Nga Albert Vataj
Giotto di Bondone (1267 – 8 janar 1337), i njohur si Giotto, piktor i madh italian i epokës së paralindjes që krijoi në muzgun e mesjetës. Njëherazi ai ishte lajmëtari i, me të cilin nisin kohët e epokës moderne, Rilindjes. Kanunet shekullore bizantine, si vendosja e shpirtit para trupit, pamjet asketike të fytyrave, përpjestimet e zgjatura të figurave, trupat pa vëllim e peshë që duket sikur mezi prekin tokën, prirja e cila jetën tokësore e paraqiste në art si diçka të përkohshme, u ndryshua prej tij.
*** Ishte dhjetë vjeç, kur Giotto ruante bagëtitë në një lëndinë dhe kohën e kalonte duke vizatuar me thëngjill figura kafshësh mbi gurë. Çimabue (1240 – 1302), piktor i shquar, pa vizatimet e bariut të vogël dhe i kërkoi të atit ta dërgonte për të ndjekur studimet. Ashtu u bë, e dërguan në Firence, në studion e piktorit.
Kur ishte ende fëmijë në studion e Çimabues vizatoi një mizë mbi hundën e një figure të bërë nga mjeshtri. Ai u kthye në studio, e pa “insektin” dhe bëri me dorë që ta largonte. Disa herë e përsëriti këtë veprim por “miza” nuk fluturoi.
I tillë ishte talenti i një fëmije, i cili do të bëhej gjeniu i pikturës italiane
***
Kur Giotto pikturonte në një kishë të Padovës shkoi për ta vizituar Dante.
Për fëmijët e shëmtuar të piktorit Dante tha:
– Më habit, miku im, që si piktor i shkëlqyer ke bërë për të tjerët punë të bukura, kurse për vete punë të rëndomta.
Dhe Giotto ia ktheu:
– Po këto janë punët e natës, kurse pikturat janë punët e ditës.
***
Një ditë shumë të nxehtë mbreti i tha piktorit:
– Giotto, po të isha në vendin tënd, në këtë vapë unë do të kisha ndërprerë punën.
– Edhe unë do ta kisha bërë po të isha në vendin tuaj, – tha Giotto.