Nga Albert Vataj
“Për të vepruar në këtë botë, duhet të vdesësh brënda vetes… Njeriu nuk gjendet përmbi tokë vetëm për të qenë i lumtur, as dhe për të qenë thjesht i ndershëm. Gjendet për të realizuar gjëra të mëdha për shoqërinë, për të arritur fisnikërinë e shpirtit e për t’u hedhur përtej vulgaritetit, në të cilin hiqet zvarrë egzistenca e pothuaj të gjithë individëve”. Kështu i shkruan Vincent van Gogh vëllait të tij Theo. Ky është botëkuptimi i një gjeniu dhe kjo mbetet bota që ai e skaliti me pasionin e një të çmenduri.
Vincent van Gogh u lind më 30 mars 1853. Piktori holandez, post-impresionisti më i zëshëm pas Rembrandit dhe themeltar i modernizmit, vdiq 29 korrik 1890 kur ishte vetëm 37-vjeç. Gjithëçfar qaset të ravijëzojë këtë profil të tjetërllojtë nuk është gjithçka ai skaliti me penel e pasion, në këtë përplotësim yshtet edhe tharmi i asaj vetvete të artistit, krejtçka shkroi me zhgitje e përmjerrje në baltën e vesit dhe devocionit, pluhurin e hutimit dhe yryshit. Erdhi dhe iku si një rast i pazakontë.
Nuk mund të mos kishte në jetën e tij të zgriptë, gjithnjë me ekuilibra të prishur, një goditje fatale si ajo që zanafillon edhe të mbramin e udhës së tij toksore. Ishte 27 korriku i vitit 1890 kur Vincent van Gogh shkon tek çifti i pronarëve të hanit ku jetonte. Ndihej shumë keq. U tregon se kishte qëlluar veten me një revolver në një fshat aty pranë varrezave në Auvers-sur-Oise, ndërsa pikturonte veprën e tij të fundit. Vdiq më 29 korrik dhe u varros një ditë më pas në po atë varrezë ku u qëllua. Në funeralin e tij ishin të pranishëm i vëllai Theo, doktor Gachet dhe shumë artisë. Arkivoli mbulohet i gjithi me luledielli. Pak muaj më pas, më 25 janar 1891, vdiq i vetëvrarë edhe i vëllai, Theo, i cili u varros krah Vincentit, ku prehen në varre identike.
Një artist që lëkundet mes predikuesit të zellshëm, pikturës që përpëlitet mes ngjyrave të diellta e penelatat e dhunshme të haresë, dashurisë marroke dhe çmendurisë që e mbajti gjithnjë mes resh diellin e tij flakatar të famës. Një jetë në zgrip të varfërisë dhe një vdekje e papritur e mbetur mister, për t’u vulosur me përjetësi veprat absolutisht e përsosur dhe vetanake përnga stili, tonaliteti i ngjyrave, kumtimi dhe depërtimi në thellësi të përjetimit. Kur flitet për Van Gogh, nuk mund të mos flitet edhe për dikotominë gjeni-çmenduri, mishëruar më së miri në këtë motor të pikturës origjinale, këtë mjeshtër të okrës, mylmyesi të violentit të kobaltit, këtij kolori të epshëm.
Vepra e Van Gog me përdorimin e dhunshëm të ngjyrës, u çel rrugën ekspresionistëve dhe cyt emocione të potershme në brendinë e shpritrave të etur për lojën e zjarrit dhe dritës. “Në vend që të jap besnikërisht atë që kam para syve, unë përdor ngjyrën arbitrarisht, që të mund kësisoj të shprehem më fuqishëm” kumtonte ai.
Për shkak të ngjarjeve të potershme të Van Gogh, një marrëdhënie cingëritëse me Paul Gauguin, gjymtimi i veshit të tij të majtë, dhe vetëvrasjes, të cilat ngasën harbimin e një rrëfimtarie apokrife dhe anektodave, u rrekën të ravijëzonin një realitet paralel të molepsur me grotesk e cinizëm, por pa mundur ta zhbëjnë shtresimin e mitit ku ngjishet humusi i përtëritjes së gjenialitetit të tij në kohëpaskohje, derimtash kur rreth emrit të Van Gogh gjithnjë shndrin një breror fame.
Megjithatë, nga më shumë se 800 piktura në vaj dhe 700 vizatimet që përbëjnë galerinë e krijimtarisë që la, ai mundi të shiste gjatë jetës një të vetme. Erdhi dhe iku nga jeta si një ngjarje e përplotur me episode të gjithëfarësojshëm. Ashtu si dhe në punët që mbetën trashëgimi e paçmuar e gjeneratave, përditshmërinë e mbushi plot të papritura, shumë prej të cilave rrjedhonin nga shëndeti i drobitur mendor, varfëria dhe harbimi dashuror.
Bota e krijuesve deri asokohe nuk mund të ketë perceptuar me qartësinë një tragjikeje një vikamë më të potershme se ajo e jetës përplot trazim e gjeniut të tablosë. Nuk kishte mbërritur deri atëherë nga kalorësia e penelit kaq e potershme kjo thyerje e qiejve, kjo ngasje përnga e andshmja amshuese e koloristikës dhe thellësisë së penetrimit shpirtëror. E veçme do të mbetej gjithçkaja e të zakonshmes dhe të rëndomtes së këtij mjeshtri. Vincent Van Gogh është padyshim një rast emblematik. Pakkush mbruhej me atë vërshim ndjeshmërie dhe aftësi krijuese. Egzistenca e tij ka qenë një udhëtim në “vuajtjen e izolimit”, i pakuptuar e vetmitar në perceptimin acarues të dhimbjes, i pafuqishëm e prapë i kthjellët e i vetëdijshëm për sëmundjen e tij që ishte edhe fizike, po mbi të gjitha shpirtërore.
Studimet psikiatrike moderne, i kanë zhvilluar edhe më tej hipotezat që Van Gogh vuante nga sëmundje bipolare apo sindroma maniako-depresive, e trashëguar genetikisht nga familja, gjë që brengoste edhe vëllanë e tij Theo. Po përtej kësaj sëmundjeje genetike, është e sigurtë se çmenduria i qe manifestuar mbi të gjitha sepse Vincent e kishte filluar ta shihte artin e tij të dashur, si instrument për të arritur atë që është esenciale. Ose sepse tashmë kishte kuptuar tiraninë e vuajtjes mbi qenien njerëzore, por nuk dinte se si ta kapërcente dhe as se pse duhej kapërcyer. Pra Van Gogh është shembulli tipik i konstatimit të së të Vërtetës së Parë Fisnike e të mundimit të pashprehshëm që ajo lind, nëse nuk arrin të besosh se mund të kapërcehet, e aq më pak të shquash një mënyrë, një rrugë për ta kapërcyer.
Albert Vataj