Ndërmëndje dhe përshpirtje për dishepullin e shenjtorëve të paqes dhe atdhetarisë, Ibrahim Rugova, sot në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta
Një dekadë më parë u nda nga gjithçka kishte më të shtrenjtë, për të merituar pavdekësinë, ai, ai që diti të ishte dhe të bënte si pakkush tjetër, kur interesat e bashkëkombësve të tij cenoheshin nga urrejtja më e përbindshme që është ndërsyer ndër shqiptarë, ajo serbe. Me urtësi dhe maturi, me përkushtim e vetëmohim, ai u përpoq me mish e me shpirt që Kosova të gëzonte pavarësinë, kosovarët të ishin zot në tokat e të parëve.
Bota shqiptare s’ka me e pas fatin me e njofto s’dyherë në historinë e vet një personalitet të këtillë, paqësor, vizionar dhe dijeshumë. Mirënjohje për krejtçka skaliti në memuarin e gjithëshqiptarisë ky burr i madh.
“Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, iku, në një janar të akullt, në një janar që i ngrinte lotët e shumtë që vërshonin rrugëve të Prishtinës dhe kudo kishte shqiptar.
Ai iku, mirëpo la pas shumë, mbase më shumë se çdo politikan, sepse ai më së paku ishte politikan. Ai ishte një humanist i pashembullt, i prirur nga idetë me sublime të etikës dhe politikës, të cilat i sintetizoi drejt një ideali sublim, që kapërcente kufijtë e pavarësisë dhe rikthente shqiptarët në shtratin e tyre natyral perëndimor, pa ekoivoke e interpretime deshakëqija. Rugova ishte një artist i mirëfilltë, i cili njohu eksperiencat më të sofistikuara të artit botëror e shqiptar. Rugova ishte një moralist i madh, sa për shumëçka tejkalonte edhe vetë predikatoret e ndryshëm religjioz. Ai ishte një filozof, i cili fjalën e latonte aq mirë, sa brenda saj shtresoheheshin shumë domethënie, që bota për rreth tij vështirë i kuptonte. Rugova ishte një studiues i jashtëzakonshëm, i traditës dhe i modernes, i pakompromis me dukuritë degraduese në art e letërsi- një studiues që letërsisë sonë i mungon edhe sot. Dhe pra, Ai ishte një politikan karizmatik, që këtij domeni kaq shumë të urryer ndër shqiptar, i dha dimension tjetër, duke e përmbush me shpirtin e fisëm të thellësive filozofike e letrare, etike e nacionale. Kësisoj, u bë përjetësisht një Ikonë Kombëtare.
Misionari nuk vdes. mëton në një përshpitje Ndue Ukaj. Ai, si orakull, predikon për misionin, bashkon grigjën rreth idesë së shenjtë të misionit dhe shkon në Përjetësi, duke lënë pas vete shpirtin, frymën e misionit, që enden si shkëndija udhërrëfyese për breza të tëra”.
I përjetshëm qoftë në kujtesën e brezave, emri, vepra dhe shembulli i pashoq i të pavdekshmit, Ibrahim Rugova.