Nga Albert Vataj
Dy janë mirënjohjet e mija më të sinqerta, sot e mot, Shkodrës, vendlindjes teme. Kjo nan’ epike e legjendës dhe vetëflijimit hyjnuer, kjo zonj e randë e hishme, ka mëku n’mu tançka do të dëshiroja me gjith shpirt, e unë jam mbush deri në gryk me landën më të mirë të kësaj mrekullie. Nisun prejkëtu pohoj se asht kjo gjendje plotënie, e cila ka mbush çdo moment dhe nuk resht me ba të njëjten gja pambarim. Tash munem me than se jam një mundësi, një za dhe një realitet. Kandem prej një dëshire të kahershme për me e kumtu atë që sëmbon çdo brendi, çdo formë tjetër dëshmimi, krejçka që ka lindun dhe heshtjen ka përzgjedh me mëtu pranin e vet, kjo asht dashnia për nji përkatësi gjeografike, e cila shpesh munet me ken vendlindja, e në këtë qasje, më duhet me shënju çka Shkodra provon me m’dhan e unë me ju kushtu me mish e me shpirt.
Fatmirë asht krejtkush ka lindun me nji dëshirë të papërmasshme për me e mush jetën e vet me njeriun e përkor. Por asht privilegj dhe njiherash përgjegjësi e njimendtë me atë të forcës së besimit, për pohu dhe me provu me tansinë e vet, qenësinë shkodran dhe mëvetësinë e dlirësisë dhe ambëlsisë që përzgjedh për ta dëshmu këtë.
Vitet në mu kanë lanë shumë gjurmë, por Shkodra, e krejtçka përbrenda dhe përreth saj, kan ardh tuj u transformu në kujtime. Gjeografia asht ma e tkurrun dhe gjithashtu larmia e emnave, të cilët kanë ardh në mu për me mbetun të pashlyeshme.
Gjithçka që gëlonte asokohe, dhe tash padyshim, në këtë qytet, munet me ken krejt tjetërçka që mbush përditshmërinë tjetërkund. Të jeton gjithnji me ma të bukurën, në çdo çast, kjoshin këta edhe më të zakontit, ishte një zakon dhe trajtesë që i bëhej kohës. Mungesa ma mbush gjithnji me kujtime atë kohë, nejet dhe bisedat e pazakonta. Ecejaket i përgjoj në meditimet e mija si pëshpërima të strukuna në kthinat e të shkumes. Ditët me shi, kuvendimet darkëvonave, ngulmet e vogla për gjana të mëdha, munen me mbush gjithnji suazën e një dëshire për t’ju rikthy atyne ditëve. Derimtash kjo korrnizë ka mund me ken vetëm në mbamendjen teme. Të paktën për sa kohë që nuk e gjej të vjerrun diku në muret e mbetun zhveshur prej librave dhe kujtimeve në strofkën teme.
Aniqysh, tash që ngucatem për me u mbështet mbi kujtime, si nevojë për me sodit të tashmen, nuk du assesi me lëndu kurrnji sedër a me u qas në rikthimin e gjanave me nevojën për me i ndrysho, jo. Do herë, jo si tana herët, një pasion kujtimesh dhe nostalgji me ngas tuj më lëshu mish e shpirtë në ato ditë. Tuj u rikthy, e rijetu ato momente, shumë prej të cilave kan kenë dhe mbeten fletë të shkrume me kujdes në ditarin e pamund të mbamendjes teme, unë, thjeshtë, dashtazi ngasem me davarit tançka ka mjegullu pamjen e tashme, kjoft edhe avulli mbi xham. Përmbi tançka, kjo asht nji nevojë për me përjetu momentet që të mbushin. A nuk kena mirësinë që duke gërmu në të shkumen, me mujt me gjet pikërisht atë që do të shuante urinë e naltësonte shpirtin. Ata vite nuk asht se ishin mbushun me dritë. Pikërisht kjo e ban këtë lojë pasionesh dhe kujtimesh një mundësi shumëngjyrëshe kundrimi.