Nga Albert Vataj
Përshkrimore rreth librit me poezi, “Ku je Helena?” të Romeo Gegushit
Në zellin e kumtimeve frelëshuar të shpirtrave për të ligjëruar, poezia paraprin. Në të tashmen e komunikimit me shpirtin, ajo, poezia vjen si një gjendje sublime. Beh në çdo gjest dhe prekje, shikim e aromë, vetmi e ikje, gazmim e dhimbje. Ajo është aty si një pëshpërimë që na çuçurit në vesh fjalë që na ngrohin kur kemi ftohtë, si një kushtrim që na tranda së brendshmi e na ngre mish e shpirt, e na hedh në arenën e përballjes. Ajo, poezia, është aty me poetin dhe vetë poetit një perëndi i rri pranë. Ajo, poezia që vjen dhe na gjen, jo si të gjitha, jo si e të gjithë poetëve, por poezia e Romeo Gegushit vjen dhe na duket se ishte gjithnjë me ne. E tillë është ajo, e afërt, e ngrohtë, melodioze. Ajo, poezia e Romeos rreket të jetë gjithçka që gëlon, gjithçka që vërshon, gjithçka që çastit i jep formë, e vesh me përfytyrimin më të bukur dhe ua bën dhuratë shpirtrave që dëshirojnë.
“Ku je Helena?” më shumë se një libër me poezi është një nevojë e brendshme komunikimi e poetit me njerëzit, me botën.
“Poezia çliron realitetin nga format e stereotipizuara që e burgosin dhe e shkatërrojnë, i jep qenies njerëzore një prani dhe një dinjitet të plotë. Poezia nuk është ushtrim i imagjinimit, por hapësirë e arsyes, e çliruar nga format e saj të varfra apo narcistike. Është fjala jo më e përhumbur nga nocioni në nocion, por e kërrusur, e përbërë nga fjalët rënduese dhe kokrrizore si gurët”. Përmbledhza këtij përcaktimi qëndron kruspill nën zhgullain, shpirti forca shprehëse dhe mëkuesja që ofron poeti Romeo Gegushi me librin “Ku je Helena?”.
“Ku je Helena”, është kjo pyetje që poeti Romeo Gegushi ngre, si një qëmtim brenda një vetvete që gëlon së brendshmi dhe një arsyeje që ngërthehet në vullnesën e ngjizjes së mendimit dhe fjalëve, metaforës dhe mesazhit, vargut dhe poezisë. Ai qëllimisht e vë veten para portave të rënda të kësaj pyetje, ballë kësaj nevoje për t’u ndeshur, si me veten ashtu edhe me realitetin.
Romeo Gegushi vjen me këtë përmbledhje të begatë krijimtarie në një të tashme, kur në të përditshmen që konsumojmë, po flet më shumë fjala se shpirti. Poeti është misionari. Ai nuk është rastësisht aty ku ne kemi nevojë të komunikojmë me të. Poeti në këtë vjen si një obligim, një ngulm për të kërkuar dhe për të gjetur brenda dhe jashtë vetes një magji ligjërimi, e për t’ua ofruar këtë atyre që pas çdo vargu e pas çdo strofe dëgjojnë jo dhe aq zërin e poetit, por atë të shpirtit të tij.
Ja kush është e hyjshmja e poetit, ja kush është e magjishmja e kthimit të pëshpërimave në fjalë e poezi. Ata dalin nga bota e thellë e mëdyshjes, hutimit, dëshirimit, ëndërrimit dhe rebelimit për t’u parë me dritën e diellit, për të jetuar me njerëzit dhe këtë e mundëson veçse poeti. Gugushi, si një somnambul del nëpër natë e mbledh psherëtima dhe ofshamë, kuisje dhe të qara, këngë dhe vaje, hije dhe dritëza dhe me ‘to ai gatuan vetveten e poetit, atij që e ndeshim në çdo strofë, në çdo poezi të librit të tij, “Ku je Helena”.
“Ku je Helena?” është sprova e parë e Romeos, është si një kopsht pranveror i mbushur me të gjitha llojet e luleve dhe trëndafilave, kësisoj kumton poeti Arben Duka për librin e mësuesit nga Përmeti që jeton në Korçë. Kopshtari është kujdesur që lulet të jenë plot ngjyra aromë dhe freski.
Udha e gjatë dhe plot të pamundura, nuk e gjen të shtruar me dafina dhe mirëseardhje Romeo Gegushi. Ky libër, ky hap fillues në këtë tokë të shqelmuar nga mizëri pararendësish është një trokitje me droje në një derë që jo gjithnjë janë gati të ta hapin. Ai sigurisht që këtë e di mjaft mirë, siç e di se poeti, kur ka hedhur krahëve mantelin e ligjëruesit të shpirtit, ka marrë mbi vete barrën e rëndë të dishepullit. Ai tek fjala, vargu dhe tek poezia ai gjen vetveten e heroit. A nuk është edhe vetë jeta një kacafytje. A nuk është ajo një fushëbetejë, një arenë ky siç ka fitues ka dhe të mundur.
Poezia për Romeo Gegushin është ura midis asaj që është dhe asaj që doja të ishte. Gjithashtu, një mundësi për të shprehur gjithçka ai do, pa mërzitur askënd.
Megjithatë, ndryshe nga sa na imponojnë parathëniet, mesthëniet dhe shpesh faturat publicitare që rëndom hapin dhe shoqërojnë krijimtarinë letrare, për “Ku je Helena?” kam të drejtën të shpreh diçka jashtë klisheve dhe dogmave që ndjekin si censurë librat dhe autorë të ndryshëm. Të shkruash një libër është e barasvlershme me të guxuarin e një beduini dhe këmbënguljen e tij për të gjetur jetë përtej zërit që dëgjon dhe që është vetëm i tiji. Këtë mision, ose më saktë në pozita të tilla e gjejmë gurgullimën e së përditshmes të poetit të ri Romeo Gegushi.
Behja e tij me librin “Ku je Helena?” nuk mbetet asgjë më shumë se sa të drejtën e pohimit klasik, se poezia nuk do të thotë, ajo është, poezia nuk sjell, ajo kumton, poezia nuk ngre, sikurse nuk mund as të shembë, ajo himnizon kushtrimet dhe shenjtëron kujat.
Libri “Ku je Helena?” vendosmërisht kërkon të mbrojë të qenin si një hap në universin e trazuar të njeriut, një mënyrë trajtese e çdo thërrmije të përbërjes së tij dhe përrethimit në këtë kapërcyell të ekzistencës së njeriut.
Ajo është formësuar jo edhe aq si një trajtë që na kumton gjithçkanë, sipas poetit, por universalen e forcës së përjetimit. Ky libër është një sprovë e kurajshme e poetit, talentit që mëkon ashtu siç ai ndjen.
Poeti Romeo Gegushi beh me këtë përpjekje modeste për të depërtuar nëpërmjet ravijëzimeve të tij emocionale të formësuara në fjalë, vargje dhe poezi plot dallgë dhe tajfune të njeriut të sotëm.
Me vetveten ai rrëfen fatin e shumëkujt, ai vjen me “Lot dhe këngë” për të kumtuar: U linda u rrita mes dallgësh në jetë,/Me britma, të qara dhe s’u mposhta kurrë,/Por ndodh ndonjëherë loti më rrëshqet,/A thua se ende nuk jam bërë burrë.
I ndjeshëm siç vetëm poeti di të jetë, ai u flet ëndjeve të etura prej dëshirimit me zemër në dorë. Sepse poeti nuk di të shtiret, ai nuk mban maskë, ai nuk ikën, ai është gjithnjë aty edhe kur i duhet pikëllimin ta vadisë me lot. Ky është poeti, ky është Romeo edhe në poezinë “Shikimi i saj”, aty ku: Buzëqeshja e saj, ah, ajo buzëqeshje,/Sa fsheh, sa thotë, dhe nuk mbaron/Si nuk e pashë një herë në heshtje,/Buzëqeshja e saj nuk perëndon. Dhe mbetet aty poeti dhe është në këto vargje Romeo Gugushi edhe kur mëton: Si një zog ikën me vjeshtën/Dhe diku larg ngrite folenë,/Tani dhe fjalët të gjitha heshtën,/Ke mbetur veç; Ku je, Helenë?
Albert Vataj