Xhoto di Bondone, maratonomaku i piktures evropiane, “…ithtar i kurrkujt veç natyrës”

Sado në  përmbledhur që të konceptohet çdo histori arti do të përfshinte doemos e mrin e Xhoto di Bondones. Piktori që krijoi në muzgun e mesjetës, njiherazi ai ishte lajmëtari i epokës me të cilën nisin kohët moderne, Rilindjes. Kanunet shekullore bizantine, si vendosje e shpirtit përpara trupit, pamje asketike të fytyrave, përpjestimet tepër të zgjatura të figurave, trupat pa vëllim dhe peshë dhe këmbët që duket sikur mezi e prekin tokën, me një fjalë prirje e cila jetën tokësore  e paraqet në art si diçka të përkohëshme, u ndryshua pikërisht prej tij. Në afresket( ata janë piktura murale të realizuara me anën e pigmenteve me origjinë minerale mbi një shtresë llaçi të freskët) e Xhotos figurat u konceptuan materiale, me trupa masivë, me peshë e vëllim, u pikturuan përballë e përanash, në profil dhe shpesh u përzien me elementet e arkitekturës e të peisazhit.

Bondone’s naturalistic approach to the byzantine style can be seen in this “Madonna Enthroned”.

Edhe pse në embrion ky hap thellësisht revolucionar i vuri artit këmbët në tokë dhe e çeli rrugën e shkëputjes së tij nga bota qiellore e anonimatit mesjetar. Stilet që do të vërshonin pas këtaj, nga ai rilindas deri tek te realizmi, njëri pas tjetrit do të vendosnin një gur në muret e ndërtesës, themelet e së cilës i kishte hedhur pikërisht Xhoto di Bondone.

Kahu më pozitiv i tyre sado i brishtë që të dukej, tejpërshkohej nga koncepti estetik që solli ai i pari në botët e artit, nga zbulimi dhe paraqitja përmes filtrit të ndjenjave dhe një force të hovshme shpërthyese, padyshim dhe mendimeve të artistit si dëshmitar i asokohshëm i botës dhe realitetit rrethues.

Si pararendës i artit të rilindjes, Xhoton e pikasim në kryherë gjatë shtjellimit përmbajtësor dhe përshkues të shpirtit njerëzor, një vlerë që e preku si me një vezullim të hyjshëm veprën e tij. Mik dhe bashkëqytetar i Bogaços, Petrarkë dhe Dantes ai u ngrit kundë rregullave të prera të kishës që ndalonin zgjedhjen e lirë të temave dhe i detyronte artistët e kohës t’i merrnin subjektet nga universi fetar.

Sipas dëshmive, njerëz të zakonshëm si modele për figura të ndryshme në afresket me temë kulti dhe më tej akoma, i pikturonte ata gjithë dinjitet, me ndjenjë të dukshme butësie, dhembshurie dhe sinqeriteti.

Fare pranë jetës, edhe pse të vendosur në tema biblike, me lëvizjet, qëndrimet e gjestet natyrore, figurat e afreskeve në Asizi tregojnë qartë shkëputjen e tyre nga ideja kristiane e përparësisë të shpirtit ndaj trupit. Pikërisht ky konceptim kurajoz, thellësisht njerëzor dhe material i figurës së njeriut e lidh Xhoton me artin e rilinjes, thelbi i të cilit qëndronte në kurajon dhe mençurinë e artistit, në pasionin e tij, sidoqë të idealizuar për jetën tokësore, për të tanishmen dhe të ardhmen e njeriut.

Bardi Chapel: the Mourning of St. Francis

Në Rilindjen pasardhëse Xhoto di Bendonen e bashkon edhe admirimi për shkencat njerëzore (cilësi e shumicës së artistëve të kësaj epoke, prej Albreht Dyrerit deri tek Leonardo da Vinçi), vizatimi i objekteve të natyrës me një vërtetësi të denjë për portretet dhe peisazhet e kësaj epoke, si dhe admirimi për artin antik që sapo kishte të nxirrej në dritë. Me monumentet e këtij të fundit Xhoto u njoh në Romë në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të 13-të kur ai po punonte në afresket e kishës së Shën Pjetrit. Prej kësaj kohe me gjithë kufizimet që vinin nga tyradita e artit gotik me të cilin ishte edukuar, sikundër artistët e antikitetit, ai thelloi formën dhe përmbajtjen realiste të veprës së tij. Kjo afri e thellë me artin antik e shtyu Petrarkën të cilësonte Xhoton pionier të Rilindjes, ndërsa Bogaço të shkruante rreth vitit 1350L “..ai ka nxjerrë në dritë artin antik të varrosur prej shumë shekujsh..”

Fryma novatore e artit të Xhotos shfaqet edhe në gjuhën figurative që ai përdor.

Së pari Xhoto krijoi një hapsirë të re pikturore, thelbi i së cilës qëndronte në lidhjen e ndërgjegjshme që artisti vendos  afreskut dhe shikuesit. Këtij të fundit i krijon ndjesinë e të gjendurit vetë në tablo dhe kjo ndjesi është tepër e prekshme sidomos në afresket që Xhoto realizoi në Padova, në periudhën ndërmjetvitase 1303-1306. Skena e nxjerrë në planin e parë, figurat e shpërndara në mënyrë të tillë që shikuesi të mbahet në gjysmën e brendshme të afreskut si dhe peisazhi pothuajse miniaturë në kohë dhe në hapsirë e fshijnë nga ana pamore largësinë midis ngjarjes dhe shikuesit, aq sa këtij të fundit i duket se edhe ai është pjesmarrës brenda tablosë.

Kryemjeshtrit e Rilindjes së Artë do ta preknin edhe ata këtë problem, por në një kah disi të ndryshëm: peizazhi dhe trajtat e “Xhokondës” së Da Vinçit i përkasin realitetit tokësor dhe shikuesi i prek lehtësisht ato, ndërkohë që në rrafshin shpirtëror ajo është aq e idealizuar sa bën pjesë në botën e ëndrrave të njeriut.

Për ta bërë edhe më të prekshëm këtë realitet të ri pikturor,  mjeshtri i realizoi punët jo në plan, por në hapsirë tripërmasore, aq sa ato dukeshin të mbyllura, të fuqishme, të pakshme si vetë skulptura e rrumbullakët. Të tillë figura e bëjnë stilin e tij më madhështor, më skulpturor, dhe janë ato që krijojnë hapësirën pikturore më shumë se kuadrin arkitekturor.

Në këtë pikë Xhoto veçohet edhe prej bashkëkohësve, të cilët jepeshin pas një hapësire pikturore me përmbajtje tregimtare e me perspektivë bizantine. Me format monumentale, me hapsirën e re pikturore dhe përkorjen e figurave e të kuadrit arkitekturor, ai arriti të thjeshtësonte rrënjësisht artin gotik bashkëkohës.

Ky hap së bashku me mjetet e kursyra pikturore dhe gamën e shtërnguar, por mjaft intensive të ngjyrave, e ka bërë edhe më depërtuese ngarkesën emocionale të afreskeve të tij. Mjaft unike në vetvete, afresket në Asizi dhe në Padovs të detyrojnë t’i mbërthesh me një vështrim. Kompozimi gjithashtu i përmbajtur dhe i organizaur në forma të mëdha, me figura disi të thella dhe qëndrueshmërisht të grupuara  e thekson edhe më shumë karakterin unik dhe koherencën e brendshme të veprës. Nëpër këtë rrugë duke hequr gjithçka të tepërt , piktori ka vënë theksin në cilësinë më të rëndësishme emocionale të temës, në solemnitetin e ngjarjeve, si te vepra “Puthja e Judës”, në atmosferën tragjike si te “Pagimi i taksave”, etj.

Edhe ritmi figurativ i gjesteve të figurave shkruhet në mënyrë harmonike me shprehjet e fytyrave të tyre, cilësi kjo që i ka dhënë dorë artistit për t’i pasquruar ato me një ngarkesë të madhe emocionale ndjenjat e shpirtit të njeriut; butësinë, mirësinë, pabesinë ose egërsinë.

Në anën tjetër ngjyrat intensive që përdorte Xhoto di Bendone e fuqizojnë mjaft ngarkesën emocionale të kuadrit. Për herë të parë në artin bizantin, në afresket e tij ato dalin nga krijimi  i efekteve në vetvete dhe kthehen në mjet të fuqishëmtë ekzaltimit të formës.

Të dyja së bashku, fryma njerëzore dhe mjetet e reja figurative, e tregojnë të plotë përmbysjen e thellë që Xhoto solli në art. Me to ai krijoi një stil plot dramacitet, që jo vetëm revolucionarizoi traditën gotike, por edhe i parapriu Rilindjes dhe vuri gurin e parë në themelet e artit realist që do të shfaqej vetëm pesë shekuj më vonë.

Vendin që zë në historinë e artit Xhoto di Bondone ia detyroi talentit të rrallë që pati, mësuesit të tij, piktori fiorentina Çimabue, si dhe epokës e vendit në të cilin jetoi.

Çimabue ishte i pari, që në udhëtim e sipër i pa dhe i pëlqeu vizatimet e bariut të vogël 11-vjeçar  në lëkurat e dhënëve dhe i çeli rrugën e artit duke e marrë Xhoton si çirak në atelienë e tij. Me këtë zbulim dhe mësimet që i dha piktorit të ri ai i bëri artit një shërbim po aq të çmuar sa dhe afresket e shumta e të arrira që la në Firence, sepse ka qenë e janë të panumërta ata, të cilëve natyra u ka faluar dhuntinë e krijimit por rrethanat e jetës kushtet shoqërore nuk i kanë lejuar shumë syrëshëve të shpërthejnë e të vënë atë në shërbim të vlerave estetike dhe mjeteve shprehëse shpirtërore si ushqim dhe balsam për njerëzimin, testament për gjeneratat.

Çimabuja jo vetëm e futi Xhoton në botën e artit fare të njomë, por e ndihu që të kultivojë vetveten që shpejt.

Nuk duhet të harrojmë këtë dhe elementet figurativë që Xhoto i mori prej mësuesit të tij. Trajtimi i fuqishëm plastik të vijanëzave që rrethojnë figurat gjerësinë e lëvizjeve të tyre Xhoto i mësoi në afresket e Çimagus dhe i ruajti për gjithë jetën të tilla edhe atëherë kur siç shkruante Dante te “Komedia Hyjnore” e la pas mësuesin e tij.

“I pari ndër më të mirët piktorë, Çimabueja vlerësohej, por tashmë fama e tij nën emrin e Xhotos errësohej..”

Epoka dhe vendi ku jetoi e ndihmuan Xhoto di Bendonën për t’u bërë i njohur. Nga të gjithë qytet-shtetet italiane në fundin e shekullit të XIII-të borxhezia e Firences shënoi e para triumfin e plotë mbi feudalizmin mesjetar. Me botkuptimin e vet revolucionar për kohën, dobësimin e ideologjisë së vjetër idealo-kishtare dhe me kulturën e re humaniste që solli ajo krijoi klimën e përshtatshme shpirtërore për lulëzimin e arteve, të letërsisë e të shkencës. Një radhë e tërë letrarësh e artisësh me Danten, Bokaçion e Petrarkën në krye i dhanë Firences famë në ë gjithë Italinë dhe e shuqan atë gjatë gjithë shekullit të XIV.

Ndër ta bën pjesë dhe Xhoto di Bondone. Me Firencen, sikundër më pas Mikelanxhelo, ai u lidh pazgjidhshmërisht. Me botkuptimin e asokohshëm, me inspirimin e kulturës humaniste  dhe njerëzit e saj të shquar, ajo i krijoi atij mundësi për lulëzimin e talentit. Xhoto nga ana e tij ishte mirënjohës për gjithçka dhe këtë e bëri me përulje dhe përkushtimin e tij të përkorë me veprën e tij monumentale, e cila do të dëshmojë në përjetësi shëmbëllimin e një gjeniu të përmasave të tilla.

Edhe jeta e Xhotos na kujton atë të artistëve fatlumë, të lirë në punën e tyre, shpesh me lëvizjet nga një qytet në tjetrin, me mundësi të pafundme për të parë, njohur dhe sprovuar.

Ecja e tij në jetë mund të përmbledhet në pak radhë, pa frikën se na rrëshqasin apo nuk marrin vëmëndjen e merituar të gjithë episodet që përbëjnë galerinë e jetës vetjake të gjenialitetit të tij.

Çiraku i mitur në atelienë e Çimabues në dhjetëvjetorin e shekullit të XIII ai punoi mozaikun “Novicella” vepër e cila tragjikisht u prish së bashku me një pjesë të kishës së Shën Pjetrit në Romë tre shekuj më pas. Gjatë periudhës ndërvitase 1303-1306 ai punoi afreskun e famshëm në Padova, ku vlen të përmenden “Puthja e Judës” dhe “Përshëndetja e magjistarit”. Më pas ai zbukuroi me afreske kishat e ndryshme në Firence, punë të cilat e bënë të njohur dhe e ngjitën në qiell famën e tij duke lajmëruar njëherash dhe shkëputjen e madhe prej artit mesjetar.

Nga vitet që ai kaloi në Napoli, ndërvitash 1330-1333 na vjen legjenda që mëton natyrën e pavarur të Xhotos: “Po të isha në vendin tënd, nuk do të argëtohesha kaq shumë, i tha një ditë mbreti-Edhe unë, gjithashtu, nëse do të isha në tuajin, -ia ktheu piktori.

Kur mbylli sytë më 1337, emri dhe fama e tij kishte kapërcyer kufinjtë territorial të Italisë. Xhoto la pas një vepër  e cila luajti një rol përcaktues në lulëzimin e artit rilindas dhe nxiti frymën realiste të të gjithë përvojave pikrurore të mëpastajmë. Në të vërtetë deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, realizmi do të bëhej stili që arti do t’i afrohej hap pas hapi. Xhoto di Bondones ishte artisti që çeli i pari shtigjet  e kësaj udhe shumëshekullore. Atij i takon kurora e maratonomakut të pikturës evropiane.

Përgaditi: Albert Vataj