Nga Albert Vataj
Më 26 mars të vitit 1827 vdiq “Prometheu” i muzikës klasike, titani i historisë botërore të artit, Ludvik van Bethoven, emrin dhe veprën monumentale të të cilit, i madhi George Bizet, e rëndit krahas Dantes, Homerit, Michelangelos dhe Shekspirit.
Ludvik van Bethoven, kompozitor dhe pianist, figurë emblematike e kapërcyellit të epokave klasike dhe romantike të muzikës. Nuk ka gjas që kohërendje ta lëkundë nga themelet e njimendtta të gjenialitetit këtë përmendore, këtë zë kushtrues të kumteve klasike.
Mirërri ai në panteonin e më të famshëmve dhe më me ndikim i të gjithë kompozitorëve. Testamentin e tij krijues e përbëjnë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë.
Biografët janë të mendimit se Beethoveni ishte tërhequr nga idealet e Iluminizmit. Në vitin 1804, kur ambiciet perandorake të Napoleonit u bënë të qarta, ai e fshiu në formë revolte fjalët e përkushtimit për Bonapartin nga simfonia e tretë, e cila te e vona u pagëzua si “Sinfonia heroike” qi ia ripërkushtoi atë mbrojtësit të tij, Princit Jozef Franz von Lobkowitz, në pallatin e të cilit simfonia e tretë u interpretua spariherë.
Beethoven jetoi në Vjenë deri sa u shua më 26 mars 1827 nga një pneumoni e rëndë. Në dekadën e fundit të jetës ai u bë thuajse krejtësisht i shurdhër, vragë e cila ia sëmboi ligësht zemrën dhe shpirtin krijues, duke e transfomuar atë në një tragjik. Kësisoj ai vetëvrau gjeniun e interesave publike por mbajti ende jetë zellin e tij krijimit.
Lamtumira e trishtë e një vigani
“O ju që më quani me temperament jo të mirë, që më akuzoni se jam agresiv apo mizantrop, jeni të padrejtë me mua. Ju nuk e dini arsyen e fshehtë të sjelljes sime, në fund të zemrës sime dhe mendimeve kam pas gjithnjë dëshirën për të bërë më të mirën. Kur isha fëmijë kisha vetëm mendime të mira në kokë, por ta dini se tani që vuaj qysh prej gjashtë vjetësh nga një sëmundje e pashërueshme, e lidhur me shqisat, duke u shtuar vit pas viti në vend që të shërohesha ashtu si shpresoja. I mashtruar, i detyruar që të mësohesha me këtë gjymtim të vazhdueshëm (shërimi i së cilës kërkon dhjetëra vjet, të shohim nëse do të jetë i mundur), unë që jam i gjallë e i rrëmbyer, i ndjeshëm ndaj dëfrimit të jetës mondane, m‘u desh të izolohesha që herët, të jetoja i vetmuar dhe nëse ndonjëherë më ka ndodhur që mos t‘ia vija veshin të keqes sime, çfarë ashpërsie të ndihesha i përbuzur jashtë botës nga eksperienca më të trishta se sa shurdhëria ime, megjithatë isha i pazoti t‘u thosha njerëzve: flisni me zë më të lartë, ulërini, jam shurdh. Sa keq! Si do të mundja t‘u drejtohesha për të kërkuar ndjesë për dobësinë e një organi që duhet të ishte më shumë i përsosur tek unë sesa te njerëz të tjerë, një organ që ka qenë i përsosur, një përsosmëri që pak nga kolegët e mi pretendojnë që e kanë ose që e kanë pasur. Jo, nuk mundem më, ju kërkoj ndjesë teksa më shihni t‘u bëj bisht qortimeve tuaja, unë që do të doja të pleksesha me ju, fatkeqësia ime më bën të vuaj dyfish, pasi duhet që ju të mos më vlerësoni, nuk kam më të drejtë të reagoj në shoqëri, bisedimeve shpirtërore, shkëmbimit të ideve, shprehjeve të ndjenjave. Nuk mund të futem në diçka të rrezikshme në shoqëri vetëm kur e kërkon nevoja e ngutshme, një jetë si i syrgjynosur. Ja kjo është jeta ime. Kur i afrohem një grupi njerëzish më kap frika. Kam frikë të marr guximin e të tradhtoj gjendjen time. Kështu ishin këto gjashtë muajt e fundit të kaluara në fshat. Mjeku im më këshilloi me shumë takt që ta mbaja mirë veshin tim dhe mos ta lodhja, në gjendjen time kjo ishte një gjë e mirë, edhe pse dëshira ime për të qëndruar me njerëz më pushtonte hera herës.
Çfarë poshtërimi ishte atëherë kur përkarshi meje dikush dëgjonte një flaut që binte larg dhe unë nuk dëgjoja asgjë, ose kur dikush dëgjonte këngën e bariut, ndërsa unë, edhe atë nuk e dëgjoja fare. Këto lloj eksperiencash më zhysnin në dëshpërim, saqë isha një hap larg faktit që t‘i jepja fund jetës.
Vetëm arti më mban, besimi im ma bënin të pamundur largimin nga kjo botë para se të kompozoja gjithçka që kisha në kokë dhe pikërisht për këtë vazhdova jetën time të vajtueshme, po kjo është fjala e duhur, e vajtueshme. Trupi im është i irrituar, por mund të mbahem mirë, mjafton një ndryshim i papritur që të më nisin të tjera dhimbje. Durim, më thonë, durimin duhet ta kem si udhërrëfyes. Atë bëra. Jetoj me shpresën që vendimi im për të qëndruar gjallë, ndoshta në jetën e përtejme do jetë më mirë, ndoshta jo, çdo gjë le të ndodhë. I detyruar që në moshën 28-vjeçare të isha një filozof, gjë jo e lehtë dhe më e vështirë akoma për artistin sesa për këdo tjetër. Hyjni, ti sheh brenda zemrës sime, e njeh atë, ti e di se dashuria për të afërmin, zemërgjerësia aty kanë bërë vend. Oh ju të tjerët që do të lexoni një ditë këto rreshta, do të mendoni se keni qenë të padrejtë me mua, fatkeqi do të ngushëllohet duke menduar se një njeri që kishte fatin e tij ia kishte ndalë mbanë, falë vullnetit, kaloi pengesat e krijuara nga natyra në mënyrë që të pranohej në rangun e njerëzve të mëdhenj dhe e artistëve të mëdhenj.
Ju, vëllai im Carl dhe Johann, pasi të kem vdekur dhe nëse profesori im Schmid jeton ende, luteni atë në emrin tim të bëjë një përmbledhje të detajuar të sëmundjes sime dhe bashkojini me këto faqe, në mënyrë që aty ku është e mundur, bota pas vdekjes sime të pajtohet me mua. Me këtë rast doja t‘u deklaroja dy trashëgimtarëve të pasurisë sime të vogël (nëse quhet e tillë) ndajeni në mënyrë të barabartë, mbajini marrëdhëniet mirë me njëri-tjetrin, ndihmoni njëri-tjetrin. Ju më keni bërë keq dhe ju e dini që unë ju kam falur prej kohësh. Ty, vëllain tim Carl, doja të të falënderoja për dashurinë që më ke dhënë kohët e fundit, të uroj një jetë sa më të mirë, me më pak telashe se e imja. Thuajuni fëmijëve tuaj të kenë virtyte, jo paraja, por virtyti e bën lumturinë. Këtë e them nga eksperienca ime. Virtyti ma ka ngritur shpirtin peshë kur isha i dëshpëruar, falë virtytit unë nuk i dhashë fund jetës duke u vetëvrarë. Lamtumirë, duajeni njëri-tjetrin. Falënderoj gjithë miqtë e mi, në veçanti Princin Lishnovski dhe profesor Schmidin. Për sa u përket instrumenteve që më ka dhënë Princi L., do të doja që njëri prej jush t‘i ruante, por mos u zini për to dhe në rast se ato mund t‘u nevojiten, fundja shitini. Jam i kënaqur kur mendoj se edhe pse në varr do t‘u shërbej akoma. Ja kjo ishte. E pres vdekjen me gëzim. Nëse vdekja do të vijë përpara se të kem mundësi të shpalos talentin tim artistik, më duket se përpos ashpërsisë së fatit tim, ajo do të vijë shpejt dhe uroj pa dyshim që të vijë më vonë. Por jo, edhe aty do të isha i kënaqur. A do të më shpëtonte nga dhimbjet e pafundme? Eja kur të duash, do të vij pa frikë në takimin tënd. Lamtumirë, mos më harroni kur të vdes, e meritoj se në jetën time kam menduar shpesh për ju. Kam dashur t‘u bëja të lumtur. Ashtu qofshi.”