Melodia e këtyre “arieve” ka një shtrirje shumë të gjerë, që arrin jo vetëm në dy oktavë e më lart, por në shumicën e rasteve, edhe i kalon ato, që e dallon këtë lloj kënge nga ndërtimet e tjera homofonike dhe prandaj nuk mund të quhet thjesht folklorike.
Këngët tona homofonike ndahen mes karakterit: Epik – Burrëror, Liriko – Epik, Lirik- Tregimtar, Lirik – Intim, Erotik etj., por të një stili krijues dhe interpretimi vokal dhe instrumentor, absolutisht krejt tjetër. Të kësaj natyre janë “Jaret” e famshme e aq të njohura të Shkodrës. Për interpretimin e kësaj tip kënge, arie të vërteta, thelbësore është që duhet të njihen domosdoshmërisht shumë mirë disa nga karakteristikat themelore të saj si Frymëmarrja shumë e gjerë e melodisë, e cila vjen si pasojë e shtrirjes shumë të gjerë, që fillon që nga regjistri i ulët vokal deri te notat e larta, akute, të cilat do t’i ëndërronte t’i kishte edhe një këngëtar lirik.
Tipari i dytë është pasuria e jashtëzakonshme melizmatike – zbukuruese e melodisë, me apoxhiatura, me nota zbukuruese, me mordente shumë të holla: glissando, rrëshqitje zanore marramendëse, si edhe grupete prej katër, pesë, e gjashtë notash etj. Tipari i tretë është Ndërtimi strukturor i melodisë së këngës, i cili është tej mase i pasur. Melodia e këtyre “arieve”, ka një shtrirje shumë të gjerë, që arrin jo vetëm në dy oktavë e më lart, por në shumicën e rasteve, edhe i kalon ato, që e dallon këtë lloj kënge nga ndërtimet e tjera homofonike dhe prandaj nuk mund të quhet thjesht folklorike.
Këtë tingull, të tetin dhe më tej, e arrin falë mbështetjes së melodisë jo vetëm me një tingull në tonikë, por edhe me më shumë tinguj poshtë saj. Kadencimi absolutisht i lirë e i gjerë, me ndikim të shkallëve modale si: frigjiane apo më dendur të tërthorit të dytë bizantin. Që të dyja këto gama muzikore, apo llade – term i ardhur nga rusishtja – apo, siç edhe njihen, shkallë plagale, kryesisht, kanë në bazë, notën Re. Dukuri që na vjen nga mbetjet e influencave të hershme melodiko-modale të përmbylljeve, të kadencave, të makameve, mënyrave interpretuese, të melodive të këngëve të ahengut qytetar shkodran, në të cilat, për hir të së vërtetës, ndjehet dukshëm influenca e ndërtimeve muzikore orientale, si ai i sferës turko – arabe apo persiane …
Ndikimi i pushtimit turk, shfaqet edhe në interpretimin vokal dhe instrumentor dhe shoqërues instrumentor, tashmë sot, kur kanë kaluar shumë e shumë vite, si në rrafshin e krijimtarisë edhe në atë të interpretimit vokal dhe instrumentor. Megjithatë “usus modus loquenti”, përdorimi përbën zakonin vendas. Kështu, në këto rrethana, për shkak përdorimi, kanë fituar autorësinë e qytetarisë shkodrane, sepse kanë lindur brenda shpirtit krijues e interpretues të këtij populli gjeni.
Trajtimi herë i vetvetishëm dhe i lirë dhe herë i inkuadruar ritmik i melodisë, prej interpretuesve dhe shkrirja harmonike e pasazheve të befasishme të improvizuara melodike, e bëjnë interpretimin e Jares të ngrejë peshë ngazëllueshëm… Thellimi, si tendencë, i destinacionit ngjyrë të “harmonisë”, të “modeve”, sfera tingëlluese e modeve: gradit të II, IV dhe atij të VI, japin emocione të larme, tinguj të ngjyrosur apo ngjyra tingullore.
Por, kur është fjala për mënyrat në të cilat shtjellohen, Jaret, enden në një tip shkalle kromatike, e cila mund të inkuadrohet tek “Plagali” i cili i përket gamës hipolidiane, sipas psaltikës bizantine. “Perdet”, mbi të cilat enden jaret, kanë krijuar shtratin e sigurt të një shkallëzimi të jashtëzakonshëm ngjyrash tingullore, me përftime të thella emocionale që e tejkalon pambarimisht dualizmin tingullor maxhor – minor të muzikës tonale. Është pikërisht ky shkallëzim tingullor i jareve, me këtë larmi të tejskajshme, që prodhon këtë diversitet tingullor, për pasojë, edhe emocional gjithë ngjyrësh. Dukuri krejtësisht e veçantë kjo, që u jep jareve mundësi të pakufishme shprehjeje të endjeve emocionale, ndjesive, mendimeve, ideve, në përcjellje mesazhesh, nivele shprehshmërie nga më të këndshmet, përfshirë brenda botëkuptimit, psikologjisë dhe veçorive psiqike të popullit të këtij qyteti, si rrafsh gjithëpërfshirës i psikologjisë mbarëkombëtare.
Mendoj se, shkakun parësor të kësaj dukurie, e ka luajtur instrumenti muzikor Sazeja, vegël që i ka dhënë emrin vetë orkestrinës që ka shoqëruar jaret, në grupet e ahengxhinjve të qytetit të Shkodrës. Është i njohur në popull termi Sazet popullore dhe vazhdohet të kuptohen me këtë term, këngëtarët dhe orkestrina popullore. Në të vërtetë, Sazeja është vegël kordofone, me tela, ndër veglat kryesore të ahengut qytetar shkodran, instrument që përballon melodi me diapazon shumë të shtrirë, me tastierë që ndahet në 17 perde vetëm brenda oktavës së parë të saj.
Instrument orkestër ky, që përfton një shkallë enharmonike mrekulluese dhe është pikërisht kjo shkallë, tingëllimi i së cilës, e tejkalon ndjeshëm tingëllimin, jo vetëm të shkallëve diatonike, por edhe të atyre kromatike të sistemit të temperuar, harmonisë tonale europiane. Ndoshta, largimi i këtij instrumenti nga orkestrina popullore e shoqërimit të jares dhe shoqërimi i saj me instrumente të temperuar, e bën ndoshta, shumë të vështirë ruajtjen, mbajtjen e modusit interpretues vokal dhe atij instrumentor.
E bën të vështirë nga mungesa e instrumentit kryesor, pasi ky është i ndarë në grimcime më të vogla se gjysmë toni, të cilët janë tregues vendimtarë për interpretimin e kësaj gjinie kënge. Koha bën të veten! Kjo dukuri ka ardhur si pasojë e kërkesave për shmangie ndikimesh orientale, qoftë të modeve të psaltikës bizantine, si edhe të atyre gregoriane dhe kalimi i krijimtarisë në krahun e muzikës tonale me orkestra me instrumente të temperuar, ndikime europiano perëndimore.
Po si duhet vepruar ?! Është koha që sjell në skenë individë me talent të spikatur dhe pastaj këta, përmes praktikës së rigjetur të temperamentit të tyre, japin zgjidhjet më të sakta, duke përcaktuar fatin real, brenda kontekstit historik të zhvillimit dhe të afirmimit të dukurive. Me veprimtarinë praktike filloi, si dukuri organike, edhe fenomeni i përshtatjes. Jaret, tashmë përcjellë nga këngëtarët dhe orkestrinat në stad të ri shoqërues dhe interpretues, ka kohë që kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, në orkestrën me instrumente të temperuar dhe aty krijuan fole, lëshuan rrënjë, morën jetë.
…
Loro Sata