Nga Albert Vataj
Në verën e vitit 1921, një angleze e moshuar udhëtoi drejt Shqipërisë. Më shumë se një vizitë turistike standarde, ishte si një pritje mbretërore. “Në mbrëmje, një varg njerëzish me drita dhe duke kënduar erdhi për nderime. Rruga ishte e mbushur me njerëz të varfër e mirënjohës, që brohorisnin,” shkruan ajo. “Mbeta si e shushatur. Dola në ballkon, por isha shumë e emocionuar për t’u përgjigjur siç duhet. I falenderova me aq sa munda”. Por kush ishte kjo vizitore e pazakontë dhe përse nderohej kaq shumë?
Në fakt, ajo ishte Edith Durham, vajza e një kirurgu në Londër, një grua që kishte vendosur në moshë të mesme të bëhej eksploratore, etnologe, bamirëse, reportere lufte dhe të bënte fushatë në favor të lirisë për shqiptarët. Arsyeja se përse kaq shumë shqiptarë kishin ardhur për ta nderuar, ishte e thjeshtë. Ajo, më shumë se çdo i huaj tjetër ndoshta, kishte ndihmuar që shteti i tyre i ri të vendosej në hartë.
Durham nuk e solli pavarësinë e Shqipërisë- shqiptarët e bënë këtë. Ajo as nuk ishte e pranishme kur flamuri kuq e zi i Skënderbeut u ngrit në Vlorë.
Por, të shpallësh pavarësinë është një gjë, ta mbash është diçka tjetër. Vendet nuk mund të jenë të pavarura në rast se fuqitë e mëdha nuk e duan këtë, dhe kryqëzata e Durham në Britani ndihmoi shumë çështjen e shtetit shqiptar, në atë që në atë kohë ishte një prej vendeve më të rëndësishme në botë. Durham mbërriti në Ballkan në vitin 1900, kur ishte në fund të të tridhjetave. E mahnitur nga ajo që gjeti, ajo mbeti aty derisa shpërthimi i luftës në vitin 1914 e detyroi që të kthehen në një Britani që mezi e njohu. Vendi i shqiptarëve, thellë në Perandorinë Otomane, ishte thuajse i panjohur për botën anglishtfolëse.
Vetëm poeti Bajron dhe piktori Eduard Lir, si dhe një grusht britanikësh, kishin udhëtuar aty. Shumë më pak kishin eksploruar malet në veri, rreth Shkodrës, të cilat u bënë si shtëpi e dytë për Durham. Durham po rrezikonte në një tokë të panjohur, por shqiptarët e pritën si një princeshë, duke treguar dashuri reciproke, që zgjati deri në vdekjen e Durham në Londër në vitin 1944. Ndërsa intrigohej nga ideja që kishte zbuluar një vend që koha e kishte harruar, prapambetja e Shqipërisë e trondiste.
Një udhëtim i gjerë në Serbinë e asaj kohe e kishte befasuar. Hekurudhat e reja, dritat elektrike, shkollat dhe kazermat e kishin frikësuar se çfarë do të ndodhte më Shqipërinë kur të binte Perandoria Osmane. Krahasuar me Serbinë, shkruante ajo, Shqipëria ishte një rrënojë e parrugë.
Durham nisi betejën për të kundërshtuar atë që mendonte opinioni publik në Britani për Ballkanin, ku ishte formësuar një narrativë e krishterë gjithmonë e më agresive. Shkrimtarët britanikë flisnin për të krishterë të shtypur në Ballkanin dhe shpesh i shpërfillnin shqiptarët si viktima të otomanëve dhe madje si të pafe. Në përgjigje të tyre, Durham i bombardoi gazetat britanike me letra dhe artikuj, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë popujt e Ballkanit, jo vetëm për të krishterët. Ajo hartonte gjithashtu materiale me vëzhgime për traditat dhe kulturën e Shqipërisë veriore. Ajo loboi pranë mbretit të Malit të Zi, me të cilin zu miqësi dhe në emër të tij arriti në Ekspozitën e Vendeve Ballkanike në Londër në vitin 1907.
Në të njëjtën kohë, ajo kultivoi marrëdhënia të mira me një grusht politikanësh britanikë me ndikim si deputeti Aubrey Herbert dhe gazetari radikal Henry Nevinson, dhe ata lobuan pranë Sekretarit të Jashtëm britanik, Lord Grey. Në vitin 1912 dhe 1913, fuqitë e krishtera në Ballkan sulmuan otomanët me idenë e ndarjes së Ballkanit mes tyre. Frika më e madhe e Durham u bë realitet kur u bë e qartë se Shqipëria do merrte “lirinë” brenda disa kufijve të kufizuar. Fuqitë e Mëdha i mohuan Shkodrën, Malit të Zi, por ky ishte një lëshim i rrallë me parimin e vetëvendosjes. Durham u ndje keq sidomos nga humbja e Gjakovës dhe Dibrës. Ishte etnikisht dhe historikisht e pambrojtshme dhe katastrofike për perspektivën ekonomike të shtetit të ri, thoshte ajo. Durham i kishte rënë kryq e tërthor disa herë Kosovës dhe ndërsa kishte simpati për pakicën serbe aty, ajo mendonte se kjo tokë ishte pothuajse tërësisht shqiptare.
Pretendimet serbe për Kosovën, shkruante ajo, i ngjajnë një ëndrre të një nate më parë. “Rreth nesh në mes të ditës ishte popullata shqiptare”. Në jug, ku grekët po forconin rrethimin, Durham mundi të bënte më shumë. Ajo dhe Nevinson u dërguan telegrame Fuqive të Mëdha gjatë takimeve në Londër mbi Shqipërinë, duke i informuar se Korça nuk ka qenë dhe kurrë nuk do jetë greke. Si rezultat, ata i shtynë kufitë shqiptarë në jug. Të dy e shpëtuan Korçën, siç shkruante ajo shkurtimisht më vonë.
Durham bëri më shumë se të shkruante dhe të lobonte. Në vitin 1913, ndërkohë që refugjatët nga Gostivari, Dibra dhe të tjera qytete vërshuan në Shqipërinë e re dhe të cunguar, Durham ngriti një operacion ndihme, që shpëtoi mijëra jetë. Disa prej atyre ndoshta ishin në mesin e turmës në Tiranë, duke brohoritur kur ajo vizitoi këtë vend në vitin 1921.
Ajo vetë megjithatë ishte e pangushëllueshme. Vite më parë, e ulur në kishën e Shën Naumit në brigjet e Ohrit, ajo kishte ëndërruar që të rregullonte kufijtë në Ballkan. “Do mbetem besnike e shqiptarëve dhe kur të vijë finalja e madhe, do i mbështes ata,” shkruante ajo.
Durham ndjeu se kishte dështuar dhe se jeta e saj kishte qenë e pavlerë. Ndjehej e mjeruar pas pritjes në Tiranë, sa kopjoi një pjesë nga një poemë melankolike e Cristina Rossetti: “Gënjeshtrat, sërish gënjeshtrat ma thyejnë zemrën. Zemra ime e heshtur është thyer”. Por Durham nuk po tregohej e drejtë me veten. Në fakt, ajo kishte bërë diçka të mirë dhe shqiptarët duhet ta kujtojnë atë.
Marcus Tanner
***
Miss Edith Durham lindi në Hanover Square të Londrës (Angli) më 15 nëntor të vitit 1863. Ishte vajza më e madhe ndër tetë fëmijët. Bijë e kirurgut të mirënjohur, Arthur Edward Durham dhe mbesa e pedagogut të shquar, William Ellis. Kështuqë, Edithi lind në një familje intelektualësh në zë. Ajo shkruante në kujtimet e saj si dhe pse e kishin quajtur Edith, emër që kishte marr nga heroina e një romani romantik, mjaft të suksesshëm në ato vite. I ati, Arthur Durham, kishte paguar për edukimin mjekësor të vetin dhe njëkohësisht edhe për të vëllanë, duke shkruar natën artikujt për revistën e përjavshme të Charls Diskenit. Edith Durham shkruante gjithashtu në ditarin e saj “ndërsa ai rridhte nga një familje tepër konservatore, kurse në familjen e nënës sime ishin reformatorë dhe rebelë”. Gjyshi i Edithit, ishte pedagog përparimtar dhe mësues i fëmijëve “Viktoria”. Ndikoi fuqimisht në intelektin dhe aspiratat e mbesës së tij. Ai ishte reformator social i vendosur. Kur Edithi ishte akoma vajzë e re, ai e merrte rregullisht për shëtitje në parkun e bukur, që ndodhej pranë shtëpisë dhe me të ndante filozofinë e tij për jetën. Edithi lindi në një kohë kur ishte akoma e pamundur të gëzoje avantazhet e studimeve universitare për gra, mundësi që patën rastin të gëzojnë motrat e sat më të reja në moshë. Ajo vetë u arsimuar në shkollat e Akademisë Mbretërore. Pra, me 1870, siç thamë ndjek studimet në Londër. Më 1880-1883, Edithin e gjejmë studente në Bedford College. Paraqet punimet e saj në ekspozitat verore të Akademisë Mbretërore në Londër. Më 1896, Edithit i vdes i ati. Tani asaj i duhet të marrë mbi shpatulla kujdesin për nënën e saj të sëmurë (invalide) “Mater”. Por asaj mbas vdekjes së të atit iu desh të merrte përsipër gjithë kujdesin për familjen e saj. Veprat e saj artistike të hershme përfshijnë disa ilustrime tërheqëse të disa specieve, që u përdoren mbi zvarranikët të historisë së natyrës së Kembrixhit më 1901. Ajo atëherë ishte rreth njëzetë vjeçe, kur i ra edhe barra e rëndë e kujdestarisë së familjes. Miss Edith Durham, në moshën tridhjeteshtatë vjeçare dhe ende e pamartuar, shkroi “e ardhmja shtrihej para meje si vite të pafund monotonie ngjyrë gri”. Mjeku i saj duke e parë depresionin që e kishte pllakosur, nguli këmbë për një “ndryshim të plotë”, dy muaj për çdo vit. E armatosur me fletoren e saj të skicave,
Miss Edith Durham mori një udhëtim me avulloren Austrian Lloyd përgjatë bregdetit Dalmat, “duke përshkruar labirinthet ujore midis ishujve të vegjël të atij deti pakrahasueshmërisht të kaltër dhe vezullues, fillova të ndjeja se në fund të fundit, jeta mund t ia vlente ta jetoj…”. E magjepsur prej bukurive të peizazhit, ajo ndërmori disa ekskursione të guximshme në Mal të Zi, së bashku me motrën e saj Nellie. Meqenëse kishte parë disa shqiptarë “të veshur mahnitshëm”, ajo mori pastaj rrugën drejt Shkodrës, qytetit të tyre. “Në doganën e Hanit të Hotit, më thanë se nuk kisha nevojë për pasaportë, se ishte gëzim i madh për Shkodrën, që unë ndieja se mund të shkoja atje vetëm”. Miss Edith Durham endej e pashoqëruar në pazarin e vjetër të Shkodrës, përballë liqenit të bukur, të kristaltë, i cili për të mbeti gjithmonë një burim mahnitjeje. Ajo vizitoi disa herë edhe Kalanë e lashtë të Rozafës dhe u njoh me historikun e saj…! Ajo zbuloi gjithashtu se tregtarët shkodranë ishin “njerëz të mirë, njerëz të ndershëm dhe të sjellshëm, megjithëse paratë e tua mund të zhdukshin pas qoshes, kusuri të vjen tamam në fund”. Ndonëse përpirë nga çuditë dhe bukuritë e këtij vendi, ajo tashmë kishte kuptuar se përpjekja e Shqipërisë për pavarësi “ishte më e vështira e lindjes” dhe se nuk kishte zgjidhje të lehtë. Edithi del dhe përsëri del për të vizituar Kalanë e Rozafës, nga ku vrojtonte gjithë Shkodrën me rrethinat, liqenin e bukur dhe piktoresk. Këto pamje madhështore, shtojnë jetë, por edhe të bëjnë të mendosh, se si ky popull ndër shekuj ka punuar e luftuar për pavarësi të plotë. Shqiptarët, “kurrë nuk i kanë rënë kujt në qafë, por kanë qenë të tjerët, që u kanë rrëmbyer lirinë dhe pavarësinë e tyre”, shtonte Edith Durham, disi e shqetësuar. Ajo nuk largohej dot nga Kalaja e Shkodrës (Rozafat) dhe soditjet përreth, por mbas pak filloi të binte shi, siç e ka gjithmonë zakon në Shkodër. Ajo dëshironte të qëndronte aty përsëri. Nuk largohej dot! Ishte ditë e shtunë, 30 maj 1903. Duke zbritur nga kalaja, ajo tha: “Këtu do të vij përsëri e përsëri, në këtë vend të mahnitshëm të shqiponjave…..!”
-“Rreth vitit 600 para erës sonë ata u pushtuan dhe mbase u ndikuan gjerësisht nga keltët, nga veriu. Nga ky trung kelto – ilir ka prejardhjen shqiptari modern. Kështu, ai është banori më i vjetër i Gadishullit Ballkanik dhe fakti se ai ka mbijetuar pushtimin dhe sundimin e njëpasnjëshëm të romakëve, bullgarëve, serbëve e turqve dhe mbeti shqiptar, dëshmon mjaftueshëm ndjenjën e tij të fuqishme kombëtare. Asnjë pushtues nuk ka pasur sukses në kredhjen e tij”.–“Ai është zakonisht artizan i shkathët dhe punon në mënyrë industriale. Gati e tërë prodhimtaria e qëndistarisë së bukur nga ari e Ballkanit është vepër shqiptare. Kostumi madhështor i Oborrit të Malit të Zi ishte krijimtari e rrobaqepësve shqiptarë. Shumica e argjendarëve të Ballkanit, gjithashtu, janë shqiptarë apo me prejardhje shqiptare. Dhe, mjaft e çuditshme- siç thotë Mis Durhami – shumica e formësimeve artistike që akoma bëhen nga ata u përngjajnë ornamenteve të gjetura në varreza parahistorike, sa që së bashku shkathtësia dhe stolia duket se janë trashëguar nga ilirët e lashtë. Ajo pastaj vazhdon duke pohuar se pastërtia shtëpiake e shqiptarit mund të jetë shembull për shumë të tjerë.-“Kishat dhe xhamitë së bashku mund të gjenden në qytetet më të mëdha. Meqë turqit kishin pushtuar Shqipërinë në fund të shekullit XV, shqiptarët vite me radhë kërkonin ndihmë nga Evropa e krishterë dhe posaçërisht nga Venediku. Askush nuk erdhi dhe në shekullin XVIII Islami filloi të përhapej në Shqipëri ashtu sikur edhe në trojet e tjera të Ballkanit. Por shqiptarët e vënë racën para religjionit dhe të krishterët me myslimanët u bashkuan të luftonin turqit për pavarësi. As që është myslimani shqiptar fanatik”.….“Meqë shqiptarët e krishterë të jugut i takojnë Kishës Ortodokse, një peshkop grek këtu madje njëherë kishte shkishëruar gjuhën shqipe dhe priftërinjtë thoshin se ishte e padobishme të lutej në shqip meqë Krishti nuk e kupton atë. Nga ana tjetër, turku e dënonte me pesëmbëdhjetë vjet burgim çdokënd i cili ligjëronte apo botonte në gjuhën shqipe të ndaluar.-Por shqiptari i patundshëm i botonte librat e tij jashtë vendit dhe i fuste brenda fshehurazi me vështirësi dhe rrezik. Shqiptari mësoi dhe mbeti shqiptar. Kur kishte mundësi ai i kryente studimet në Vjenë apo Paris. Shumë studentë u arsimuan në Robert College nga amerikanët”.….“Pasardhës të arianëve të parë ardhacakë dhe të ilirëve, trakasve apo epirotëve të kohëve klasike, shqiptarët janë raca më e vjetër në Evropën Juglindore. E njëjta ndarje e përcaktuar mirë, e cila e copëzoi vendin që moti mes mbretërive të Ilirisë dhe të Molosisë mund të gjendet sot në lumin Shkumbin (rruga Via Egnatia, arterie e madhe romake ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit), duke i ndarë dy pjesët kryesore të popullatës.Por, përkundër dallimeve mes tyre në religjion, dialekt dhe institucione shoqërore, shqiptarët gjithmonë kanë mbajtur një racë – si veçanti të vetëdijes kombëtare dhe qartas janë dalluar nga racat e tjera të Gadishullit Ballkanik”.
Suvaria (xhandar kalores), një djalë i qeshur i zhdërvjellët, i cili e quante udhëtimin tim çështje sporti, për qejf, gjë për të cilën ai e aprovonte plotësisht. Tha se përveç një pengese të vogël të tij private, rruga ishte plotësisht e sigurt. Prindi i tij plak e i mjerë, i cili në atë kohë nuk mund të zgjidhte vetë atë çështje nderi i qe dashur të largohej nga ai rreth. Gjendjen e tij djali nuk e quante aq të keqe përderisa ishte futur në xhandarmëri. Kjo ishte një mbështetje mbrojtëse për të sepse ishte i armatosur mirë. Për hatrin tim, ai tha që shpresonte që të mos hasnin atë ditë me ndonjë nga armiqtë e tij dhe derisa fliste kështu, ai shikonte nga të gjitha anët me sytë e tij boje hiri prej shqiponje. Për fat të mirë, ai nuk banonte përgjatë rrugës që do të kalonim ne, por po ta shihte njeri mund ti zinte pritë kur të kthehej. Sigurish ai s’ishte i marrë që të kthehej prapë nga kjo rrugë. Numrin e varreve të humbur, që gjendeshin rrugës ishin dëshmitë e atyre fjalëve që na thoshte ky djalë.
Të gjithë burrat, që lëronin tokën mbanin gjeverdare (pushkë). Barinjtë e kodrave kishin martina dhe gjerdanët plot me fishekë. Disa prej tyre ishin shumë të rinj, çunakë të errët, fort të pashëm, të hedhur dhe sqimatare me paraqitje krenarie sikur donin të thoshin “vëri gishtin kokës, jam unë këtu”. Jeta në këtë krahinë është shumë e rëndë, prandaj ata më të fortët mund të mbijetojnë. Gati një çereku i tokës ishte i punuar, por brenda disa pyjeve shihej se po hapnin toka të reja, të cilat ishin të shëndosha. Dolëm në një shesh të gjerë në mes të cilit gjendeshin dy drunj arrash të mëdhenj. Këtu suvaria ndali për t’u kënaqur me kujtimin e shenjave të plumbave në qitje me pushkë që kishin pasur bërë në këtë vend njerëz të ndryshëm. Një vit më parë, dy katundarë, atë e bir qenë qëlluar nga të zotët e asaj shtëpie në kodër derisa u vranë të dy. Tani s’kishte mbetur gjë veç qivuri i tyre, një grumbull i madh me gurë. Pse i vranë? Suvaria nuk e dinte por ndoshta kishin armiqësi gjaku. Po të kenë qenë ashtu ata duhet të kenë qenë të marrë që s’kanë qenë të armatosur. Që të dalësh jashtë pa qenë i armatosur në këto rrethana është aq budallallëk sa si të dalësh jashtë pa pasur ombrellë në Angli dhe pastaj të ankohesh pse u lage. Gjykatësit i kishin çuar në ferr. Ky një vend pagan, që quhet Myslim, por as kishte as xhami, prift a hoxhë. Nuk gjendet në katundet e shumta të shpërndara nga të gjitha anët.
Në çdo kryqëzim degësh të pemëve gjatë rrugës ka të vendosur nga një gur si shenjë për të përforcuar besimin e njerëzve. Ata vendosen mbi degët që të mos shkelin për çlodhje njerëzit e tyre të vdekur kur kalojnë fluturimthi. Ndër të gjitha rrugët ka shumë nga këta gurë, me duket se edhe qiraxhiu im vendosi një mbi degët e një lisi. Kur thirren ushtarë, njerëzit e kësaj krahine shpesh e deklarojnë veten të krishterë për t’u përjashtuar dhe pastaj kur vijnë tagrambledhësit për të kërkuar taksa ata i përzënë me duar thatë e me kërcënimin e armëve, duke thënë se nuk i paguajmë taksat se jemi myslimanë. Më në fund zbritëm në luginë dhe hasëm në ca hunj dhe një qemer të cilat tregonin se këtu kishte qenë urë. Ju drejtuam bregut të lumit dhe suvaria, duke bërtitur e llomotitur me disa katundarë në anën e përtejme pyeti se ku ishte lumi i kalueshëm dhe pastaj preu dhe hyri i pari në lum. Kurajo që më dha ky, më detyroi ta ndjek nga pas e pa asnjë dyshim. Uji na arriti deri aty sa nuk na u desh të notojmë, porse të tjerët u zhytën duke nguruar. Prej këtej vazhduam drejt një rruge të mirë dhe pamë Elbasanin që shtrihej në një fushë të gjerë me minare të bardha, një xixëllim në mes të qiparisave qe na dukej se nuk do të mundeshim ti aviteshim kurrë…”.