Filozofi mendon e mendon, ndërsa besimtari braktis vazhdimisht mendjen. Zoti bujt përmes përuljes.
Filozofia është kundër mrekullisë.
Rruga e filozofisë nuk kryqëzohet aspak me të vërtetën. Është vetëm gjimnastikë racionale. Një filozof mund të debatojë vetëm me një filozof tjetër, e kështu vazhdojnë për shekuj pa nxjerrë gjë në dritë, duke e katandisur zgjuarsinë në keqpërdorimin më të keq të mundshëm. Kur them se nuk jam filozof kuptoj se i afrohem realitetit me zemër, jo me mendje. E urrej filozofinë se është vetëm humbje kohe.
Buda është kundër filozofisë. E quan korruptuese, të bën të ditur, por jo njohës. Ndot qenien e brendshme. Qëndroni të pastër përbrenda.
Filozofia nuk është reale, thjesht ke humbur kot. Filozofi vetëm mendon por nuk provon, dhe ka gjëra të cilat nuk nuk rroken vetëm me mendje, ose i përjeton ose jo. Si mund të mendosh për të vërtetën, kur nuk e njeh? Si mund të mendojë një qorr për ngjyrat, dritën e ylberin, fluturat e lulet? Çdo gjë që të sjellë ndër mend do të jetë e gabuar.
Filozofia nuk është qëndrim ekzistencial ndaj ekzistencës, prandaj nuk nxjerr dot përfundime. Vërdalloset pafund brenda së njëjtës brazdë.
Wittgenstein thotë: Filozofia nuk bën asnjë ndryshim. Bëhesh filozof i madh, di shumë, por ngelesh gjithmonë i njëjti, nuk ka revolucion.
Filozofia vjen rrotull, mbetet jovendimtare, dhe të jesh gjithë jetën i tillë të ka ikur jeta për lesh.
Vetë qëndrimi i filozofisë është të nxjerrë probleme nga çdo gjë. Nëse je i lumtur – përse? Kur je i mërzitur – hajt mo! I lumtur, i gëzuar, sidoqoftë filozofi problem e bën. Belabërës. Në fillim i hap punë vetes, pastaj nis të zgjidhë halle.
Filozofi, do s’do bëhet serioz. Sa më thellë shkon monopateve të filozofisë, aq më serioz bëhet, sepse sa më shumë i largohet jetës, dashnis, aq më shumë i zvogëlohen kënaqësitë prej bukurisë, kremtimit, festës, gallatës.
Filozofia nuk zgjidh gjë, megjithëse premton. Por eksperienca që zgjidh problemet e mendjes nuk arrihet me arsyetime filozofike, prandaj Buda ishte kundër, nuk kishte njeri më kundërshtar se ai, pasi me eksperienca e tij të hidhura kuptoi se thellësitë filozofike ishin vetëm sipërfaqësore. Edhe mendimtarët e mëdhenj ngelen të rëndomtë. Asgjë nuk zgjidhin, pavarësisht se dinë gjëra. Dhe mendja ngre të gjitha llojet e pyetjeve, pastaj gënjen veten duke u gjetur përgjigje. Po ti bën pyetje dhe po ti u përgjigjesh. Injoranca krijon pyetje e përgjigje, e njëjta mendje. Thellë-thellë, vetë mendja është pyetje. Gautama Buddha është alkimist. Të tregon si të shndërrosh energjitë nga qendrat e ulëta drejt të lartave, nga balta drejt zambakut, nga hekurishtet drejt floririt, nga gurët drejt diamantit. Ai është shkencëtar i brendësisë, aspak filozof.
Filozofia mëton të njohë, por nuk ia del. Besimi nuk përpiqet të njohë, por di. Filozofia është gjimnastikë në tym. Po, flet për gjëra të mëdha – dashuri, liri, Zot, meditim – por vetëm flet për to. Filozofi kurrë nuk mediton, por flet për to, hamendëson, por kurrë nuk i shijon.
Filozofia beson në mendim e religjioni në besim. Një mendimtar dyshon kollaj, por nuk beson lehtë. Besimi kërkon besë të brendshme. Filozofi jeton përmes logjikës, besimtari përmes dashurisë.
Shkenca përparon me anë të dyshimit. Besimi rritet me mrekullinë. Në mes qëndron filozofia, ngelet mes dyshimit dhe mrekullisë. Nëse dyshon shumë bëhet shkencëtar, prandaj filozofia po zhduket nëpër botë: 99% e filozofëve janë bërë shkencëtarë. Dhe një njeri diku, një Buber ose Krishnamurt apo Suzuki, mendje të mëdha, mendimtarë të mprehtë, bëhen besimtarë. Filozofia po e humb terrenin.
Filozofi mendon për dashurinë, megjithëse nuk dashuron e nuk ia ka idenë. Nuk e ka shijuar, por mendon për të. Ç’mund të mendosh për dicka që nuk e njeh, dhe ç’nevojë ke ta mendosh aq shumë kur e ke provuar tashmë? Prandaj jam kundër filozofisë. Nëse nuk ke përvojë është e kotë; nëse ke përvojë është edhe më e kotë akoma.
Nëse ndjek Platonin bëhesh filozof. Nëse ndjek Budën bëhesh besimtar. Besimi nuk është filozofi, por përvojë.
Filozofia nuk të çon gjëkund. Shumë përgjigje nuk të çojnë askund. Kaq shumë përgjigje dhe asnjë pyetje. Por i gjithë thelbi është se filozofit nuk i’a nxë goja të thotë “Nuk e di!”
Filozofia është një lloj sëmundjeje, shumë e rrezikshme dhe pothuajse e pashërueshme. Do t’ju doja të mos bëheshit filozofë, por kërcimtarë, këngëtarë, flautistë, sepse jeni më afër botës sime të meditimit. Theksi im mëton të zgjojë të qeshurën, sepse kjo botë nuk është për të mjerët, për ata që janë mësuar tashmë me ankthin e vuajtjen. Kjo botë u përket atyre që jetojnë çastin e në ekstazë. Hareja, ndjenja e humorit e joserioziteti janë cilësitë themelore të një qenieje besimtare.
Është rrugë e gjatë për një filozof deri te besimi, shumë e vështirë, pothuajse e pamundur, pasi duhet të shkatërrojë veten plotësisht. Prandaj këta filozofët shpikin lojëra: e kanë quajtur teologji. Nuk është besim, por vetëm truk filozofësh që të ndihen besimtarë. Ata mendohen për bukurinë, të vërtetën, atë e këtë, pastaj zënë e mendojnë për Zotin. Teologji do të thotë Logjikë për THEOS, logjikë për Zotin, të cilin nuk e lënë pa e bërë edhe atë problem. Është vetëm filozofi, nuk fare lidhje me besimin. Kaq.
Besimtari nuk bëhet kurrë filozof, është pamundur, nuk është e natyrshme. Është e vështirë për një filozof të bëhet besimtar, sepse duhet të bëjë prapa. Vërtet është kundër natyrës të bësh prapa, por është e mundur. Shumë rrallë ndodh, por ndodh, dikush edhe mund të flakë tutje investimet e një jete të tërë në filozofi. Në fund të fundit, vazhdojnë të këmbëngulin në teoritë e tyre dhe mbyllen në vetvete.
Përktheu Arben Orhani