Nga Albert Vataj
Dilemat sa vijnë dhe vënë përfundi vetëdijen e mendjeve të kthjellëta, ndërgjegjeve që i kanë shpëtuar toksikimit. Një gjykim rracional, megjithëse nuk përmbush kushtet e domosdoshme për ta stopuar këtë tatpjetë, apo për ta mbajtje nën kontroll këtë fatalitetit të përzgjedhur si filozofi bashkëjetuese, ai gjithsesi mbetet një premisë për të dëshmuar se cili është çmimi që duhet të paguajmë.
Është koha ajo që vendos?! Nënshtrimi i natyrës ka lindur skllavërimin e njeriut në çmendurinë e tij gjeniale të të besuarit se ai është vetë Zoti dhe çdo forcë tjetër e epërme nuk është gjë tjetër vetëm një sajesë e vullneteve të drobitura për te besuar në këtë. Shkallmimi i kufinjve të dëshirimeve për të qenë zot i gjithçkasë më çdo kusht, egoja e sëmbuar prej nevojës për të qenë qendra universit, ka cytur gjithnjë e më ethshëm këtë individ për të ngritur kultin vetvetes si gjithçka në zemër të atij universi që përpëlitet në pamundësinë gjithnjë e më dëshpëruese për të përmbushur nevojat në rritje të njeriut teknologjik.
“Të shikojmë realitetin në sy… tërheq vëmëndjen teologu, filozofi dhe mjekur Albert Schweitzer që më 1952 në fjalën e tij në marrjen e çmimit Nobel. “Njeriu është bërë supernjeri me fuqinë e tij mbinjerëzore, por nuk ka arritur mbinjerëzoren e tij të arsyeshme. Sa më shumë fuqia e tij rritet, konstaton ai, aq më shumë bëhet një njeri i mjerë. Ndërgjegjet tona nuk mund të mos tronditen prej faktit tragjikisht të pamohueshëm se sa më shumë bëhemi supernjerëz aq më shumë shterron njerzorja në nëvojën tonë për t’u ndjerë dhe për të qenë të tillë. Një lloj denatyraliteti i ekspozohet këtij individi. Ai mjaft mirë mund të larë hesapet me këtë rrezik që i kanosej duke e refuzuar, por kjo nuk kishte gjas që të ndodhte. Atij i duhej të kishte rol protagonist në këtë apokalips, sepse përtej vetvetes dhe agos së tij të sëmurë, asgjë tjetër nuk ka kuptim.
Pakufija e zotërimit, harbimi i zedhshëm i përbindëshit të egos dhe lakmisë e çliruan atë individ nga hallkat e limitit duke e hedhur në hapsirën e gjithçkasë dhe azgjëse si një trup pa orbitë. Dhe ai tashmë fatmirësisht ende vazhdon lëviz deri në momentin fatal të përplasjes së pashmangshme asgjesuese.
Në veprën e tij “Të kesh apo të jesh” Erich Fromm rreket të hedh dritë mbi fatin që njeriu ka nënshkruar. Kënaqësia e pakufizuar e të gjithë dëshirave nuk sjell një jetë të mirë, dhe as nuk është rruga për të arritur lumturinë apo kënaqësinë maksimale.
Ëndrra për të qenë padronë absolut të qenieve tona ka marrë fund që kur kemi filluar të hapim sytë dhe të bindemi se jemi bërë të gjithë ingranazhe të makinës burrokratike dhe se mendimet tona, ndjenjat dhe shijet tona janë manipuluar nga qeveritë, nga teknologjia dhe mjetet e komunikimit masiv, të kontrolluara nga njëra-tjetra.
Sipas Sokratit: Fitimi i një maksimumi kënaqësie fizike formon qëllimin e jetës dhe se lumturia është shuma e kënaqësive që kemi provuar.
Sipas Epikurit: Kënaqësia si qëllim i arritjes së një dëshire, nuk mund të përbëjë qëllimin e jetës sepse, në çastin që një kënaqësi përmbushet nevojshmërisht ndiqet nga një pakënaqësi dhe për këtë ia heq mendjen njerëzimit nga synimet efektive që është mungesa e dhimbjes.
Për Hobbes lumturia është progres i vazhdueshëm nga një dëshirë e zjarrtë e lakmisë tek një tjetër.
Për Marrchese De Sade bindja ndaj impulseve të egra legjitimohet për arsyen e thjeshtë sepse ato ekzistojnë dhe aspirojnë që të realizohen.
Kjo e jona është një shoqërie e përbërë nga individë dukshëm jo të lumtur, të izoluar, të mërzitur, e pse jo, e gjendjeve depresive dhe e impulseve shkatërruese, të paaftë për pavarësi, nga njerëz që zotërojnë artin e vrasjes së kohës kot, që me aq këmbëngulje kërkojnë ta kursejnë.
Erich Fromm flet për një individ asnje herë i kënaqur, derisa dëshirat e tij nuk kanë marë fund. Zilia e atyre që duan të kenë më shumë se ata që kanë më tepër se ata, ndiqet nga nevoja për të orjentuar karshi vetes zilinë e atyre që kanë më pak. Kjo masë ndjenjash dhe mendimesh, zellesh dhe egosh shndërrohen në një peshë e rëndë që i mban nën vete “triumfalistin” të shtypur në nevojën për t’u dukur më shumë se ç’është, për tu shtirur ai që të tjerët duan, jo ai që është, për të aktruar, për të mbajtur maskë.
Ky njeri ka zgjedhur tashmë të vuaj. Lakmi e ka nënshkruar aktin e luftës dhe ne kemi zgjedhur jo të jetojmë në harmoni me veten dhe natyrën por kacafytjen në përmbushjen tekave të një oreksi që sa më shumë që e ushqen aq më të padurueshme e ka urinë.
AV