Nga Albert Vataj
Të ndodh të trokasësh në një portë të rëndë, shumë të rëndë. Të trokasësh gjatë, shumë gjatë. Më në fund, kjo portë hapet. Para syve të tu të velur nga mundimi dhe kurrizin e përthyer nga nënshtrimi, të shfaqet porsi një vegim një portret shumë i njohur. I vendosur mbi një masiv mishi të taposur deri në grykë me sajdisje të modës së fundit, ai portret megjithëse i lyrosur mundte ta shquante si shumë të njohur. Para teje, porsi një shtatore në paradhomën e një legjende, shtriqet një njeri shumë i njohur. S’ka nevojë për shumë vramëndje. Ku dhe si njihemi. S’ka nevojë për të rrëmuar gjatë në kujtesë. Po. Ai ishte, tamam ai me të cilin kishe lidhur krahët në kordonin e vijës së parë te revolucionit antikomunist. Nuk ka pikë dyshimi është tamam ai. Po. Nise të mbusheshe gjoksin me frymë si horizonti në të zbardhur. Sapo mobilizohesh të marrësh veten, të drejtosh kurrizin, të hovësh në drejtqëndrimin sublim dhe sytë të plazmojnë më qartë. Një, çfarë kërkoni?! Jam i zënë, nuk mund t’iu pres, të shkërmoq si një vazo qeramike kur shembet përdhe. Toni i tij i ashpër, aspak miqësor dhe dashamirës. Hija e tij prej plumbi dhe vështrimi përçmues, përplasja para hundëve e derës së rëndë të pushtetit, janë të mjaftueshme që ti të marrësh zvarrë mishin tënd të pavlerë dhe grumbullin e kockave dhe të zvarresh i tërhequr nga dëshpërimi në rrugën e kthimit. Ti ishe aty për të kërkuar një të drejtë. Apo jo. Nuk ishe për të përfituar një privilegj. Tash nuk mund t’i kesh asnjërën. Ajo qe të ka mbetur është vetëm zhgënjimi.
Kthehesh si një ushtri e mundur duke lëshuar hijen që ta ha perëndimi. E ndërsa përpiqesh të pranosh të mundurin brenda teje, sakaq ke pranuar njëzëri gjithçka tjetër. Ishte një ditë pa fat, do mendosh. Nuk ishte dita jote. Oh sa shumë ditë nuk janë të hallexhiut. Provon përsëri. E ke menduar gjatë, ke pranuar të bësh një kompromis me veten tënde. Vendos të mos jesh ai që ke nderuar dhe të ka nderuar. Një metamorfozë ia vlen. Fundja tjetërsimi është përshtatje, apo jo. E kush do t’ia kishte ngenë të të paragjykonte, nëse ti ke vendosur të jesh koherent. Pra të përpiqesh të kapësh hapin e kohës. Vendos të jesh tjetër kush dhe përpiqesh ta bësh këtë, dhe shpreson t’ia dalësh. Var me kujdes në raftin e rrobeve të gjitha, moralin, principet, nderin. Të gjitha. Dhe vesh kostumin e turpit që ke huajtur nga koha.
I yshtur nga domosdoja e pasjes së kësaj të drejte, vendos ta kërkosh atë, tashmë jo si të drejtë legjitime, por si një privilegj, si një përfitim, si një grabitje. Se domosdo ajo që ti do të marrësh, ai që do të ta japë do t’ia marrë dikujt tjetër. Ti do ta kesh dhe ja ku je posedues i saj.
Nuk ma do mëndja se ka shpëtuar ndonjë shpirt pa mëkatuar, ndonjë sedër pa u përlyer në jargavitet dhe përmjerrjet e shtirjeve, a ndonjë konstrukt principesh të nalta pa u gjunjëzuar në këtë batak që kudërbon. Me fjalë të tjera, korrupsioni ka qenë dhe mbetet jo vetëm një bashkëjetesë. Aq domosdo është bërë në të tashmën kjo sëmundje, sa gjithçka që kemi është në një ndërvarësi me këtë. Si antikorpe që kryejnë shërbimin në mbrojtje të organizmit tonë nga mikroorganizma vrastare.
Koincidencë?!
E drejta e çdokujt për të qenë korruptues ose i korruptuar është një e drejtë që buron nga rrethanat shoqërore, kushtet dhe botëkuptimi i brezit në tërësi dhe i individit në veçanti. Korrupsioni, ose prirja për të përfituar çka nuk të takon, ose për të patur si përfitim atë që është legjitime, ngarendje të ndryshme logjikimesh përpiqen ta lidhin me vështirësitë ekonomike, me një lloj të drejtë që një pjesë e hallkave të shtetit ose të shërbimeve e përvetësojnë në emër të rivendosjes në vend të vlerësimit të tyre. Nga një anë atë vetëquhen të diskriminuar financiarisht nga politikat jokoherente që zbaton shteti. Nga ana tjetër, ata e kanë të kushtëzuar të jenë piratë ose gjobëvënës për detyrimin e tyre ndaj viktimës. Këta janë kontingjenti i grabitësve. Pa tu dridhur gjuha mund të thuash se këta janë kriminelë ekonomik. Por nuk duhet të harrojmë dhe bashkëautorin në këtë krim. Lind pyetja si janë ata aty. Në një dikaster të pushtetit qendror, në një zyrë të shërbimit komunal apo në një hallkë të shërbimit social dhe shëndetësor, e në këtë kryerendje është drejtësia që e ka mision të pamundur të bëjë drejtësi. Çfarë kishin ata më shumë se ti, apo se shumë e shumë të tjerë.
Kushtetutshmëria partiake është një ndër shkaktarët dominues në çimentimin e një administrate që si bën syri tërt para asgjëje. Ai duke qenë i përkohshëm në këtë vend pune apo shërbim, ma do mëndja se ka bërë një hesap, gabim ose jo kjo s’ka rëndësi. Se sa do të jap për të patur këtë karrige, apo atë privilegj dhe sa do të përfitoj prej saj për aksh kohë. Me raste nuk mjafton vetëm kontributi partiak, militantizmi, angazhimi dhe sakrificat. Këto për të qenë më të plota duhet të bashkëngjiten me një faturë, të cilën do ta përcaktojë ai, të cilit deri dje i ke shërbyer, ai për të cilin, deri dje ishe i gatshëm të sakrifikoje gjithçka, edhe jetën. A ia vlen?!