Nga Alberet Vataj
Ekziston bindja, për shembull, se çdo vend njëjtësohet me një libër. Duhet të kujtojmë këtu se myslymanët i quajnë izraelitët njerëz të Librit, le të kujtojmë gjithashtu atë që ka thënë Henri Heine në lidhje me kombin, atdheu i të cilit ishte një libër Bibla, çifutët. Dhe lind kështu ideja e re, sipas së cilës çdo vend duhet të përfaqësohet nga një libër, apo nga një autor që mund të ketë shkruar shumë libra.
Është e çuditshme – dhe nuk besoj se ky fakt është vënë re deri tani – por vendet kanë zgjedhur individë që nuk u ngjajnë shumë. Dikush, për shembull, mendon se Anglia mund të kishte zgjedhur Samuel Johnson-in, por ajo ka zgjedhur Shekspirin dhe Shekspiri është si të thuash – më pak anglezi ndër shkrimtarët anglezë.
“Understatement-i, pra, është karakteri tipik i anglezit. Por Shekspiri prirej ndaj hiperbolës në metaforë dhe nuk do të habiteshim fare nëse ai do të kishte qenë italian apo çifut.
Kështu ka ndodhur edhe me Gjermaninë, ky vend i bukur fanatik për hiçgjë, zgjodhi pikërisht një njeri tolerant, aspak fanatik, të cilit nuk i intereson shumë nocioni atdhe, pra zgjodhi Gëten. Gjermania përfaqësohet nga Gëte.
Në Francë nuk është zgjedhur ndonjë, por ka një dobësi për Hygoin. Natyrisht, unë ushqej një admirim të madh për Hygoin, por Hygoi nuk është francez tipik. Hygoi është i huaj për Francën: me dekoret e tij të mëdha e me metaforat e panumërta, ai s’është përfaqësues i Francës.
Edhe më i habitshëm është rasti i Spanjës. Ajo mund të përfaqësohej nga Lope De Vega, nga Calderon, nga Quevedo. E pra, jo! Nuk ndodhi ashtu! Spanja përfaqësohet nga Migel de Servantes. Servantesi është bashkëkohës i Inkuizicionit, por është një njeri tolerant që nuk zotëron as virtytet dhe as cenet e spanjollëve.
Ngjason sikur çdo vend mendon se duhet të përfaqësohet nga dikush që ndryshon prej tij, nga dikush që mund të jetë si një lloj bari shërues, një lloj opiumi, një kundërhelm ndaj të metave. Ne argjentinasit, mund të kishim zgjedhur “Fakundon” e Sarmientos, që është libri ynë, por jo; me historinë tonë ushtarake, me historinë e betejave, ne kemi zgjedhur si libër kronikën e një dezertori, kemi zgjedhur librin “Martin Fierro”, që padyshim meriton të zgjidhet, por si mund të mendohet që historia jonë të përfaqësohet nga një dezertor i pushtimit të tokave? Gjithsesi kështu është: çdo vend duket se provon mbëhinë e kompensimit.