Analizat e para kimike që ka bërë sonda Curiosity në Mars tregojnë se rëra atje ngjan me atë të Havait. Lajmin e bëjnë të ditur shkencëtarët e NASA-s. Ata thonë se rëra ngjan me rërën vullkanike të Havait. Roboti ka përdorur një makineri me rreze X për të skanuar strukturat atomike të kristaleve në Mars. Kjo është hera e parë që një teknologji e tillë përdoret për të analizuar substancat jashtë planetit Tokë. Synimi i shkencëtarëve është që të zbulojnë nëse Marsi ka pasur ose ruan akoma jetën e krijesave më të vogla ose mikrobeve. Roboti Curiosity është ulur në Mars në gusht të këtij viti dhe do të qëndrojë për dy vite. Misioni ka kushtuar 2.5 miliard dollarë dhe është e para ekspeditë astrobiologjike e NASA-s që prej viteve ’70.