Më 26 shkurt të vitit 1802, Franca priste atë që do të prekte zenitin si poet, dramaturg, novelist, eseist, artist vizual, burrë shteti, Viktor Hygoin, aktivistin e zellshëm të të drejtave dhe lirive të njeriut. Përpos të gjithash ishte ati i romantizmit, si dhe një figurë dominuese në letërsinë franceze të shekullit XIX. Ishte dhe mbeti një shëmbëllesë e një penelate tragjike me sharm humaniteti. Në galerinë e veprës, përcjellim kjartësisht si figurë qendrore njeriun e mitizuar në Sizif. Ngarëndja për të rrëmuar mes rrënojave të kohës, e për të çburgosur së andejmi gologotën e mundimshme të njeriut që gjen tek sekush vetveten, e beh atë gjithnjë mes rrëfimtarëve ngadhnjyes. Tipat, karakteret, figura, episode, etapat, datimet dhe rëndiet historike, janë jo vetëm lënda e parë e asaj përmendore shtatlartë, por edhe brumi i një doktrine që me romantizmin dhe me emrin e Viktor Hygoit, kërkuan dhe përftuan përjetësinë. Edhe sot ndërsa matim kohësinë tone, në këtë turravrap të çmendur përnga zdiseku, përgjojmë pa shumë qëmtesë praninë mes nesh të personazheve që skaliti mendja, zemra dhe pena e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shkullit XIX. Pas kaq vitesh prej lindjes së Viktor Hygoit, pakkush ka mbetur jashtë asaj bote ngjethëse. Kurrkush nuk bitisi atë realitet cingëritës, atë univers ku hovtë një mllef dhe si një llavë flatëron gjithëkohësinë e gjëmimeve të brenshme të çdo shpirti. E gjithë kjo për ti dhënë përmasat e qiellit vullnesës për të drejtë dhe liri, dinjitet dhe dashuri. Vepra, personazhet dhe trillet e një ngulmi reargues, u bënë udhërrëfyes të rëndjes së gjatë të një creature letrare, që do ta ngjiste shumë shpejt të zotin e saj në fronin e famës. Gjithëkjo ka në thelb njeriun, atë brenda dhe jashtë nesh, atë më fatkeqin në kohësinë e vet.
Hygo e trajton njeriun në një mënyrë të tjetërsojtë nga sa e kishin mëtuar dhë qenë rrekur mbamëndjet kohore letrare. Veçmas kur gjen shteg dhe depërton në brendinë e tij të mistershme, mëdyshjet që ka njeriu rreth zgjedhjeve në jetë, konfliktin që gjallon në vetëdije, dhe metamorfoza që e përndjek në të gjithë hapat në të gjallë. Ai sheh anën vlertë të qënies, qëllimshëm për të nxjerrë që andej të virtytshmin. Nuk resht së lartësuari shpirtin dhe dhimbjen, ndërgjegjes i jep kahje hyjnore duke e naltësuar dhe himnizuar këtë krijesë si gjithnjë të njëmendtë në mirësi. Sipas shkrimtarit njeri mund të bëhet i madh, i urtë, i dobishëm për shoqërinë, pavarësisht sesi ka qenë ai më parë. Ai depërton më në thellësi, ndoshta shumë më shumë se kishte mbërritur dikush, kur kungon atë ndërmëndje se “Xhelati kur përdor hekurin e skuqur, digjet pak edhe vetë, por kjo nuk i bën asnjë përshtypje. Ngaqë tjetri vuan më shumë, vuajtja jote s’të duket asgjë. Kur sheh sesi përpëlitet ai që torturohet për vdekje, të pushon menjëherë çdo dhimbje. Dëmto sa të mundesh, pa le të bëhet ç’të bëhet. Kur u bëni njerëzve keq, ju merrni përsipër një farë përgjegjësie. Duke vënë tjetrin në rrezik, ju vini edhe jetën tuaj në rrezik, sepse rrjedha e ngjarjeve mund t’iu përmbysë pa pandehur edhe ju. Por kjo nuk e ndalon njeriun që është me të vërtetë i keq. Vuajtjet e njerëzve janë gëzim për të. Ai dëfren kur sheh tjetrin që sfilitet. Vuajtjet e ngazëllejnë pa masë. Atij i këndon zemra kur sheh tortura. Ambicie, lakmi janë fjalë që duan të thonë se dikush flijohet për të kënaqur tjetrin. Sa gjë e trishtuar: edhe vetë shpresa mund të ketë një kuptim të mbrapshtë. Të kesh mëri dikë, do të thotë t’i duash të keqen. Pse jo të mirën? Mos vallë sepse vullneti ynë priret më shumë nga e keqja? Një nga detyrat më të rënda për njeriun e drejtë, është të shkulë vazhdimisht nga shpirti i tij një keqdashje që mezi duket. Pothuajse të gjitha dëshirat tona, po t’i këqyrësh hollë përmbajnë diçka që do na vinte turp t’i rrëfenim.
Por keqbërësi i përsosur, mendon Hygo, dhe në botë ka vërtetë një përsosmëri të fëlliqur, ndjek këtë rregull: Sa më keq për të tjerët, aq më mirë për mua. Ndërgjegjja e tij është një guvë e errët”
Viktor Hygo krijoi novela dhe poema, të cilat përfshinin çështje të nalta dhe vorbulluese, ato politike dhe filozofike të historisë së asokohëshme. I trajtoi ato me një stil të lartë dhe finesë, dritëpamësi dhe fundament, nuk është aspak i mërzitshëm edhe pse shpesh ndalet në detaje që dlirin dyshimin në trill dhe mishërojnë çdo çast me shkëlqimin e vet të ngrysët dhe trishtimin pikëllues. Gjithmonë në këtë lojë ligjëruese, ka ndopak andje dhe hir për tu përfshirë, gjithëpoaq, ke diçka për të reflektuar mbi atë që trajton me aq mjeshteri Viktor Hygoi. Mjafton vetem një sentencë që ka fuqinë e një bërthame shpërthimi brendie, që të ngas me forcën dhe magjinë e një Circe dhe të përfshijë në vorbullën e përjetimit. Për formësimin e një botëkuptimi letrar, përvoja me kryeveprat e shkrimtarit të madh, “Njeriu që qesh”, “Katedralja e Parisit” dhe “Të mjerët”, është kryekëput një ndikesë për nga përfundimet dalldisëse, të cilat lënë në gjurmën e kohës dhe në përcjelljen kundruese, gjurmë që drithërojnë. Gjithsesi këto tre vepra, dhe jo vetëm, ishin njëkohësisht dhe pasaporta ndërkombëtare e Hygoit. Mbeten sakaq emblematike për galerinë e shkrimtarit. Njëherash janë realitete letrare që paraprijnë në yshtjen e stuhishme drejt kreut këtë penë. Kohësia e këtyre veprave mëtoi në sentimentet e një qëmtesë kushtruese. Pas personazheve të skalitur me daltën e këtij dimensioni të gjithmonshëm letrar, asohere kur u botuan, sefte, në të tashmen e kohës, kur erdhën në shqip dhe u bënë yshtje e netëve pagjumë, në të sotmen e përgjithkohë, mbeten të jashtëzakonshëm. Kuazimodo, Guinpleni dhe Gavroshi janë të gjithëkohshëm. Kumti i tyre ishte, është dhe mbetet në kohësinë e gjithë shtresime shoqërore, një shkundje nga themelet, një ndërmëndje shoqërore që udhëton dhe jeton me elemnetin thelbësor të ekzostencës, njeriun, asohere, tash e në të përgjithmonshmen. Manteli që veshi këto personazhe është reja e zezë që noton edhe në qiejt modern, duke gërmushur me nervin e hakërrisë paqen e rrejshme sociale, patosin dhe shtrirjen jargavitëse ndjesore.
Gjithëpoaq , Viktor Hygo është konsideruar si nderi i letërsisë franceze dhe ka arritur majat e saj. Ai u vlerësua në radhe të parë si poet, por edhe këtu ai i theu rregullat kryesore, thelbësore, në të cilat bazohej letërsia franceze e askohëshme. Stili i tij epik dhe lirika janë të paarritshme.
Ai diti të qëndronte larg nga modelet melankolike dhe të vetmuara që karakterizonin poetet e kohës, duke ditur të pranoje peripecitë, jo gjithmonë të lumtura, për ti bere eksperienca thelbësore dhe të mbledhi vlerat dhe sfumaturat e shpirtit human.
Kreatura shkrimore dhe padyshim thellësisht ndjesore, arritën të mbulonin të gjitha gjinitë letrare, nga lirika, tek tragjedia, tek zakonet, tek satira politike, tek romani historik e social, duke ngjallur një lloj njëmëndësie të patjetërt evropiane.
Në kacarritjet drejt apogjeut të shkrimtarit, nga shumësia e faqeve që mëtojnë atë dhe veprën lexojmë se: Më 1827 do të merrte jetë një prej regëtimeve tekstshkruese të allasojta. Në këtë sprovë Hygoi orvatet të shtjellojë dramën historike për teatrin Kromuell, vepër e cila u konsiderua si manifestimi i teorive të reja romantike. Më 1843 mbytet e bija Leopoldinë dhe bashkëshorti i saj, lajm me të cilin shkrimtari u njoh nëpërmjet gazetës Siecle (Shekulli). Kjo humbje dhe rrëzimi me “I Burgravi”-n 1845, u zymëtia që do ta mbanin qiellin e tij letrar për dhjetë vjet në natë ferri. Më 1848 Hygo e sheh veten si deputet në Asamblenë Konstitutive. Grushti i shtetit më 1851 do të kurorëzonte në pushtet Napoleonin e III duke e vënë këtë në një pozitë duale. Lekundjet në politikë dhe qëmtesat oponente, nga njëra anë, reagimet që mbartnin zemëratë për regjimin, nga kahu tjetër, e detyruan të arratiset në ishullin Guernsey, ku jetoi me vragën e mërgimtarit 15 vjet. Këto vite i dhanë Hygoit statusin e babait të atdheut në mërgim. Sakaq kyçet një etapë me kontraste të forta për tu hapur një tjetër, e cila merret me formësimin e figurës së tij mitike, si poet dhe në të mëvonshmen, dorzania në traditën historike letrare. Sakaq është në fillesat e saj rëndia drejt famës, e cila ndiqet kronologjikisht me satirën “Napoleoni i vogël”, (1852), “Ndeshkimet” (1853) në vargje, për të vijuar me ndikesat humanitare te “Mendimet” (1856) dhe me “ Legjenda e shekujve”. Në këtë Viktor Hygo përshkoi mespërmes historinë e njerëzimit nga gjeneza deri në shekullin e XIX, trepjesësh që u mundësua për publikun, respektivisht (1859-1877-1883). Në këtë të gjallë të tij përplot vrull letrar dhe kumteve shpërthyese do të merrni jetë kryeveprat e përbotshme “Të mjerët” (1862), “Punëtorët e detit” (1866), dhe “Njeriu që qesh” (1863). Këto kapërthime në lartësitë e krijimit do të përziheshin me një radhë fatesh të kopra që i krizën zemrën.
Romantizmi, rrymë letrarë që ushqeu me vetveten, Hygoi, ishte një lëvizje komplekse shpirtërore dhe kulturore që prodhoi një rinovim të thelle në letërsi, në art dhe në mendim, në politike dhe në zakone. Ishte në kryeherën e vet, një vullnesë për të ndryshuar, një rrjeshtim i zëshëm për të dëshmuar dhe për të mëtuar vetvetes dhe botës, kjartazi, gjithëkohësisë, të drejtën për të rendur gjithnjë përpara, për njeriun, brenda, thellë brenda tijë. Romantizmi u zhvillua nga ai mutacion i shijeve dhe i ndjeshmërisë që u verifikua në Evropë në fund të shekullit të XVII, erdhi si domosdo dhe orakull.
Mes poeteve të rinj të përfshire në rrymën e romantizmit spikaste Viktor Hygo, që atëherë ishte 25 vjeç. Në publikimet e tija lirike, diçka rreth 50 mije vargje, manifestohet Hygoi i rinisë dhe i theksimit të romantizmit, idhull i gjeneratës së re në vargjet e tij shpreh brendësinë e shpirtit. Kumti i Hygoit shfaqet në mënyrën e trajtimit të materialit historik konkret. Ai bëhet mbrojtës i madh i të drejtave të njerëzve dhe shpreh “revoltën e shpirtit” për shtypjen e padurueshme të popullit të thjeshte. Hygoi kjo ajkë e këtij sistemi vlerash përfaqëson një sinteze fatesh të shekullit XIX. Krejt në mënyrë të beftë do ta shihte veten në shtjellën e “militantëve romantikë”, të cilët grupohen për ti dhënë shpirt drejtësisë, revolucionit. Ai ishte dhe mbeti përjetuesi dhe kumtuesi më i pashoq i personazheve emblematike, jetëve dhe fateve të përgjithmonshme. Ata ishin në kohën e tij, në të atyren, në tonën, dhe ne do ti lejojmë të jenë të gjithkujt, jo vetëm si portrete, si personazhe, si ai, ata, ato që kemi njohur, nga Guimplen te Gavroshi, nga Kuazimodo te Tribuleti, nga De ate Ursusi, nga Esmeralta te Xhoziana. Kuazimodot janë dukshëm në tashmën moderne teksa mëtojnë deri në plotësinë e personazhit që Hygoi e vendosi në shumëkohësi. Kjo ndoshta jo dhe aq nga ndonjë yshtje prej orakulli se sa një përkim ojnak që realitetet mveshin në të tashmen e tyne në gjithëkohësi. Përplotëson vetëvetja e epokës hygoiane, me Gavroshin që spërkat dhe njolloj shkëlqimin mondan të qendrave urbane dhe ngrihet në kultin e periferisë, nën këmbët e vërshimit të një botë që ka në filozofinë e vet bërjen e maskave dhë çjerrjen e fytyrave, në një farë qasje prej Guimpleni.
Ndryshe nga pararëndës dhe passhkues, ai nuk kishte një fat tragjik, thjeshtë jeta tek-tuk e çukiste me rrufe kreshtën e tij të fatit, përzhitje të cilat ai nuk i fshehu, përkundrazi i bëri limfë përmbajtësore të veprës. Mbylli sytë më 22 mars 1885 në shtëpinë e tij në paris. Trupi i tij u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Në ceremoninë e tij të varrimit morën pjesë persona të ardhur nga çdo cep i Francës. Ishte dhe mbeti për shumë kohë një ceremoni lamtumire madhështore, si e meritonte Viktor Hygoi. Iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.
Albert Vataj