Nuk kanë munguar asnjeherë skandalet seksuale të njerëzve të pushtetshëm. Edhe pse ata kanë rrezikuar seriozisht karrierën e tyre, kjo nuk ka mjaftuar që ata të mund të urtësojnë libidon e tyre. Përkundrazi, kohë pas kohe, ata i'a kanë lejuar vetes të marrin çfarë të dëshirojnë dhe të kenë çfarë të duan. Pushteti politik, pushteti i parasë, pushteti i pushteteve që gëlon në nevojën për ta çliruar njeriun nga prangat e moralit puritan, ua mundëson këtë arritje atyre që seksin e klasifikojnë si qëllim në vetvete, si pushtet, si sundim, si zgjerim i territoreve dhe mëvetësim i mundësive dhe kapaciteteve administruese e pse jo konkuruese me të tjerët. Në një farë mënyre më shumë se një libido që i ysht në pamjaftueshmëri seksi, ajo është një garë aftësishë dhe mundësish. Sedra dhe krenaria e tyre e sëmurë nuk duhet me asnjë çmim që të tjetërsohet. Për ta nuk ka asgjë të pamundur dhe gjithçka është e lejueshme përkundër çdo norme sociale dhe kufizimi zakonor.
Një panoramim të shkakësisë dhe pasojave të kësaj paranoje rrekemi ta shpalojmë përmes një interviste që sociologu i famshëm holandez, Johan van der Dennen ka dhënë për marrëdhënien mes seksit dhe pushtetit. Sipas tij, meshkujt e pushtetshëm i thonë vetes: “Mund të marr çfarë të më dojë zemra dhe askush nuk më ndalon për këtë”
Ata që janë në pozicion pushteti kanë marrëdhënie intime, pra seksuale, me sekretaret e tyre. Ata mund të sulmojnë seksualisht dhe me dhunë edhe punonjëset e hoteleve, apo punonjëset e dhomave, ose të paktën mund të joshin kë të mendojnë se u pëlqen dhe madje të flenë apo të sjellin në jetë fëmijë me dadon e fëmijëve të tyre. A ka ndonjë përqindje të meshkujve me dëshira anormale seksuale, që kanë në duart e tyre pushtet të madh. Apo mos vallë të gjithë meshkujt sillen njësoj dhe për sa i përket atyre që janë të fuqishëm, dallohen për sjellje të këtilla vetëm sepse janë në qendër të vëmendjes së të gjithëve?
Të dyja mund të jenë të mundura. Pra edhe përqindja e lartë, ose relativisht e lartë e njerëzve me libido të madhe seksuale mes njerëzve të pushtetshëm, edhe fakti që janë pikërisht këta njerëz të pushtetshëm, pra VIP-a, që bien me shumë në sy për shkak të pozicionit. Njerëzit e pushtetshëm kanë në të vërtetë një libido më të madhe, kjo sipas përqindjeve, krahasuar me meshkujt në pozicione të zakonshme. Të fuqishmit janë më të hapur që të luajnë me dëshirat e tyre në krahasim me “të zakonshmit”. Pushteti është një afrodiziak shumë i madh. Kështu ka thënë edhe vetë Kisingeri. Meshkujt e fuqishëm thuajse automatikisht presin që njerëzit e tjerë, të njohur e të panjohur, t’u nënshtrohen dëshirave të tyre menjëherë dhe pa asnjë lloj hezitimi. Seksi është pjesë e kësaj loje pushteti. Por është për t’u theksuar se edhe femrat e suksesshme kanë të njëjtën mënyrë sjelljeje ndaj pushtetit dhe seksit. Pra nuk është aspak një çështje gjinie, por edhe pozicioni e pushteti.
A do të kishin vepruar në të njëjtën mënyrë Clinton, Strauss-Khann, Berlusconi dhe Schëarzenegger nëse nuk do të kishin qenë në pozicionet e larta të pushtetit në të cilën janë ndodhur kur kanë bërë “mëkat”? Apo është vetëm fuqia dhe pushteti që bën rrengje të tilla?
Pa dyshim meshkujt, ose më mirë njerëzit që kanë pozicione të larta pushteti kanë edhe ambicie të mëdha në këtë drejtim dhe në fakt edhe një lloj pafytyrësie dhe një lloj mungese skrupulli. Por sipas mendimit tim është pozicioni i pushtetit ai që i bën njerëzit arrogantë, narcizë, egocentrikë, të pafytyrë në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me seksin dhe propozimet seksuale ndaj të tjerëve, paranojakë, despotikë dhe të etur për më shumë pushtet dhe para. Megjithatë ka edhe përjashtime nga ky rregull. Njerëzit e pushtetshëm, zakonisht kanë një vëmendje të veçantë për femrat e bukura dhe për bukurinë në përgjithësi dhe gratë nga ana tjetër, janë të tërhequra nga meshkujt e fuqishëm, me pushet, të suksesshëm dhe të pasur.
Në mendjet e tyre, çfarë ndodh në lidhje me përjetimin e kujdesit dhe me vënien në funksionim të arsyes kur ndërmarrin veprime “të ndaluara”?
Seksi dhe njerëzit e pushtetshëm kanë ekzistuar në këtë botë miliona vjet më parë, në të gjitha llojet e shoqërive apo bashkësive njerëzore. Kjo nuk është diçka që i takon kohëve moderne. Qeniet kanë zhvilluar gjithmonë tendenca të tilla. Në lidhje me aktin seksual dhe dëshirën seksuale, njerëzit që e aplikojnë atë, bëhet fjalë për njerëz të pushtetshëm, heqin parimisht dorë nga ndjenjat e nderit, të kujdesit dhe nga arsyeja e mirëfilltë që do t’i bënte të merrnin në konsideratë kodet morale, si dhe pasojat shkatërrimtare që mund të kishin veprimet e tyre. Dhe kjo vlen, mendoj unë, jo vetëm për njerëzit e fuqishëm, por për të gjitha qeniet njerëzore në përgjithësi.
Një psikolog i një universiteti japonez ka zbuluar se meshkujt e suksesshëm bëjnë më shumë seks dhe kanë më shumë partnere seksuale. A është kjo një sjellje evolucionare adoptuese?
Jo vetëm ky profesor, por edhe në dhjetëra studime të tjera, është dalë në përfundime të tilla. Një analizë shumë interesante për çështjen evolutive për sa i takon lidhjes mes seksit dhe pushtetit është prezantuar në vitin 1986 nga Laura Betzig në librin e saj “Despotizmi dhe Riprodhimi i diferencuar, një këndvështrim darvinian i historisë”. Me një entuziazëm të madh meshkujt e fuqishëm përdorin pushtetin e tyre në shërbim të procesit riprodhues. Pra tentojnë që të kenë shumë marrëdhënie seksuale dhe kjo, në këndvështrimin evolutiv, përkthehet me shtim të riprodhimit të species, ose më saktë me shtim të mundësive riprodhuese. Pra një sukses i përgjithshëm në këtë rast shndërrohet edhe në një sukses për riprodhimin e species.
Çfarë mendojnë këta njerëz, apo meshkuj të fuqishëm, në momentin kur janë duke kryer “seks” të ndaluar?
Unë nuk mund të spekuloj në lidhje me faktin se njerëzit e pushtetshëm të gjithë jetojnë në një botë të seksualizuar apo të erotizuar. Nuk mund të them as se ata presin që të kenë marrëdhënie seksuale me të gjitha femrat që u dalin përpara në të gjitha momentet që ata e duan një gjë të tillë, por mund të them se ata mund të kenë idenë se çdo grua është gjithmonë e gatshme që ta japë këtë shërbim dhe ta pëlqejë atë. Një pjesë e madhe e meshkujve në pushtet është tërësisht egocentrike, kur dikush refuzon që t’i mbështesë. Për ta fakti që një marrëdhënie seksuale është e ndaluar dhe madje përbën në vetvete një transgresion e bën këtë marrëdhënie edhe më joshëse dhe tërheqëse.
A mendoni se të gjithë ata që shkojnë në majën e një pushteti të caktuar shndërrohen në përdhunues realë, apo potencialë? Apo bëhet fjalë edhe për njerëzit që nuk kanë pushtet, por mund të kenë për shembull para, apo famë?
Le të mos t’i përgjithësojmë situatat. Sigurisht që jemi duke folur në terma të përgjithshme dhe nuk mund të fusin në një “thes” të gjithë meshkujt, apo femrat e pushtetshme. Kjo nuk do të ishte as e saktë dhe as e drejtë. Por në përgjithësi ka shumë karakteristika që ndihmojnë në dhënien e përcaktimeve në raste të caktuara. Sigurisht që pjesa më e madhe e meshkujve të suksesshëm nuk tentojnë që të përdhunojnë femra, sepse dhe mbi të gjitha, ata kanë shumë raste seksi konsensual, pra partneresh që i “nënshtrohen” me dëshirë kërkesave të tyre seksuale. Kjo nuk e përjashton faktin që ka edhe njerëz të tjerë të fuqishëm që u pëlqen dhuna, ushtrimi i saj kryesisht ndaj atyre që e kundërshtojnë ofertën dhe që rebelohen madje ndaj saj. Në këtë rast bëhet fjalë për një element më shumë joshës që i shtohet “lojës seksuale”. Në fakt thuajse të gjitha studimet për meshkujt përdhunues, pra që përdorin dhunë seksuale tregojnë se këtë veprim e bëjnë meshkujt që nuk janë të pushtetshëm realisht, ose kanë probleme me pushtetin e tyre ose që janë shumë të rinj në moshë apo në pushtet.
Po çfarë duhet për t’u ndier i fuqishëm A është mjaftueshëm statusi social? Apo duhet edhe paraja, fama?
Pushteti është kryesor. Pushteti tenton që të lidhet me paratë dhe me famën dhe kjo është një lidhje më se e natyrshme dhe më pas krijohen edhe lidhje me variantet seksuale që të ofrojnë gjithë këto statuse, vijnë partnerët e ndryshëm dhe të larmishëm që janë pjesë e këtyre ambienteve dhe statuseve. E vetmja gjë për të cilën ka nevojë një njeri që të ndihet i pushtetshëm është nënshtrimi i të tjerëve. Kaq mjafton. Dhe sigurisht anasjelltas.
Çfarë tjetër mund t’i shkaktojë pushteti njerëzve?
Dihet nga të gjithë se pushteti të bën vetëm një gjë: të korrupton. Më falni se është një klishe, por vazhdon të jetë shumë e vërtetë
Discussion about this post