoi dhe u shkatërrua nga borxhet. Vitet e fundit të jetës, Casanova i kaloi në Bohemi (Çeki) si një bibliotekar në shtëpinë Ëaldstein, ku ndërroi edhe jetë më 1798 në moshën 73 vjeçare, një vit pasi ishte prishur Republika e Venecies nga Napoleoni. Pikërisht, për shkak të mërzisë në tre vitet e fundit në Bohemi, Casanova filloi të shkruante “Kujtimet”, këtë margaritar të rrallë në periudhën e humanizmit.
Ky ishte Casanova. Historia e jashtëzakonshme e jetës së një prej figurave më të përfolura të historisë së Evropës së shek. XVIII. “Jetova si një filozof dhe po vdes si një i krishterë”, këto ishin fjalët që shqiptoi në shtratin e vdekjes.
As pendimi, as dhimbjet që e përcëlluan me zjarr verri në ditët e mbrame, as përgjërimet jargavitëse, as vullnesa për të bërë fli yllin e vet të famës, nuk e mëshiruan shenjtorin heretik të kultit të mishit dhe epshit në ditët kur ai e gjeti veten si i dëbuar. Vdekja po i vinte si një kapak i florinjtë për mjeshtrin e poshtërsisë, për kusarin e paskrupullt të nënfustaneve, për mendjen djallëzore të një predikuesi.