Janë krijuar nga hiçi. I kanë përcaktuar si vulgarë, të pa-arsyetueshëm dhe sipërfaqësorë. Ashtu si muzika që luajnë apo veshjet që përdorin. Emri ka një domethënie: “diçka e pisët, të rinj pa vlera”. Ishte mënyra me të cilën mësuesit anglezë u kthyen në më të këqijtë e klasës. Krenarë për dështimet e tyre, në mes të viteve ‘70 ata ishin më të pakënaqurit e brezit të tyre.
Pankët për sociologët kanë qenë një nga lëvizjet më të bujshme të shekullit XX: “Atyre u dukej vetja sikur po përjetonin luftën e tretë botërore dhe ata ishin të vetmit që mbijetuan”, – shpjegon studiuesja Serena Zuccheri, autore e një studimi për këta të fundit. Armiqtë e betuar të këtyre të rinjve të frustruar ishin hipitë. Karakteristikë e këtyre të fundit ishin flokët e gjatë, që sipas tyre, simbolizonin paqen. Shpeshherë janë bërë edhe frymëzimi i shumë artistëve, sepse sipas tyre, te ky stil kishte shumë ngjyra dhe imagjinatë. Ndërsa pankët ishin komplet ndryshe: i këndonin vuajtjes dhe vdekjes. Me ta, formula “seks, drogë dhe rrok&rroll” (një slogan i viteve ‘60) ishte më e theksuar: droga (një rrëmujë), rrok&rroll (nëse qe e mundur), seks (nëse nuk të mërzit, nuk të zë gjumi teksa e bën).
Fillimet në Britani
Pankët ishin një fenomen shoqëror, muzikor dhe komercial, të cilët u krijuan në Britaninë e Madhe. Ekonomia e Mbretërisë në fund të viteve ‘60 kishte filluar të bënte hapa. Borxhi me Perëndimin rritej dhe lufta civile në Irlandë ishte duke u rënduar. Industria e naftës në vitin 73’ goditi këtë vend, inflacioni ishte shumë i madh dhe papunësia kishte prekur pjesën më të madhe të popullsisë. Më shumë se një e treta e popullsisë nën moshën 25-vjeçare merrte një ndihmë nga shteti. Në vitin ‘76, teksa Partia Laburiste si dhe ëndrra për të pasur një shoqëri pa klasa po shkatërroheshin, konservatorët e Margaret Thatcher marrin pushtetin. Në periferitë londineze lind ideja se asgjë nuk mund të kthehej më në vend të vet: të trishtuar dhe pa perspektivë, të rinjtë ia kthyen shpinën realitetit. Edhe elementi që sillte bashkë shumë të rinj: rroku, e kishte humbur forcën e tij dhe ishte kthyer në një makinë për të bërë para. Shtëpitë e mëdha diskografike nuk pranonin më propozime të reja. Sociologët e perceptuan këtë të keqe dhe nëpër gazeta ky ishte problemi kryesor. Ishte atëherë kur Malcohlm MvLaren dhe gruaja e tij, Vivienne Wetswood, pronarë të një butiku në rrugën “King”, hyjnë në skenë. Marrin si model një grup muzikor amerikan (‘New York Dolls’) dhe ndërtojnë karakteristikat e pankëve: për të dhënë ndjenjën se bënin pjesë në një tribu metropolitane, vishen nga koka te këmbët. Ishte një intuitë e mrekullueshme, një leksion marketingu nga konsekuenca të paparashikueshme. Eduardo Bridda, historian dhe sociolog shpjegon: “McLaren dhe Westwood ideuan stilin pank. Rrobat e grisura simbolizonin varfërinë dhe degradimin; unaza dhe vathët që vinin në të gjithë trupin; makijazhi i tmerrshëm ishte si një maskë për të larguar të panjohurit dhe për t’i tallur ata; flokët me majë dhe me shumë ngjyra fosforeshente ishin një metaforë e ndryshimit, të cilat ishin provokuar nga rrezatimi bërthamor ose efekti i elektroshokut”. “Pankët, – tregon Zuccheri, – risjellin objekte të së shkuarës sonë”. Svastika naziste, për shembull, tregonte interesin që ata kishin për Gjermaninë, e cila ishte armike e Anglisë. Muzika ishte mishërimi i lëvizjes. McLaren dhe Westwood sponsorizuan një bandë, të cilën e quajtën “Sex Pistols”: “Seks” ishte emri i dyqanit të tyre, ndërsa “Pistols” (pistoleta) nga fjalët pissed (i dehur) e piss (urinë). Pankët villnin inat për botën në përgjithësi. Elementi kryesor nuk ishte vetëm muzika, por gjesti simbolik, ai i lëpirjes së këpucëve në publik.
Dëshira për vetë-shkatërrim
Filozofia e “Sex Pistols” ishte nga dëshira për të shkatërruar gjithçka pa ndërtuar asgjë. Mijëra të rinj (burra dhe gra) nuk prisnin të bënin gjë tjetër, veçse të vinin në punë filozofinë e tyre. Ashtu si Sid Vicious, batisti i “Sex Pistols”, i cili vdiq nga mbidoza në vitin ‘79, të gjithë të rinjtë e këtij grupi drogoheshin me dëshirën për t’u vetë-shkatërruar. Bridda tregon: “Nëse mes hipive ekzistonte një moral dhe një ndërgjegje për rreziqet që u kanoseshin, te pankët nuk ndodhte kjo gjë: ikona zhgënjyese e të rinjve, të cilët ishin të varur nga droga, që Christine F. tregonte në librin “Ne djemtë e kopshtit zoologjik të Berlinit”, u bë një mit, një shembull për t’u imituar. Cinikë dhe mazokistë, pankët kënaqeshin me fatkeqësitë e tyre. Jetonin në rrugë dhe në stacionet e trenave, vizatonin svastika dhe kryqe si dhe Mbretëreshën Elisabetë nudo. Mesazhi i tyre nihilist ishte: Rregull dhe vlerë = zero. Për Anglinë puritane dhe konservatore, që asistonte e indinjuar, ishte një goditje shumë e fortë. Kultura pank në Amerikë u përhap në të njëjtat vite me Britaninë e Madhe, por përtej oqeanit ishte më tepër një fenomen muzikor. Me pankët u krijua një treg i përcaktuar. Shumë veta u bënë muzikantë, edhe pse nuk kishin talent dhe shumë shpejt mund të nxirrnin disqe pa ndihmën e shtëpive diskografike. Slogani “Do it Yourself” u krijua në atë periudhë. Në Europë, principet ishin të ndryshme, por tensionet shoqërore ishin më të forta. Një nga grupet e para të pankëve “Ramones” ishte amerikan dhe pati një ndikim të madh edhe në kontinentin e vjetër. Filozofia e “Sex Pistols” nga viti ‘77 u duk sikur imponoi stilin e pankëve në të gjitha vendet perëndimore. Në Itali, stili i tyre erdhi në ‘78, kur performancat e grupit u transmetuan nga një televizion lokal. Të rinjtë filluan të vishnin bluza dhe të linin flokët me majë. Madje, në disa qytete policia u armatos edhe me gërshërë dhe shpeshherë organizoheshin fushata qethjeje. Ashtu siç kishte ndodhur me hipitë, pankët italianë u etiketuan politikisht të varur nga informacione të vjetra, por muzika dhe shpirti i anglezëve i prekën thellë.
Trashëgimia
Eksperienca pank në Britaninë e Madhe ishte shumë e madhe. Momenti i suksesit të madh të “Sex Pistols” koincidoi me fillimin e rënies së tyre. Vetëm pak muaj pas koncertit të tyre të parë, grupi u bë një fenomen i vërtetë komercial. Lëvizjet e të rinjve që iu referuan atyre u banalizuan nga media dhe u bënë modë. “Pankët e vërtetë tentojnë të jenë të padukshëm”, – tregon shkrimtari Stuart Home, ekspert i kulturës. Sapo një grup shfaqet në publik, pushon së qeni një grup panku dhe bëhet një grup rrok ose pop. Ndërsa Britta shton: “Nëse thyen rregullat, mund ta bësh vetëm një herë, pastaj je brenda tyre: të rinjtë anglezë e perceptonin këtë në mënyrë të dëshpëruar. Që nga viti ‘77 butikët dhe dyqanet e ndryshme kishin ngritur çmimet për veshjet dhe aksesorët e stilit pank. Në veshjet e tyre karakteristike ishin vendosur spila dhe elementë të tjerë tipikë. Kështu, dalëngadalë pankët filluan që të zhdukeshin, por jo pa një trashëgimi: përveçse një numri të madh llojesh dhe nënllojesh dhe një repertori të gjerë si dhe gjurmëve të lëna në historinë e shekullit të kaluar, pankët lanë trashëgiminë e “DO IT YOURSELF”! (‘Bëje vetë!’). Idenë që muzikën në epokën e internetit mund ta bëjë çdokush dhe gjithandej.