Nga Albert Vataj
Vendbanimet e hershme janë një dëshmi bindëse se ne i përkasim një qytetërimi që ka bashkëudhëtuar me epokat e lavdishme që skalitën me shkronja të arta dëshminë dinjitoze të autoktonisë. Ata janë varrosur nga koha dhe ç’varrozur nga nevoja e njeriut bashkëkohor për të sprovuar jo vetëm origjinën e tij, por dhe për t’ia bërë të ditur botës se ne jemi amaneti i përjetësisë së tyre. Dhe kur kjo e shkuar lihet ende e groposur, pasardhësit e këtyre vendbanuesve antikë dyshojnë se kanë lidhje me rrënjët e tyre. Kjo ka gjas të jetë arsyeja se pse qyteti antik Albanopoli, një vendbanim i hershëm Ilir dhe prej nga ne hamendet të kemi edhe emrin si komb, vijon të mbetet ende nën peshën e dheut dhe harrimit. Sot kur fqinjët tanë dhe jo vetëm rrëmojnë e gjurmojnë lidhjen e tyre me qytetërime të hershme, i sajojnë dhe i manipulojnë për t’i adaptuar si të tyret, ne i kemi nën këmbët tona dhe i shkelim çdo ditë me indiferentizëm dhe mospërfillje. E lëmë mënjan përfitimin financiar që do të sillte ky destinacion i turizmit kulturor.
Po kush është dhe ku ndodhet Albanopolisi?
Sipas studimeve të dijetarit të shquar shqiptar, prof. Selim Islamit, qyteti ka lulëzuar nga mesi i shekullit IV deri në shekullin I para erës së re. Pozicioni i tij vërteton atë që ka shkruar Tuqiditi se ndërtimi i qyteteve mesdhetare në njëfarë largësie nga deti shpjegohet me frikën që banorët kishin nga piratët. Në vendin ku Ptolomeu vendos Albanopolin gjenden rrënojat e lashta, që për shkak se ndodhen në afërsi të katundit Zgërdhesh, morën emrin e tij. Studiues dhe arkeologë kanë hamendësuar se ka gjasa që të mos ketë pasur qytet me emrin Albanopolis, meqë kultura helenike dhe shkruesit e saj, në këtë rast Ptolomeu, i helenizonin emërtimet. Qytetin që i takonte fisit Albanoi, ai e emërtoi Albanopoli – Qyteti i Albanëve. Mirëpo, pasi merr dijeni se në rrethinat e Shkupit kohë më parë është gjetur një stelë me përmbajtjen Albanop(ol), hamendësimet vihen në dyshim.
Nisja më e mirë e këtij artikulli na u duk sjellja nga qershori i vitit 1943 i një studimi botuar te “Hylli i Dritës”. Mes të tjerash, ja çfarë shkruhet: “…Gërmadhat e Zgërdheshit gjinden nj’a dy orë larg Krues e nj’a 15 minuta prej Fokës në rrugën e Krues. Këto gërmadha u zbuluen së pari nga Hahn-i vetë, mbasandaj u eksploruese edhe u studjuen deri diku nga arkeologët Praschniker e Schober. Simbas mendimit të këtyre dijetarëve, muret e fortesës, që shifen sot aty-këtu në kambë, kanë nji teknikë ndërtimi të vjetër, që i gjan asaj t’akropolit të Leshit. Shpërndamja e tjegullave në nji hapësi të madhe tregon se këtu dikur ka qenë nji qytet i madh, i cili, nga enët helene e helenistike që janë gietë, len me kuptu se ka qenë në marrëdhanëje kulturore të mira e të rregullshme me Durrsin. Gurët e mureve të fortesës janë të skalitun e të mëdhaj. Gërmadhat gjinden në lagjen Kakariqe të Zgërdheshit, sipër nji kodre që sot asht mbulue me shqope e ferra, sa s’të lanë me pa kurrgja për së largu. Pa ba gërmime se ç’qytet ka qenë këtu, s’mund të kuptohet… se a ka qenë Albanopoli! Duhet të presim gërmimet, të cilat s’asht larg mendjes që të na apin edhe ndonji përgjigje negative.
Për të shenue me siguri se ku gjindet Albanopolis nuk gjejmë bazë kurrkund, përveç gjeografisë se Ptolemeut, pse i pari … që e përmend ket qytet asht vetëm kjo gjeografi”. Përshkrimi i bërë për terrenin dhe kërkimet, 70 vjet përpara, ngjan si me qenë dje. Asgjë nuk ka ndryshuar. Janë po ato ferra, shkurre, driza, shkozë e shqope të pakalueshme, të cilat nuk të lejojnë të shohësh qartazi e të prekësh tërësinë e shtrirjes së qytezës antike. Sa u përket gërmimeve dhe zbulimit, ngelen ato që diheshin 60 vjet përpara.
Pavarësisht terrenit, ne, dy numizmatë, që ndihemi njohës të monedhave, mes të cilave dhe të lashtësisë, para së gjithash, qytetarë të këtij vendi me interes për ta njohur këtë ngulim të lashtë, ia bëmë të mundur brenda disa orësh që të mos linim asnjë cep të saj pa shkelur, nga fillimi i kodrinës qytezë e deri në majë.
Fragmente të mureve rrethues, ballore dhe anësore, si dhe të ndërtimeve që kanë lulëzuar atje, ta japin lehtë përfytyrimin e një qyteti, në mos hijerëndë, të pushtetshëm, të ngritur sipas gjithë botëkuptimit të njeriut të epokës që e lindi, pra, me organizimin brenda mureve rrethuese, ndoshta të akropolit, agorës, pallateve të parisë qytetase dhe mbase bibliotekës e teatrit. Ngelet t’i kërkojmë, në mos muret, mbetjet themelore të shtrirjes. Shfletojmë “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: faqe 268, libri III, Ptolemaei, Geographia, kap.12, “Vendi që zë Maqedonia”, 20. Në tokën e Albanëve (Albanoi), Albanopolis, 46.0, 41.0 5’. Vetëm kaq dimë për këtë vendbanim të hershëm ilir, për të cilin, ngase ndodhej në Parthini, te “Arbëria mesjetare” e P. Xhufit, termin Alban (Alb=i bardhë) e cilëson si përkthim të emrit Parthen (të Bardhët) që mbante fisi ilir. Shtrirja gjeografike e këtij fisi përkon me atë të Albanëve dhënë nga Ptolemeu, në prapashpinë të Durrësit e që e gjejmë të rishkruar nga Ana Komnena (1083-1146), e bija e perandorit bizantin, Aleksi I, e cila, në historinë e saj të njohur, shkruante se popullsia, që ndodhet pas Durrësit, e quante veten “Arbanez”. Hamendjet e vendndodhjes kanë përfshirë, me studime, përpos Zgërdhedhit, tre vendbanime të tjera: Elbasanin, Tiranën dhe Persqopin. Përcaktimi i Han-it nuk besoj se është lëkundur ndopak nga këto sjellje hipotezash, pavarësisht këmbënguljes të përkrahësve të versioneve të tjera se “Han ka gabuar”, sa kohë prej tyre nuk i janë sjellë shkencës së arkeologjisë argumente bindëse. Kërkimet e para i bënë shkarazi austriakët dhe italianët, që rilevuan sistemin fortifikues, me muret karakteristike rrethuese të ndërtuar me blloqe gurësh kuadratikë shumë të mëdhenj. Pas vitit 1950 u bënë disa ekspedita më të plota, të cilat nxorën në dritë një pjesë të rrënojave. Qëllimi ynë nuk është të provojmë sa debatohet, se ato janë zotërim i arkeologëve e studiuesve, ndaj e marrim të mirëqenë këtë Albanopol që është pranuar deri tani.
T’i kushtojmë vëmendje ringritjes së gërmadhave të lashta, sepse na jep identitet Është “më e bukura në botë” sepse ka të veçantë emrin me të cilin ajo na pagëzon. Asnjë nga popujt tanë fqinj nuk ka fatin si ne që emri me të cilin thirren t’u jetë përmendur 18 deri 20 shekuj përpara, përfshi këtu grekët dhe italianët. Askush më mirë se kjo qytezë, e pranuar tashmë në shumicë studimore si Albanopoli, nuk i shkrin si vesa e mëngjesit dokrrat serbe e të tjerë armiq shekullorë, se ne jemi të ardhur, se nuk jemi pasardhës autoktonë, etj. Është vetë emri ynë, Alban, që flitet, përdoret e trashëgohet pareshtur për ne nga popujt e tjerë dhe këto rrënoja që emërtohen si dhe ne. Historia e ka metodë të saj rindërtimin e së kaluarës me anë të rudimenteve. Thelbi i kësaj metode është që përmes tyre të nxjerrësh përfundime për ato kohë. Dhe fati është në anën tonë. Dhjetë hektarët ku shtrihet qyteza antike janë pothuaj të pagërmuara, janë gërvishtur paksa. Ekspedita nxori në dritë muret rrethues, (diku thuhet 70 metra, diku tjetër përmenden 90 metra, por me sy të lirë shihet se janë shumë e shumë më tepër) disa shkallare e pak rrënoja ndërtimesh. Më në thellësi, siç është gërmuar në Butrint, Apoloni e Bylis, ka pak gjasa të jenë bërë. Albanopoli pra është i paeksploruar! Sapo të fillosh të gërmosh e të studiosh Albanopolin, do të gjendesh me siguri në gjurmët e një qytetërimi të lashtë të Mesdheut, si dhe përpara një vlere e pasurie të madhe të trashëgimisë të vendit tonë.
Po të ishim më të përgjegjshëm, këto rrënoja do të “lulëzonin” nga udhëkalimet, nga sipërfaqet e pastruara, nga kujdesi i dorës së njeriut dhe nga mure të ringritura, do gëlonin nga turistët dhe vizitorët. Shqiptarët, që me aftësinë dhe mendjen e tyre, me ndjesinë artistike, i kanë dhënë qytetërimit Taxh Mahalin, Xhaminë Blu dhe Xhaminë Sulejmanie, tri nga veprat arkitekturore më të vizitueshme në botë, (Mehmet Isai, Sedefkar Mehmet aga, arkitekt Mimar Sinani) ndërsa kanë lulëzuar tokën e huaj, vendin e tyre, nën valët rrënuese të kohërave, e lanë një grumbull gurësh, si Rozafatin, Krujën, Lezhën, Beratin, Kaninën, Albanopolin, Persqopin dhe Bylisin. Albanopoli, kaq afër Tiranës dhe Durrësit, i vendosur mes tyre, në fushëkalimin e një prej pjesëve më të zhvilluara të vendit, dhjetë kilometra larg Aeroportit të Rinasit, vazhdon të ngelet i panjohur, pa vëmendje, shumë më pak se një gërmadhë varreze. Por, ndërsa varrezat vizitohen më shpesh, këtu nuk shkel këmbë njeriu.