Nga Albert Vataj
Çdo mëkatim është ndjellës, rrëmbyes, joshës, marrosës, shndërrues. Në ne zgjohet epshi i frutit të ndaluar, shpërfaqet beftas Edeni biblik, vjen vegues, Eva grishëse, dhe… ne jepemi të parit akt, si të mbramit qëllim. Kemi ardhur ngjizur në këtë thelb, mbrujtur prej këtij brumi, yshtur ndërkalljesh të kësaj dalldisjeje, për të mbetur mëkatar prej fullit në mbarim. Çdo ndalim, çdo epje e lartësuar në dëshirim, çdo puls i turitur në vërshim, çdo kënaqësim që e hov pupth përpjetë platitjen tonë, çdo vullnesë marroke që na shpie symbyllurazi në altarin e sakrificës sublime si në epje shenjtërimi, është krejtskrejti trupi dhe shpirti ynë, është çfarë ne jemi dhe çfarë në ne kungon dhe kumton jeta.
I këtillë është shkasi i kësaj persiatje. I kësisojtë është martirizimi i gjithçkasë prej dishepulli dhe shërbestari në devocion dhe sakrificë, në lëshimin e dlirtë të vetes sonë prej ajri, për t’u bërë frymëmarrje dhe jetësim në gjithëçmosin që i rrethvjen pluskimit tonë në realitet. Dhe vjen ai zë, beh ajo përvojë, si kudo në galaksinë poterisëse, edhe në një çast, në një trill si ky i lules.
“Kur marr erë luleve ndjej aq kenaqësi sa kaplohem prej frikës se mos po bëj mëkat”. Është kjo ngasje para së cilës gjunjëzohet çdo ëndje instinktesh të fuqishme, marroset çdo urtësi e shpenguar prej vargonjëve të ngurimit.
Lulja, është kjo bukuri e cila rreket të cyt ndjenjat tona delikate për ti hedhur ata në një kopulim të fuqishëm përjetimesh ndjesore, të tillë marrosëse, sa ne arrijmë të kuptojme se sa të dobët jemi përballë pushtetit të joshjes. Kësisoj, ne jepemi, pa ditur se pse, pa ditur se si. Ne i lëshohemi këtij çasti si të fundit shkas adhurimi që pipëtin s’brendshmi nesh.
Gërshetimi i bukurisë perfektë, aromës dehëse, petaleve delikate dhe një harmonie të rreptë të natyrës së krijimit, e bën lulen sinonim të manifestimit estetik të një femre, drejt së cilës çdo hov ndjesor, çdo turravrap epshndjellës është i lidhur prej fijeve të padukshme të aromës që kundërmon kjo bukuri marroke.
Merr erë dhe ndjeje se si të përshkon një dëshirim si një vërshim llave në të gjithë kurmin tënd. Lëshoje veten në përqafimin e këtij harrimi mrekullues dhe ndjehu më tokësor se çdo pipëtimë tjetër që gjallon përreth.
Vetëm atëherë kur ndjehemi të përshkuar nga aroma dhe e bukura, nga kjo melodi marramendëse dhe ky dëshirim i çmendur, e kuptojmë se sa të dobët jemi, se sa shumë bindje buron prej arrogancës sonë, preaj asaj mosbindjeje, e cila është gati të sakrifikojë gjithçka vetëm të fluturojë qoftë dhe një moment të vetëm në krahët e kësaj ëndrre.
Lulet dhe femrat kanë gjëra të përbashkëta adhurimin, dhe risku vjen nëpërmjet paranojës së zotërimit të kësaj hijeshie. Lulet na shijojnë më shumë si buçetë se sa në vazo, sikurse femrat, ti rrëmbëjmë të gjithën dhe në gjithçka në vetësinë e dëshirimit dhe pasjes, duke e këputur si një vetvete me të drejta për liri dhe andje të vetvetishme.
Lulet janë ndër mjetet shprehëse estetike më origjinale të natyrë. Joshja më e vetvetishme që pulson brenda nesh për një bukuri të padrojshme është kryekëput ajo e lules. Aftësia e saj për t’u qasur ëndjeve tona është një manifestim i larmishëm gjestesh dhe shprehish, një ngasje e gjithëpushtetshme për të nënshtruar kapardisjen tonë fudulle e për ta shkrehur atë në një përulësi dehëse dhe adhuruese.