Nga Alberet Vataj
Përkundra «orientimit nihilist» të Hajdegerit dhe Jaspersit, Nikola Abanjano kërkon zgjidhje «pozitive» të problemit të ekzistencës. Me këtë rast ai tregoi perspektivën e re të ekzistencializmit: «Njeriu në çdo rast kërkon të kënaqurit, përmbushjen, stabilitetin, të cilat i mungojnë. Kërkon qenien. Nëse e kërkon qenien atë nuk e posedon, ai nuk është qenie. Të bëhesh i vetëdijshëm për këtë të fundme, të studiosh deri në fund natyrën e saj, është detyrë fundamentale e ekzistencializmit. Por të bëhesh i vetëdijshëm për këtë të fundme ose ta studiosh, nuk do të thotë ta bësh vetëm objekt të spekulimit, por të marrësh ndaj saj qëndrim dhe të vendosësh mbi pasojën. Këtu tregohet qartë perspektiva e re e ekzistencializmit. Ai kërkon nga njeriu preokupim në të fundmen vetjake».
Nikola Abanjano (ABBAGNANO, Nicola), filozof ital. (1901-1990). Një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të ekzistencializmit në Itali. U doktorua në vitin 1922 me tezën Burimet irracionale të të menduarit. Prof. i filozofisë dhe i pedagogjisë në Napoli, kurse nga viti 1939 është shef i katedrës së historisë së filozofisë në Torino. Ekzistencializmi i tij shpesh u konfrontua në mënyrë polemike me disa teza të Hajdegerit dhe Jaspersit. Numri më i madh i veprave të tij u kushtohen problemeve të religjionit, të artit dhe të lirisë, çështjeve gnoseologjike- teorike dhe studimeve në fushën e his-torisë së filozofisë.
Një nga veprat më të rëndësishme të Nikola Abanjano është Struktura e ekzistencës, në të cilën flet mbi njeriun në relacion ndaj qenies. Për të njeriu në esencë është strukturë, formë në të cilën «si-tuata finale» e përpjekjes kah qenia realizon unitetin esencial personal me «situatën fillestare». «Situata finale» është themel dhe justifikim si «mundësi e mundësisë», kurse ky raport njëkohësisht një aspekt probletnatik i ekzistencës. Njeriu me dashjen ekzistenciale mund të pranojë situatën e vet dhe, duke u angazhuar, në të njëjtën kohë realizohet në transcendentimin e vazhdueshëm të vetvetes ndaj qenies. Nikola Abanjano konsideron se gabimi i për-bashkët i të gjitha varianteve të filozofëve evropianë të perëndimit të ekzistencës (p.sh. Hajdegerit, Jaspersit, Sartrit, Kamysë e tjerë) është shmangia e plotë e problematikës se vlerave dhe të normatives. Ai konsideron se në konceptin e «mundësisë transcendentale» ka gjetur zgjidhjen adekuate për normativën dhe se me këtë ka evituar relativizmin vlerësor.
Në veprën Arti, gjuha, shoqëria, Abanjano tregoi sesi, në realitet, kontrollohet arti nga rrethi i tij shoqëror dhe si tradita, institucionet dhe interesat klasore ndikojnë në aktivitetin e artit, por njëkohësisht tregoi edhe se si artisti e kontrollon shoqërinë. Arti është gjuha: ai është aktivitet semantik i lirë, i pavarur nga aplikimet e përgjithshme. «Kthimi natyrës», si e kupton Nikola Abanjano, artin e lidh me realizimin autentik të ekzistencës njerëzore. Njeriu, që me ndjesinë e vet ka një relacion ndaj objektit në botë vihet me anën e artit në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe të pastër me ndjesinë që kushtëzon objektet. Me orientimin e tij të tërësishëm në problemet ekzistenciale të njeriut, Nikola Abanjano hoqi dorë nga qëndrimi kontemplativ pasiv ndaj artit «në zotërimin e të cilit njeriu mund të kënaqet lirisht» që është karakteristikë për shumicën e estetikave tradicionale. Pavarësisht nga mënyra herë-herë jo e zakonshme e të shprehurit dhe të theksuarit të tepërt të momentit të vetndërdijes emocionale lidhur me «kthimin natyrës», dhe madje edhe pavarësisht nga identifikimi i paarsyeshëm i angazhimit reaksionar dhe revolucionar, Abanjano me futjen e tij të thellë në sferat primare të artit si dhe me tezën se arti, kundruall çdo lloji të relacionit lëndor (në të cilin ekzistenca shkapërderdhet në dobishmëri) është unitet i drejtpërdrejtë i objektit dhe i personalitetit, tregoi qartë mbicaktimin mendor të koncepteve të shumta estetike bashkëkohore.
Veprat kryesore: Principi i metafizikës (1936); Struktura e ekzistencës (1936); Hyrje në ekzistencializëm (1942); Filozofia, religjioni dhe shkenca (1947); Historia e filozofisë (3 vëll. 1946-50); Arti, gjuha, shoqëria (1951); Mundësia dhe liria (1956) – Problemet e sociologjisë (1959); Fjalor i Filozofisë (1960); Njeriu, projekt i shekullit 21. (1980).