Nga Albert Vataj
Anton Pashku ishte dhe mbeti shkrimtari shqiptar më i dallueshëm i vlerës dhe traditë së rrëfimtarisë. Ai ishte një lloj fenomeni letrar. Vepra e tij përmban shumësinë e mendimit, larmishmërinë e figurative të fjalës dhe njëkohësish të vetëdijese së vlerës estetike të ngritur deri në model. Vlera dhe kontributi që dha ai në letërsinë shqipe është e shënjuar në atë risi, ndryshesë transformuese, në atë erë të re të narrativës dhe shprehshmërisë së gjëndjes dhe situatës brendandjesore dhe forcës shprehëse dhe energjisë përçuese të tekstshkrimit.
Anton Pashku mbeti një lloj fenomeni letrar me prirje të vazhdueshme drejt përsosmërisë artistike; vepra e tij shfaqet me shumësi mendimi, shumësi figurative të fjalës dhe njëkohësisht me vetëdije të lartë estetike të ngritur deri në model. Shkrimtari pati shënuar se “Gjuha e veprave artistike nuk është dhe nuk mund të jetë një “gjuhë normale”. Ajo nuk është e tillë as atëherë kur, fjala vjen, artisti i fjalës merr e shkruan për “gjërat më normale” nga jeta e njeriut. Shenjat e gjuhës së tij janë shenja të gjuhës poetike. Kur janë të ngjeshura mirë e mirë pranë njëra-tjetrës, këto shenja krijojnë aso relacionesh të reja që mund të kyçin ndër to eksplozionet e panumërta jetësore që kanë intensitete shumë të larta”.
Pashku, “Xhojsi i letërsisë shqipe” (I. Rugova), la pas një vepër solide letrare, me shfaqjen e saj më të dukshme të modernitetit dhe si çdo krijimtari natyrale që dallohej menjëherë prej letërsisë vegjetuese, të përkohshme, të letërsisë për letërsi, u fut dalëngadalë në rrethin e vlerave estetike më të qëndrueshme të letrave shqipe, në zonën vepruese, të pacënueshme nga zhurma e viteve e nga vepruesit jashtëletrarë, më saktë, nga zhurmuesit e tillë, të cilët kanë vepruar sistematikisht, pavarësisht se pa rezultat, mbi disa nga përfaqësuesit më të cilësishëm të letrave shqipe, e lartëson në kushtoren e tij, Petrit Palushi.
Anton Pashku lindi më 8 janar 1937 në Grazhdanik (katund afër Prizrenit). Nënën, Getën, e kishte nga Zymi, kurse babën, Tonin (bukëpjekës), nga Karashëngjergji (katund pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut). Kishte të kryer shkollimin e mesëm – Gjimnazin real në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në Rilindje, njëherë gazetar, mandej redaktor i Rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese Rilindja. Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995. Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: “Nën qarr po rrinte vasha”, “Floçka”, “Kulla”, “Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë”, “Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit”, “Kënaqësitë e Megalopolisit”, “Anija e dehur”. Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani “Oh” ka bërë një ndikim të ngadalshëm por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut “Sinkopa” e “Gof” janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve. Vepra e tij letrare, është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë është materie që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe, ku ligjërohet letërsia bashkëkohore shqipe.
Por për çfarë shkruante dhe si shkruante Anton Pashku, kur ende nuk i kishte mbushur të njëzetat? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po sjellim dy tregime (poetike), që së bashku mund të përfshihen vetëm brenda një faqeje libri. Fjala është për tregimet “Në stuhi” dhe “Klithma”, që të dyja botuar në vitin 1957. Në të dy rastet bartësit e ngjarjes janë maksimalisht të reduktuar
Anton Pashku sjell një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare. Çështja bosht në rrëfimin romanor të Anton Pashkut është veçanërisht vetëdija e autorit për pozitën e tij dhe perspektiva e synimit të këtij rrëfimi. Shtresimin ironik gjatë gjithë rrëfimit, rrëfimtari do ta derdhë e ta përhapë tërthorazi, e jo si deklarim të qëllimshëm dhe moralizues. Reflekset ironike dhe aludive përjetohen drejtpërsëdrejti nga lexuesi dhe janë më mbresëlënëse se një fotografi e gjallë e një realiteti absurd. Rrëfimtari e nis udhëtimin nga një kohë e pacaktuar që gjatë ecjes fiton peshën e një vatre të gjallë dhe jehona e reflekseve të së kaluarës shfaqet si përsërítje e pafund e dramës sonë kombëtare. Ky vizion i fuqishëm dhe largpamës i veprës së Pashkut që përbën tharrmin krijues të tij, realizohet përmes strukturimit të nëntekstit ironik të rrëfimit. Kjo gjë e nxit dhe e motivon parreshtur lexuesin që ta kërkojë atë që nuk thuhet, atë që duke heshtur, e bën lexuesin të jetë zëri kryesor.
Vlerësimet për veprën e Anton Pashkut janë të shumta dhe kritika letrare (kryesisht në Kosovë) e ka ndjekur admirueshëm krijimtarinë e tij prej fillimeve. Por, do thënë se një vepër letrare si e Anton Pashkut, kërkon venerime pas venerimesh. Me gjithë vlerësimet, pra një shumësi konstatimesh për veprën e tij letrare, në dydekadshin e fundit mund të thuhet se, me përjashtime të pakta, ka më tepër një rimarrje të tezave të mëparshme për veprën letrare të Pashkut, sesa një plotësim apo një rishfaqje venerimi. Vepra letrare e Pashkut nuk kërkon të komentohet a të shpjegohet siç bëhet në tekstet shkollore, as shkrimtaria studimore s’mund të qëndrojë si ndërmjetëse shpjeguese ndërmjet tekstit të Pashkut dhe lexuesit. Do parë ai mekanizëm, ajo e veçantë e kodit të komunikimit të Pashkut, me të cilin letërsia e tij ka zënë vend në sferën më t’epërme të letrave shqipe, çka do të shërbente si grishje e vazhdueshme për lexim. Venerimet te Pashku duhen kryer si venerime për një letërsi cilësore, mu aty ku shkëlqimi i tij është më i madh.
“Kulla” e Pashkut
Te Tregimi “Kulla” mund të merret si model-bazë tematike e pjesës dërmuese në krijimtarinë letrare të Anton Pashkut. Përveç temës së dashurisë, që shtrihet në një pjesë të vogël të veprës së tij tërësore letrare, në këtë tregim janë të mpleksura: motivi i lashtësisë, i dramës shqiptare nëpër shekuj, i qëndresës, i ekzistencës, i aktualitetit dhe i vizionit të së nesërmes. Kjo do të vërehet sidomos tek romani “Oh”, ku ky model tematik shtrihet thellë deri në Iliri dhe njëkohësisht, në mbështetje të asaj përvoje dhe të gjasave aktuale, projektohet e ardhmja. Në këtë rrëfim, përmes jetës së dy brezave, të kapërthyer dhe të shtrirë në tërësinë ekzistenciale kolektive të kombit, shprehet aktualiteti i rëndë, ankthi i banorëve të kullës.
Është përvoja e Plakës, pas vdekjes të së cilës Djali projekton të nesermen e vet duke e mbartur tutje përvojën nga e kaluara. Biri, plot ankth, ndien se qëndresa dhe ekzistenca e Kullës është në rrezik dhe sajon mekanizmin mbrojtës pikërisht në sajë të trashëgimisë simbolike të saj. Përmes traditës, rrëfimtari shpalon kulturën shpirtërore kolektive si mburojë simbolike nga kanosja e shprishjes prej dhunës së ushtruar në kohën kur është shkruar tregimi. Dhuna e ushtruar brutalisht përballë mekanizmit të traditës kulturore kombëtare dhe tërësisë shpirtërore kolektive, në art del e përkohshme, kalimtare dhe pa gjasa triumfi. Kështu përmbyllet tregimi antologjik “Kulla”, me ngadhnjimin e së nesërmes, me lidhjen jetike të Birit pas trollit e kullës: rrëfimtari është gjithmonë banor i kullës; brenda saj e kujton të shkuarën nga e cila projekton dhe përcakton perspektivën.
Edhe rrethi tematik i vetmisë, ai i tërheqjes në vete nga çensura e shtypja, edhe rrethi tematik i dhunës dhe i krimit, që zënë vend qëndror në prozën tregimtare të Anton Pashkut, janë rrjedhim i shtypjes dhe i dhunës së ushtruar mbi qenien kolektive shqiptare, historikisht dhe aktualisht. Ky version regjional dhe kolektiv në prozën e Anton Pashkut uníversalizohet si vlerë artistike dhe si mesazh, si filozofi dhe si parim moral.
VOX-i I ANTON PASHKUT
Raporti ndërtekstual me Shkrimin e Shenjtë tek “Oh” del, me përbërës të caktuar, edhe në planin formal të tekstit Një ndërdialog formash ky. Nëpërmjet figurave të diksionit, qoftë edhe të rimës, në raste, Pashku bashkëthur format e poezisë me të prozës; si në tekstet e vjetra kanunore përgjithësisht.
Sistemi letrar. Jo vetëm teksti si sistem, por shkrimi në sistem. Kësodore dalin së bashku teoria për tekstin si sistem e teksti (praxis-i) si sistem.
Sistemi letrar. Sistemi jo vetëm si rend, si stil, por si nivele teksti, nga shenjuesit formalë te strukturat e tekstit (struktura kompozicionale, ajo e personazheve etj.). Antoni ka punuar gjatë e thellë me tekstin. Deri te një sistem i plotë shenjues. “Ikja” nga përcjellja e të dhënës, në të mirë të shenjimit të saj, del si një shenjë e modernitetit të kësaj vepre; si njëra nga shenjat e një përkatësie të tillë të saj. Shkrimi në sistem, te Pashku, shtrihet nga struktura kompozicionale, nëpër figurat letrare, te ligjërata poetike e stili. Teksti i Antonit është i rrumbullakuar formalisht. Një rrumbullakim i tillë assesi s’e vështirëson komunikimin me idetë, meqë edhe shenjat formale të tij zhvilloben në ide: jo ideja si figurë, por figura si ide. Kësisoj, ajo mbetet një vepër e hapur. Dialogjika në veprën e Pashkut sprovohet e gjen provën e vet gjerësisht. Sa herë që thuhet Antoni im, nis dialog i ri me veprën e tij.
Romani “Oh” ka për farë tregimin. Dorën në zemër, tregimi është farë e prozës përgjithësisht. Tregimi tek “Oh” nënkupton nivel (rrëfimor, gjithsesi) të tekstit. Ky roman ka disa nivele të tilla. Këto nivele, aty, lidhen me kohën e fabulës. Në të vërtetë, koha e fabulës në “Oh” është dyfaresh: reale (tash, një e tashme hipotetike), fiksionale (atëherë). E para është kohë tipike e rrëfimtarit. E dyta – e personazhit – rrëfimtar përgjithësisht; e një rrëfimi që shtresohet vertikalisht (ne kohë). Shtresimi i tillë siguron një sistem jo vetëm narrativ, por edhe kompozicional.
Te ky roman, po në këtë sistem zhvillohet struktura e personazheve. Nis me një Unë të paemërtear e me një Ajo, si “emra” të S e Y, për t’u shkallëzuar deri te personazhet-simbolike. Personazhi i një niveli rrëfimor, në nivelin tjetër merr rolin e personazhit – rrëfimtar, qoftë edhe si një retor. Një strukturë personazhesh kjo e ndërtuar në sistem.
Sistemi poetik është ruajtur edhe në planin e sintaksës poetike, të ligjërimit, domethënë të stilit. Tipike për prozën e Pashkut (për romanin “Oh” sidomos) janë periudhat bashkërenditëse shtuese, bile sisteme periudhash të tilla.
Rashkërenditia e tillë. në ligjërim ecën në logjikën e një rrethi. Kësofare, ligjërata, pasi të jetë zhvilluar, kthehet në pikën e nisjes. Një periudhë kësilloji shfaget sa herë në tekstet biblike. Në këtë kuptim, proza e Pashkut hyn në raporte ndërtekstuale (këtu në raporte ndërstilshmërie) me Shkrimin e Shenjtë.
Raporti ndërtekstual me Shkrimin e Shenjtë tek “Oh” del, me përbërës të caktuar, edhe në planin formal të tekstit. Një ndërdialog formash ky. Nëpërmjet figurave të diksionit, qoftë edhe të rimës, në raste. Pashku bashkëthur format e poezisë me të prozës; si në tekstet e vjetra kanunore përgjithësisht.
Te tekstet dramatike, sistemi formal gjen “territorin” e vet ideal. Meqë tekstet e tilla, përpos për t’u lexuar. shkruhen për t’u shfaqur në skenë, plot-i (këtu kompozicionalisht i përmbysur) bëhet farë formale e tekstit të plotë dramatik. Jo se ky tekst nuk mbetet lidhur me idetë (ekziston teatri i ideve, andaj edhe dramaturgjia e tillë), porse forma e tekstit promovohet si medium i parë që siguron lidhjen me skenën. Njëkohësisht, ajo, forma, sidomos me përbërësit paratekstualë, sugjeron tipin e leximit. Tekstet “vrapojnë” pas lexuesit-model.
Sistemi brendatekstual i tekstil dramatik të Pashkut, shenjohet nëpërmjet shenjuesve formalë (strukturës formale didaskalike); “Gof”; Një epilog, Mbas një epilogu, Para një prologu. Një prolog. Domethënë, shenjohet një sistem formal i përmbysur, nga një epilog te një prolog.
Shenjuesit e tillë të sistemit janë të vlefshëm si për leximin, si për procesin e vënies së tekstit në skenë, meqë shenjojnë intencë moderne të thyerjes së procedeut, që fabulën e thur në rendin shkak-pasojë.
Trashëgimi e tij letrare
Tregimet, Jeta e re, Prishtinë, 1961
Nji pjesë e lindjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1965
Kulla, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1968
Sinkopa, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1969
Oh, roman, Rilindja, Prishtinë, 1971
Kjasina, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1973
Gof, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1976
Lutjet e mbrëmjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1978
Tragjedi moderne, drama, Rilindja, Prishtinë, 1982
Shtëpia Botuese Rilindja në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton Pashkut në tri vëllime:
Tregime fantastike, Rilindja, Prishtinë, 1986
Oh, Rilindja, Prishtinë, 1986
Tragjedi moderne, Rilindja, Prishtinë, 1986
Referimet
Kujtim M. Shala, “Bota Sot”, 6 dhjetor 2003
Petrit Palushi, Tirana Observer
Wikipedia