Nga Albert Vataj
Plot 70 vite mbushen sot prej vdekjes së At’ Anton Harapi. Jeta e këtij teologu, filozofi, sociologu, prozatori dhe atdhetari do të shuhej nën plumbat e një skuadre pushkatimi mëngjesin e 20 shkurtit të vitit 1946. Ekzekutimi i tij është nënshkruar një ditë më parë me 19 shkurt nga Gjyqi Ushtarak i Tiranës, me kryetar, Koli Xoxe dhe Prokuror Bedri Spahiu.
“Kam punue për Shqipni ballfaqas. Nuk pres shpërblim, por as denimi nuk ka pse m’pret. Bashkatdhetart e dinë fort mir se kurr nuk i trathtova. Me ta vuajta, me ta punova, me ta qindrova, me ta gzova. Me ta edhe do des. Eshtent e mi, n’token e t’parve t’jen testamendi em”. Eshtë kjo apologjia e vërtetë e këtij Sokrati, e këtij martiri.
Në udhën e mbrame për te vendi i pushkatimit, këtu e 70 vite të shkuara, At’ Anton Harapi hidhte me kujdes hapat atë mëngjes me shi, duke ngritur herë-herë kindet e zhgunit të fratit, për të mos u stërpikur nga balta që e shtronte rrugën. Një prej ekzekutorëve duke e vëzhguar këtë përkujdesje të shërbestarit ndërhyn duke i thënë: “Mos ki dert, o prift reaksionar, se te balta ke me perfundue. E meshtari i urtë i’a kthen: “Atje tek shkoj biri im, dua të shkoj i panjollë, siç jam kenë tanë jetën”.
Kjo ndërmendje në përvjetorin e shtegtimit në udhën e pasosun të At’ Anton Harapin, misionarin e madh të fesë e të idealeve kombëtare, është një detyresë që vjen prej nevojës që duhet të përmbush çdo gjeneratë në emër të dijendritjes dhe së vërtetës. Ai u akuzua si tradhtar, faj të cilën nuk e kreu kurrë, por vdiq si një fisnik duke kërkuar mëshirë për dhunuesit, u fik si një martir i Kishës me Krishtrin në gojë… dhe kujtohet si një veprimtar i paepun i dijes dhe atdhetarisë.
***
Dom Kolec Prennushi: “… mendje dialektike, qi shkruen kryeartikuj, nder cillt disa janë kryvepra. Dija e thell, arsytimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem, dallojn gjith shkrimet e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoht, por ai asht i drejt e i pafajshem”
***
“A e dini se çdo ndêrtese i vihen temelet n’dhé? Edhe pse n’vàrr, ne hijshëm duhet t’jemi gurt’ e temelit t’njiasaj bînaje t’cillin sot e quejm Shqypni”. Janë këto fjalë të qëndisuna me zemër të gatueme me prushin e atdhedashunisë dhe hirin e shenjt të shërbestarit, t’devotshmit të rrugës së vërtetë, diejtuesit, mendimtarit, shkrimtarit, veprimtarit politik dhe fratit françeskan At’ Anton Harapi, i cili datëlindi më 5 janar 1888 në Shirokë, Shkodër.
***
Me 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, do t’u shprehte kështu:
“Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën : a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.
***
Át Anton Harapi në burgjet e diktaturës, nga Pjerin Sheldija
I nxitur siç qe kleri për mbledhjen e folklorit dhe vendosjen në hulli të trashëgimisë së urtisë zakonore në krejt gjerësinë e vet, edhe P. Antoni gjatë kohës kur shërbeu si famullitar në Grudë mori shënime rreth ndodhive, të cilat u botuan tek e përkohshmja françeskane “Hylli i Dritës” ndër vitet 1933-’35 me titullin Urtí e burrní nder banorë të Cemit. Prej mbrujtjes me edukatë austriake që përftoi, i jepte shumë rëndësi të posaçme pedagogjisë, dhe prejse tekstet apostafat për këtë lëmë nuk qenë shqipëruar ende, atëherë më 1925 boton përkthimin e “Edukata a se mirërritja e fëmivet” të Anton Herget. Ligjëratat e mbajtura në gjashtë konferenca në Korçë botohen po ashtu si libërth më 1936 me titullin “Vlerë shpirtërore” dhe u ribotua më 1942[1]. Rikthehet me prozën e tij psikologjike më 1939 me “Valë mbi valë”, ku përshkruhet rrugëtimi i tij drejt Grudës. Emri i tij përmendet në historinë e letërsisë shqipe tek vëllimi “Shkrimtarë shqiptarë” të 1941 të përpiluar nga Resuli e Gurakuqi.