“Nuk e konsideroj veten një specialist të ndjenjave dhe vetë jeta ime private tregon se nuk kam asgjë për të thënë, apo për të dhënë shembull”, deklaron shkrimtari Frederic Beigbeder, i njohur së fundi edhe për publikimin e librit të tij: “Dashuria zgjat tre vjet”.
Shkrimtari 46-vjeçar, me pamjen dhe jetën e një dendi, të cilit i pëlqen që të joshë në mënyrë të vazhdueshme dhe të ketë një jetë sentimentale shumëngjyrëshe në rrethet elitare pariziene dhe gjetkë, është një nga njerëzit më në zë të brezit të tij, në Europë. Veç kësaj, është edhe kritik letrar, botues dhe së fundi ka eksploruar edhe në lëmin e regjisë. Filmi i tij i parë bazohet në librin e tij të fundit “Dashuria zgjat tre vjet”. Frederic u bë i famshëm së pari me një pamflet që shkroi kundër publicitetit, si dhe me romanet që pasuan, mes të cilëve përmendim “Një roman francez”, dedikuar familjes së tij. Dhe më pas, në veprat në vijim, ka parapëlqyer dhe ka ndjekur gjithmonë linjën autobiografike. Ndërsa në librin për dashurinë dhe filmin, në të cilin është dhe regjisor, që është një komedi, alteregoja e tij quhet Marc Marronnier dhe përfaqëson tipologjinë e adoleshentit 40-vjeçar, që haset shpesh në ditët e sotme. Një mashkull që tenton me çdo kusht të duket dhe të veprojë si i ri, i pakënaqur me jetën dhe njerëzit që e rrethojnë, pra mjeshtër për të mos qenë i lumtur. Në një intervistë, autori flet për mënyrën se si ai e sheh dashurinë dhe për dashurinë në përgjithësi.
Jeni një egoist romantik?
Në fakt, kjo është një shprehje e të madhit Scott Fitzgerald, të cilën e kam huazuar prej tij, për të përshkruar gjithë brezin tim. Ne, brezi i viteve ‘60 me prindërit tanë që përjetuan revolucionin seksual, duket se kemi humbur çdo iluzion. Në marrëdhëniet e dashurisë jemi nihilistë, egoistë, madje edhe shumë depresivë. Personazhi im kërkon që të vetëvritet në fillim të historisë.
Lacan thoshte se, në fakt, dashuria është gjithmonë një formë vetëvrasje…
I dashuruari ndihet i pamposhtur dhe mundet dhe në këtë Lacan ka të drejtë, që të vërë në rrezik qenien e tij, atë fizike dhe mendore për arsye dhe rrethana të ndryshme. Louis Arragon ka shkruar: “Nuk ekziston dashuri e lumtur. Frika nga vuajtja shpesh na bën të paaftë për të dashuruar”.
“Në vitin e parë është pasioni, në të dytin futet në lojë dhembshuria dhe në të tretin nis bezdisja”…
Po, këtë e kam shkruar në libër dhe e mbështes gjatë gjithë faqeve të tij. Titulli është provokues edhe pse të them të vërtetën, jam bazuar në statistika reale dhe objektive. Pjesa më e madhe e martesave dështon brenda tre viteve të para të jetës së përbashkët. Madje, tani jam më se i bindur edhe për faktin se ky cikël është përshpejtuar edhe më.
Ju e shihni dashurinë si një produkt që ka një datë skadence dhe që duhet të konsumohet brenda datës?
Kur nisa që të shkruaja këtë libër ishte viti 1997 dhe nuk kishte as internet dhe as celularë. Që nga ajo kohë, mundësitë e takimeve dhe si pasojë, edhe të ndarjeve ishin rritur jashtë mase. Sapo te një çift nis dhe shfaqet mërzia e të jetuarit bashkë, lind tentativa për të shkuar dhe kërkuar diku gjetkë, atë që nuk ta jep më marrëdhënia jote tashmë e qëndrueshme. Dhe për ta bërë një gjë të tillë, mjafton një mesazh, ose një klik. Në një regjim të tillë është e vështirë që të ndërtosh një marrëdhënie të qëndrueshme.
Ju mendoni se t’i betohesh dikujt me dashuri të gjatë është shumë pak romantike…
Po, por ky është realiteti i sinqertë. Mbijetojnë të tjera forma të dashurisë së përjetshme si: besimi, marrëdhënia mes prindit dhe fëmijës. Në çift duhet që të kënaqesh me një kohëzgjatje të kufizuar. Filozofi Pascal Bruckner, i cili merr pjesë edhe në filmin tim, flet për “parajsën dashurore”. Si të jemi të lirë dhe të pranojmë që të duam dhe të na duan. Megjithatë është diçka që shpesh ngërthehet nga kontradikta, sepse duam dikë, pastaj e kuptojmë se duam edhe lirinë tonë. Mendoj se të gjithë duhet që të jemi më realistë.
A mendoni se ky realizim është një variant më elegant i cinizmit?
Si shumë bashkëmoshatarë të mi, edhe unë jam shumë i frikësuar kur bëhet fjalë për marrëdhënie dashurore. Kërkoj dashuri por me riskun zero. Kjo nuk vlen vetëm për meshkujt, por edhe për femrat e këtij brezi, madje dhe për femrat më të reja në moshë, të cilat janë edhe të pavarura ekonomikisht. Protagonistja tjetër e librit është Alice, një grua e martuar. Kur ajo takon Markun dhe të dy bëhen dashnorë, ajo refuzon që të ndahet nga bashkëshorti edhe pse ata të dy duheshin tashmë. Dhe këtë e bën sepse ka frikë që të vuajë.
A është bërë vallë, sipas jush, një klishe tashmë 40-vjeçari që i ikën dashurisë nga frika?
Në libër dhe në film jam përpjekur që t’i heq maskën këtij 40-vjeçari që përpiqet të hiqet ai që nuk është dhe që, mbi të gjitha, tallet me ndjenjat duke i përçmuar ato. Janë të shumtë ata që sillen kështu së jashtmi, por që në fakt thellë-thellë mendojnë ndryshe.
Por, në fund, të gjithë “e pësojnë”. E kam fjalën për dashurinë…
Në këtë moshë, kur e kupton se nuk mund ta ndryshosh botën, të fitosh zemrën që të rreh duket një mrekulli. Është utopia e fundit që na mbetet…
Por ndërkohë kemi pushuar së besuari te “princi i kaltër”?
Ai ishte një koncept i mrekullueshëm marketingu romantik. Por nuk ekziston. Dhe sikur të ekzistonte, do të ishte një bastard. Sot më shumë se njerëzit, duam dashurinë. Është një gabim i madh. Jemi në kërkim të deklaratave metafizike, ndërkohë që duhet të ishim në kërkim të dikujt konkret, me mish e shpirt, me të mira e me të këqija, që të na bënte të ndiheshim mirë, pra kemi nevojë për një qenie njerëzore si ne.
Ja dhe një citim tjetër nga libri juaj: “Të duash dikë që të do është narcizizëm. Të duash dikë që nuk të do, kjo është dashuri”
Dashuria është si feja, është një akt besimi. Është ende gjëja më e bukur që mund të na ndodhë në jetë. Nuk është arritur kurrë që të shpiket një drogë kaq e fuqishme. Si shkrimtar, për mua ajo është filli që më lejon që të tregoj për ngjarje dhe personazhe.
Të paktën, për këtë, nuk ekzistojnë të drejtat e autorit…
Më pëlqen gjithsesi që të shoh se si pasioni arrin që të shembë të gjitha muret mbrojtës, të cilat ia vëmë vetes për të mos rënë në dashuri dhe si pasojë, për të mos vuajtur. Për mua si shkrimtar është e mrekullueshme që të përshkruaj humbjen e kontrollit, që në fakt, është momenti kur njeriu është i shtrënguar që më në fund të jetojë dhe të shprehet.
A ka ndonjë libër apo faqe që doni të kujtoni?
Jam fanatik i gjendjeve të dyfishta, i personazheve që bëjnë sikur janë imunë dhe më pas janë të parët që bien në kurthin e romanticizmit, sepse kanë nevojë, por nuk e pranojnë aspak. Mendoj për “Kapriçiot e Marianës” të Alfred de Musset. Octavi që përpiqet të ndjellë Marianën në emër të një miku të tij dhe në fakt, bie vetë në dashuri me të. Është ajo gjë që ne në Francë e quajmë “marivaudages”. Pra një ndërthurje mes mashtrimeve dhe tradhtive brenda marrëdhënieve dashurore.
Xhelozia është një ndjenjë, e cila nuk del kurrë jashtë mode.
Është një ndjenjë, e cila forcohet kur dashuria bëhet e brishtë dhe e thyeshme, e cenueshme. Xhelozia është e pashmangshme dhe natyrshëm është e pranishme në të gjitha marrëdhëniet. Duhet vetëm që të kontrollohet, sepse nuk është një ndjenjë seksi. Por kur të zë, nuk ke nga shkon. Në të shkuarën shumë eksperimente të famshme me “çiftet e hapura” kanë dështuar në mënyrë të pashmangshme, të gjitha për faj të xhelozisë.
Si shkrimtar, a mendoni se fraza “të dua” e ka humbur apo e ka shtuar intensitetin që mbart?
Duhet që të jetë përballë teje personi i duhur për t’ia thënë këto falë dhe që ato të kenë kuptim. Për këtë duhet që të jesh me shumë fat në jetë. Dashuria është ajo ndjenjë e mrekullueshme dhe e rrallë që rrëfehet edhe në filmin “Unë dhe Ana”. Woody Allen është me Diane Keaton në kuzhinë. Të dy përpiqen që të gatuajnë një arragostë të gjallë që u rrëshqet. Mes të qeshurash ka edhe momente paniku. Në fund të filmit, Allen e përsërit të njëjtën skenë me një grua tjetër, një ish-modele, shumë e bukur dhe e re, por asgjë nuk funksionon si me Anën. Gjatë kësaj përvoje ai mërzitet për vdekje. Të gatuash një arragostë të gjallë mund të jetë shumë zbavitëse ose tmerrësisht e mërzitshme. Varet nga personi. E njëjta gjë vlen edhe për dashurinë.