Nga Albert Vataj
Përulja është mirënjohja që i detyrohemi piktorit Ibrahim Kodrës dhe gjithë atyre që nxorën këtë vend të vogël nga anonimati, i hoqën prej qafe vargonjtë e anatemës dhe përbuzjes, duke e vënë atë në podin e nderit, si të barabartë mëse të barabartëve.
E kush më mirë se një talent i madh mund ta përfaqësonte Shqipërinë tonë të vogël në botën e sprovave të kurajshme të meritimit të famës, më denjësisht se Ibrahim Kodra. Ai pati fatin dhe përgjegjësinë e madhe të përfshihej nga shtjellat rrapëllitëse të një shekulli transformimesh të themelta artistike dhe estetike, dhe ishte kjo erë e re e sfidës së shpirtit dhe kumtit që mori prej tij pjalmin më të ëmbël për të pllenuar atë identitet që do të rrëmbente interesimin e elitës së artit.
Ibrahim Kodra… ” primitivi i një qytetërimi të ri”, kësisoj e ka përkufizuar më 1947, poeti francez, themeltari i lëvizjes surrealiste, Paul Eluar (14 dhjetor 1895-26 nëntor 1952) kumtin e penelatës së shqiptarit nga Ishmi i Durrësit, Ibrahim Kodra (22 prill 1918- 7 shkurt 2006).
“Miku im piktor shqiptar! Një piktor i veçantë! Edhe firma juaj është një vizatim, si veprat e tua”, ndërmendim ti ketë thënë Ibrahim Kodrës spanjolli i bashkëthemelimit të kubizmit, kulmëtari i artit të shekullit XX, Pablo Pikasso (25 tetor 1881-8 prill 1973), i cili u njoh me Ibrahim Kodrën gjatë një Konference Ndërkombëtare të Paqes më 1948.
“Ai, – shkruan Hans Kinkel në “Stuttgarter Zeitung” më1959 – është konsideruar si një prej më të mëdhenjve të gjeneratës së re të piktoreve italianë. Në pikturat e tij ka një origjinalitet midis lirizmit dhe gjeometrisë. Pëlqen ngjyrën e kaltër që e luan në të gjitha tonalitetet, duke e bërë pjesë themelore të shprehjes. Lirizmi i lehtë, është një mënyrë gati “naive” qe na kujton Paul Klee”
“Lirizëm dhe magji, por edhe autenticitet, në të cilin drama antike dhe moderne janë në konflikt me njëra-tjetrën…” citon Francesco Carbone.
“Me një sintezë kapriçoze, abstragime gjeometrike dhe kompozime piktoreske, Kodra arrin efekte të mrekullueshme të peizazheve detare…” njëmendet me 1959, Karl Diemer.
Besoj se njohja me veprën e tij ka rëndësinë e vet, sepse tek e mbramja, është një figurë artistike me famë botërore dhe që i përket universit shqiptar.
Ka ndodhur shpesh që jeta i tregohet koprace artistit në gjallje. I ka “mjelë” frymëzimin e çdo dite, pa i kthyer shpërblimin. E kanë lënë jetën njerëzore pa e ditur se më pas do të bëheshin pjesë e përhershme e historisë së artit. I tillë ka qenë Ibrahim Kodra. E tillë është orvatur të gjegjet jetës së tij, prej fëmijërisë e deri tek e vona.
Ibrahim Kodra u lind në Likmetaj, në Ishëm të Durrësit. Në moshën 3-vjeçare mbetet jetim, i vdes e ëma, Xhixha dhe rritet nga gjyshi Shabani. I ati Murati, ishte marinar, njeri që donte detin dhe poezinë. Ibrahimi pati një fëmijëri të vështirë si shumë gjeni. Punoi si disenjator për një tregtar të qytetit të Durrësit. Vazhdon studimet në shkollën teknike të Harry Fultzit, ndjek kursin e pikturës në shkollën e parë të vizatimit nën drejtimin e skulptorit Odise Paskali, derisa bie në sy të drejtorit të doganave të Durrësit, i cili e ndihmon të futet në oborrin mbretëror, ku edhe njohu direkt mbretëreshën Geraldina, e cila më 1938-n e çon të studiojë në Itali me një bursë studimi nga Oborri Mbretëror.
Në Milano ndjek studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera. Ndjek kurset e Aldo Caprit e më pas të Carlo Carra, përsa i përket pikturës, ndërsa për skulpturën ndjek kurset e Francesco Messina.
Jep me sukses provimet e pranimit në Akademi, e cila ende në atë kohë ishte shumë rigoroze në pranimin studentëve dhe përzgjidhte ata që ishin të destinuar të bëheshin të famshëm. Pas mbarimit të studimeve dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ai përfshihet në lëvizjet artistike të Milanos, “Oltre Guernica”(1945) dhe “Linea”(1947).
Ekspozon së bashku me Pikasso, Dufy, Dali, Modigliani, Ernest, Mattisse e të tjerë personalitete të kohës.
Kodra ngjitet në elitën e artit të Europës. Ka një koleksion të pasur çmimesh, ku mund të evidentojmë: Medalja e Artë e Akademisë Franceze, “Qytetar Nderi” në shumë qytete të Italisë, çmimi “Ambrogini i Artë” nga Bashkia e Milanos. Më 1996, Presidenti Sali Berisha i akordon titullin e lartë “Nderi i Kombit” për atë që ishte dhe mbeti i tillë.
Vepra e Kodrës, gjendet në të gjithë botën, galerinë prej 6000 punësh të tij përbëjnë visaret e çmuara në muze, galeri, e koleksione private. Vepra e tij është pasuri botërore dhe kombi ynë nderohet me të.