Nga Alberet Vataj
Mitologjia në varganin e saj ka një numër të pamat të simbolikës që përfaqësohet përmes gruas, mëkueses së jetës, hijeshisë dhe shpirtmirësisë. Ajo është bij, nënë, grua, perëndeshë e luftës dhe paqes, muzë e shëmbëllimeve të së jashtëzakonshmes. Miti i gruas ka jetuar me njeriun nëpër kohë. Edhe sot është sa i hyjshëm aq dhe magjepsës. E këtillë është edhe “Mirëbërësja Romane”, e cila arriti t’i shpëtonte jetën të atit duke e ushqyer me qumështin e gjirit të saj.
Bëhet fjalë për një histori të rrallë dhe ngjethëse.
Përmes këngëve popullore dhe rrëfenjave që kanë udhëpërshkuar kohërat dhe artit që e ka skalitur në përjetësi, prek kohën moderne shembulli i vetëmohues i një nëne, gruaje, bije. Sakrifikuesja Pero meriton një vend nderi në panteonin e mitit. Ajo rrezikoi jetën duke e ushqyer fshehurazi me gji të atin e saj, Kimon, i cili ishte i burgosur dhe vuante dënimin të vdiste nga uria.
Në një nga herët, tregojnë dëshmimet, kur ajo shkonte të takonte të atin në burg dhe e ushqente me gji, gardiani i burgut arriti të zbulojnë veprimin e Peros dhe e denoncoi tek autoritetet. Akti i saj i vetëmohimit, preku zemrat e zyrtarëve e lartë, të cilët më në fund lejojnë që babai i saj të fitojë lirinë.
“Mirëbërësja Romane”, ka ardhur deri në ditët tona përmes shumë jetësimesh ku mund renditim bazorelieve, gravurë, skulptura, pikturë, nga mjeshtart më të mëdhenj të kohëve.
Në historinë e artit një galerinë e pamatë punësh të cilat gjenden në çdo muze të botës ndodhet një punë që ka jetësuar këtë ndodhi, këtë mit. “Romania e mëshirshme” ose “Mirëbërësja romane” është një shembull vetëmohimi dhe sakrifice që ka udhëtuar nëpër kohë duke ngacmuar papushim imagjinatën e artistëve dhe doke shokuar kundruesit e këtij akti të pashembullt.
Kjo histori ngjethëse është dokumentuar në “Factorum ac dictorum memorabilium” (Nëntë Librat me veprat e paharrueshme dhe thëniet e romakëve të lashtë) nga historiani roman Valerius Maximus dhe është prezantuar në nder të romanëve dhe si një akt i madh i mëshirës.
Historia e Kimon, e cila u shkrua nga historiani roman Valerius Maximus, më vonë u ritregua nga Plini Plaku (23-79), ku një grua e burgosur ushqehej dhe kurohej nga vajza e saj.
Në shekujt e shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, shumë artistë europianë e përshkruan këtë histori. Në vitin 1606, artisti barok Caravaggio, gjithashtu e solli këtë akt në “Shtatë veprat e mëshirës”. Në shekullin e 20 piktura “Mëshira romane” u soll edhe si motiv mitologjik nëpër libra nga shkrimtarë të ndryshëm.
Trill apo e vërtetë, kjo nuk ka rëndësi. Historia e bijës Pero mbetet një simbolikë e jashtëzakonshme e mitit dhe reales.
(“Roman Charity” Pieter Pauwel Reubens)