Nga Albert Vataj
Ajo që kanë të përbashkët lulja e parë e pranverës dhe kjo pikturë e John William Waterhouse, (6 prill 1849- 10 shkurt 1917) është emri Narcis.
Mitologjia rreket të na dëshmojë etimologjinë e emrit, filozofia domethënien dhe bashkëkohja viktimizimin. Narcizi, na mëson mitologjia, është biri i nimfës Liriopë dhe lumit Cefis. E ëma në interesimin për jetëgjatësinë e të birit, kërkoi ndihmën e një orakulli, i cili i tha se ai do të ketë një jetë “Po kaq të gjatë sa nuk do ta njohë vetveten”.
Narcisi, djaloshi me bukuri të rrallë, rrëmbeu adhurimin e shumë djemve dhe vajzave, por ai gjithnjë kishte një arsye t’i largonte me një përbuzje të paepur, duke përfshirë këtu edhe nimfën e bukur Eko, e cila ishte e dashuruar marrëzisht pas tij. Ndoshta ajo nuk i dukej aspak e këndshme dhe e veçantë, ndërsa i qasej Narcisit duke e mikluar me çka të tjerët i thonin atij.
Njëra nga viktimat e Nracisit, sqaron mitologjia, u kërkoi perëndive të bëjnë gjithçka që edhe ai të jetë i lënduar, të provojë dhimbjen e përbuzjes dhe nënçmimit, çka i bën të vuajnë adhurueset e tij dhe të gjithë ata që e kanë të pamundur të zotërojnë objektin e dëshirimit.
Afrodita, perëndesha fshikulluese e të gjithë atyre që flakin tej dashurinë e ndëshkoi rëndë Narcisin. Narcisi duke kaluar një ditë pranë një burimi të kulluar, u përkul të shuante etjen por kaloi në ekstazë duke parë fytyrën e vet të mahnitshme. (Ky moment është jetësuar në sa e sa grafika, piktura dhe gravura.) Por askush nuk mund të hidhet në krahët e dashurisë për vetveten. Kështu që, sapo Narcisi i afrohej pasqyrimit të tij, ai zhdukej duke e shuar ëndjen për t’u ndjerë i marrosur pas bukurisë së vet. Narcisi tashmë i dëshpëruar që nuk mund të kishte një tjetër në krahët e tij, i sëmbuar nga vetmia dhe braktisja, ai qëndroi pareshtur buzë ujit dhe përpiqej papushim të shihej me pasqyrimin e tij. Fati i tij tragjik është tashmë i parathënë. Ai mohon çdo gjë që e rrethon dhe shuhet duke lënguar. Me gjithë të keqen që ka bërë, motrat e tij, nimfat e burimeve dhe të drurëve, najadat dhe driadat, e qajnë me lot.
Edhe perënditë nuk dëshirojnë që ai të zhduket mes harresës, të përpihet prej mungimit. Kështu ata e përjetësojnë emrin e tij tek një prej luleve të para të pranverës.
A është vetëkënaqësia që rreket të manifestohet përmes shumë mjetesh shprehëse që moderniteti i promovon si domosdoshmëri, një cytje bashkëkohore e Narcisit, një kompleks, një nevojë për t’u vetëkuruar në të tashmen e ngulmit prej argamedini të njerëzve, që dukjen e jo përmbajtjen e kanë renditur ndër prioritetet?
Është pamja, është dukja, janë hiret, bukuria, ato që duke u kthyer në një zot i pamëshirshëm i fatit tonë, po kërcënojnë papushim jo vetëm thelbin, përmbajtësore, por edhe kohën.
Rëndësia që ka bukuria, në të përditshëm e njeriut modern, dhe jo vetëm, natyrisht është e një rëndësie që merr vlerë dhe ofrohet si shkaksi e garancisë së suksesit. Psikologjia, megjithëse nuk e përjashton impaktin që ka paraqitja në raport me të tjerët, në manifestimin e atyre marrëdhënieve që kërkojnë kushtet dhe rrethanat, ajo gjithsesi e konsideron po kaq të rrezikshme sa dhe mitologjia Narcizin, po kaq kërcënuese varësinë nga vetkënaqësia dhe po kaq vetviktimizues e parashton individin e shëmtuar, i cili edhe kur ai është përfshirë në një mjedis ku diferencës edhe nëse nuk i duhet të kalojë përmes njësive matëse, gjithsesi ai ndjehet i kërcënuar. Sepse brenda vetes ai është një viktimë dhe peshën e rëndë të këtij kafshimi, ai e ndjen pikërisht këtë në rastet kur ai ndodhet ballas me një vetvete që e urren.
Ndoshta armiku numër një i të bukurve mund të mos jetë diferenca dhe distancimi që ata promovojnë direkt dhe indirekt në mjedise sociale, por është inferioriteti i jo të hishëmve, që viktimizon, që ngre gjithë mure ndarës, energji shtytëse dhe motivim diferencimi. I bukuri e di se është bukur dhe është familjarizuar me këtë fakt. Ai mund të mos e paraqesë këtë fakt si pasaportë, por edhe nëse përpiqet të jetë i përkorë, modest dhe jodiferencues për shkak të aparencës, atë gjithnjë e paragjykojnë, ai gjithnjë është viktimë e atyre, të cilët duke mos mundur të hakmerren ndaj fatit, ata gjithnjë prodhojnë energji negative që i mban gjithnjë të spostuar, gjithnjë të mënjanuar. Edhe pse bukuroshët nuk e lejojnë veten të jenë pre e viktimës mitologjike të Narcizit e nëse ai nuk e trajton këtë si aset dominimi, janë ata që ndjehen të shtypur nga kjo energji
Kurrë njerëzimi nuk i ka dhënë kaq rëndësi asaj që reflekton në pasqyrë, në honin më të thellë ku groposim kohën tonë të vyer, në varrin e hapur prej nga ndjellakeqja na ndjek si një fantazëm.
Facebook dhe jo vetëm, krejt ajo qasje e përbindshme e superstrukturës së komunikimit ka evidentuar një nga komplekset më sundues, është fjala për vetëfotografimin, i quajtur “sellfy”. Nevoja e ngutshme për të manifestuar hiret gjallon me të njëjtën egërsi dhe ego të molepsur, siç është dhe ajo e marrëdhënies me paranë. UNI fotografik i propozuar është nga publikimet që rrëmben interesimin më të madh. Kudo dhe pareshtur, pa dallim moshe, gjinie, përkatësie politike e posti shtetëror, vetëfotografimi, më shumë se një nevojë për të pasqyruar vetveten në sytë e botës mbetet një cytje për të mbushur boshin që e gërryen Narcisi dhe fati i tij tragjik.