Fotoja e Albert Ajnshtajnit me gjuhën jashtë, në një monedhë floriri të emetuar nga Swissmin

Ajo ishte dhe mbeti një ndër fotot më të njohura dhe më të famshme të gjeniut të fizikës, Albert Ajnshtajn. Pati dy përballje nën çekiçin e ankandit, ajo e vitit 2009 kur u ble për 74.324 dollarë, më pas është sfida e 25 korrikut 2017, kur kjo foto u shit për një vlerë prej 125.000 dollarësh. Sot ajo është gdhendur në flori në anën e një monedhe të emetuar nga Swissmint. Monedha më e vogël e arit në botë ka të skalitur mbi të shkencëtarin Albert Ajnshtajnin me pamjen e tij të njohur tashmë me gjuhën jashtë.

Sipas institucionit kombëtar zviceran të emetimit të monedhave Swissmint, kjo monedhë ari është zyrtarisht më e vogla në botë me një diametër prej 2.96 mm. Ajo peshon 0.063 grams dhe ka një vlerë nominale sa ¼ e një frange zvicerane ose sa 0.26 dollarë. Sipas Swissmint, monedha e prodhuar në vetëm 999 ekzemplarë, do të shitet për 199 franga zvicerane së bashku me një lupë zmadhuese speciale, në mënyrë që pronarët të mund të shohin fytyrën e fizikanit të famshëm, (huffpost)

HISTORIA E FOTOS

Fotografia i përket ditëlindjes së 72-të të fizikanit të famshëm. Konkretisht, miqtë dhe kolegët përgatitën një festë në 14 mars 1951 në Klubin Princeton. Mbërritën shumë mysafirë, si dhe fotografë të mediave. Aty, Ajnshtajni takoi fotografin profesionist Arthur Sasse, i cili i bëri disa foto. Festës i erdhi fundi dhe profesori i lodhur u drejtua drejt makinës. Sasse iu përgjërua edhe për një foto tjetër. Ajnshtajni reagoi ndaj tij duke i nxjerrë gjuhën me humor dhe kështu u krijua fotoja e lavdishme.

Arthur Sasse i dërgoi disa kopje të të gjitha fotove që kishte realizuar në festë dhe Ajnshtajni menjëherë “u dashurua” me foton tani legjendare, duke porositur nëntë kopje. Fizikanti i famshëm e përdori këtë foto në të gjitha rastet, gjë që tregon se sa shumë i pëlqeu.

Përgatiti: Albert Vataj