Nga Albert Vataj
Sonte, në orën 22:45 dielli do të gjendet pingul mbi ekuatorin e tokës. Me fjalë të tjera ndodh Ekuinoksi i pranverës, barazvlera kohore e ditës dhe natës. Përkitaz në të gjithë traditave dhe qytetërimeve të derisotme kjo është dita e parë e pranverës. Ekuinoksi në astronomi është ai çast kohor kur qendra e Diellit mund të vëzhgohet drejtpërdrejtë sipër ekuatorit tokësor. Koha astronomike është e varjushme, nëse në vitin 2000 kjo dukuri ndodh ekzaktësisht më 20 Mars, ora 07:35 për ekuinoksi i pranverës, dhe më 22 Shtator ora 17:27 për ekuinoksin e vjeshtës, në vitin që jemi, pra më 2015 ekuinokset ndodhin përpikmërisht më 20 Mars, ora 22:45 dhe më 23 Shtator, ora 08:20. Thuhet edhe kur dielli bie në pus. Është fjala kur ndodh pasqyrimi i diellit në një pus, fenomen që nuk ndodh dhe nuk mund të verifikohet në asnjë paralel tjetër tokësor. Në këto dy data, dita dhe nata janë të barabarta, secila nga 12 orë. Gjatë baraznetëve, dielli lind saktësisht në lindje dhe perëndon me saktësi në perëndim. Baraznetët mund të mendohen edhe si pika në qiell. Edhe pse drita e ditës bën që yjet të mos shihen, duke e bërë të vështirë vendndodhjen e Diellit në lidhje me trupat e tjerë qiellorë, Dielli ka një vendosje të përcaktuar lidhur me yjet e tjerë. Ndërsa Toka rrotullohet rreth Diellit, vendndodhja e dukshme e diellit zhvendoset në një rreth të brendshëm gjatë një viti. Ky rreth quhet ekliptikë, dhe është edhe rrafshi i orbitës tokësore drejtuar mbi sferën qiellore. Një ekuinoks ndodh dy herë në vit, rreth 20 marsit dhe datës 22 shtator. Fjala vetë ka disa përkufizime të përafërta. Kuptimi më i vjetër është kur dita dhe nata janë me vlera të përafërta kohëzgjatjeje. Fjala ekuinoks vjen nga ky përkufizim, rrjedh nga latine aequus (të barabartë) dhe NOx (natën).