Agora, zemra e Athinës së lashtë, tik-taku i një krijese emblematike të një qytetërimi të madh

Komuniteti intelektual i Athinës ishte në një shpërthim! Në agorën ose në sheshin e tregut të atij qyteti grek gjithmonë bëheshin publike ide të reja. Megjithatë, kësaj radhe ishte shumë ndryshe. Sapo kishte mbërritur në qytet një burrë jude që dukej se ishte «një lajmëtar i hyjnive të huaja». Ai po u bënte pohime të pazakonshme «atyre që rastisi të kalonin andej». «Çfarë dëshiron të thotë ky llomotitës?»—pyetën epikurianët krenarë dhe stoikët me fytyra serioze. Në fakt, agora athinase ishte pikërisht vendi ku mbaheshin debate të hapura praktikisht mbi çdo temë që mund të gjendej nën diell. Por prezantimi i perëndive të huaja, jo, kjo ishte vërtet tepër!

Athina bëhet me sheshin e saj publik

Ajo që faktikisht ishte unike qe vetë agora dhe roli kyç që luajti ajo në jetën fetare dhe publike të athinasve. Agora e Athinës është një zonë pak e ngritur prej rreth 10 hektarësh, e vendosur në veriperëndim të Akropolit. Duket se në fillim të shekullit të 6-të p.e.s., gjatë jetës së Solonit, burrë shteti dhe ligjbërës, kjo pjesë toke u projektua si vendi i sheshit publik të qytetit. Vendosja e demokracisë në Athinë, me emfazën më të madhe mbi jetën qytetare, shkaktoi një shpërthim të aktivitetit të ndërtimit gjatë viteve të hershme të shekullit të mëpasshëm. Kjo i dha agorës një jetë të re dhe një rol më domethënës.

Fjala greke a·go·raʹ e ka rrënjën në një folje që do të thotë «mbledh, grumbulloj». Kjo i përshtatet përdorimit të agorës si vendi kryesor i mbledhjeve në qytet. Agora arriti të bëhej zemra e jetës shoqërore e publike. Ajo ishte qendra e administrimit qytetar e gjyqësor, vendi kryesor për tregtimin dhe biznesin, skena e paraqitjeve teatrale që përbënin dramën greke, një vend për të mbajtur shfaqje atletike dhe një vend i parapëlqyer mbledhjesh për diskutime intelektuale.

A do t’ju pëlqente të bënit një vizitë nëpër ato që mbeten nga tempujt, portikët me kolona, statujat, monumentet dhe ndërtesat publike të agorës në Athinë? Duke u përpjekur për të shqyrtuar të kaluarën e agorës, le të lëmë prapa zhurmën dhe rrëmujën e qytetit modern dhe të marrim rrugën përgjatë shtigjeve me zhavorr, përmes gërmadhave të heshtura prej mermeri, gurëve të gdhendur dhe portaleve të rëna, të mbuluara nga egjra dhe nga barëra të egra.

Tempuj, altare dhe hyjni mbrojtëse

Vizitorëve u bën përshtypje prania e shumë tempujve, altareve dhe shenjtëroreve të kushtuara hyjnive të ndryshme. E gjithë kjo shërbeu për ta bërë agorën një qendër kryesore adhurimi, që vinte e dyta pas Akropolit. Gjatë Epokës së Artë të Athinës klasike, feja kishte depërtuar në çdo aspekt të jetës publike. Kjo patjetër që nënkuptonte se hyjnive të përkufizuara si «hyjni mbrojtëse» të ndarjeve qeveritare dhe të shërbimeve administrative, u ishin bërë faltore tempulli në agorë.

I shquar midis këtyre strukturave ishte Tempulli i Hefaistos. Perëndesha Athina u lidh me Hefaistosin. Që të dyja këto hyjni adhuroheshin si hyjnitë mbrojtëse të arteve dhe të zejtarive. Zbulimet arkeologjike të punimeve të metalit dhe poçeve përreth këtij tempulli e kanë identifikuar atë me Hefaestusin, perëndinë greke të arteve që kërkojnë përdorimin e zjarrit. Ka të ngjarë që në shekullin e 7-të të e.s., këtë tempull të ruajtur mirë ta kenë kthyer në Kishën Ortodokse Greke të Shën Jorgos, edhe pse nuk përdoret më si e tillë në ditën e sotme.

Sigurisht, agora kishte nevojë për hyjninë e vet mbrojtëse. Ky ishte Zeusi i Agorës, frymëzuesi i supozuar i oratorisë, të cilit i ishte kushtuar një altar i zbukuruar, i gdhendur në mermer të çmuar pentelik. Një altar fqinj i Nënës së Perëndive ishte i rrethuar nga një sërë monumentesh spektakolare heronjsh.

Pak më tutje gjejmë një tempull të vogël ionik. Gjeografi Pauzania e identifikoi si Tempulli i Apolit Atë. Pse? Sepse, sipas një legjende të lashtë greke, ai ishte babai i Ionit, themeluesit të racës ioniane, nga e cila vinin athinasit.* Në këtë rol, Apoli ishte një nga hyjnitë mbrojtëse të organizimit administrativ shtetëror, veçanërisht në lidhje me vëllazëritë e ndryshme që ekzistonin në qytet.

Fill pas kësaj në veri, shohim mbetjet me gurë gëlqerorë të një tempulli më të vogël, të ndërtuar gjatë mesit të shekullit të 4-t p.e.s. Këtu adhuroheshin Zeusi dhe Athina Fatrios, hyjnitë kryesore të vëllazërive paraardhëse fetare. Anëtarësia në këto vëllazëri ishte pothuaj një parakusht për të marrë qytetarinë athinase. Pikërisht përballë, gjejmë mbetjet e një altari të Dymbëdhjetë Perëndive.

Në Portikun fqinj të Zeusit Eleutherios, hyjnia kryesore greke nderohet përsëri, por kësaj radhe si perëndia i lirisë dhe i çlirimit. Ky portik me kolona ishte një shëtitore e njohur dhe një vend mbledhjesh. Për filozofin e famshëm, Sokratin, thuhet se takohej me miqtë e tij në këtë portik, ku mund të uleshin dhe të bënin muhabet ose të shëtitnin. Shumë kushtime dhe oferta të bëra për ta zbukuruar këtë portik, si për shembull mburojat e luftëtarëve që kishin vdekur duke luftuar në mbrojtje të Athinës, kishin lidhje të drejtpërdrejtë me çlirimin e qytetit nga armiqtë e tij ose me ruajtjen e lirisë së tij.

Rruga Panathenease

Duke i rënë përmes agorës diagonalisht gjendet një rrugë e gjerë me zhavorr, e quajtur Rruga Panathenease. Emri i saj dhe karakteri i veçantë vinin nga festivali kombëtar i Athinës, Panathenea. Gjatë këtij festivali, veli i perëndeshës Athina mbahej përgjatë kësaj rruge, duke u nisur nga Shtëpia e Procesionit (pas portës së qytetit) e deri në Akropol. Një faqe muri e gdhendur parthenone na ndihmon të imagjinojmë pompozitetin dhe madhështinë e procesionit të festivalit: kavaleria, karrocat e garave, demat dhe delet e flijimit, të rinjtë e të rejat që mbajnë pajisjet, të cilat do të përdoren për flijimin. Procesioni mbahej nga qytetarët e Athinës dhe nga të ftuarit e tyre, për lehtësimin e të cilëve arkitektët kishin marrë masa të mjaftueshme kur kishin projektuar agorën. Për shembull, portikët me kolona dhe fasada të shkallëzuara ishin vendosur me mjeshtëri në varësi të rrugës së procesionit. Numri i konsiderueshëm i shkallëve të gdhendura në fasadat e tyre mund të mbanin shumë spektatorë.

«Plot me idhuj»

Me kaq shumë tempuj, statuja dhe monumente të mbledhura së bashku, nuk është habi që apostullit Pavël «po i zjente fryma përbrenda kur pa qytetin plot me idhuj». Ajo që pa Pavli kur hyri në agora duhet ta ketë tronditur atë. Statujat falike të perëndisë Hermes ishin kaq të shumta saqë duhej një portik i tërë, i njohur si Portiku i Hermesit, që t’i mbante ato. Veshjet mbi shëmbëlltyra të tjera të pikturuara të Hermesit tregonin kryqe të thyera, simbole të pjellorisë dhe të jetës. Kishte një statujë të Afërditës Gjenetrikse, perëndeshës së dashurisë seksuale si edhe një të Dionisit që mban një numër kryqesh falike. Në shënim të «shenjtërisë» së agorës ishte një gur kufizues me një legen që mbante ujë «të shenjtë» për pastrimin ceremonial të të gjithë atyre që hynin.

Duke pasur parasysh këtë klimë thellësisht fetare, mund ta kuptojmë me lehtësi përse pozicioni i Pavlit ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm. Për të dyshohej se ishte «një lajmëtar i hyjnive të huaja» dhe ligji i asaj kohe specifikonte se ‘asnjë njeri nuk duhet të ketë ndonjë perëndi të ndryshëm ose të ri dhe as nuk duhet të adhurojë privatisht ndonjë perëndi të huaj nëse ato nuk janë lejuar publikisht’. Nuk është për t’u habitur pra që apostullin Pavël e morën në Aeropag për ta pyetur.

Qendra e administrimit

Një ndërtesë e rrumbullakët e quajtur Tholos mbante qendrën e qeverisë athinase. Shumë drejtues të qytetit flinin në këtë ndërtesë gjatë natës, me qëllim që të kishte gjithnjë në dispozicion zyrtarë përgjegjës. Në Tholos mbahej një komplet peshash dhe masash standarde. Ndërtesat për ndarjet e ndryshme të administrimit ndodheshin afër. Shtëpia e Këshillit zinte një pjesë të ngritur të prerë në anë të kodrës, në veriperëndim të Tholosit. Atje, anëtarët e Këshillit të 500-tëve mbanin mbledhjet në të cilat bënin punën e komitetit dhe përgatitnin legjislacionin për Asamblenë.

Një ndërtesë tjetër e rëndësishme civile ishte Portiku Mbretëror. Atje e kishte qendrën e vet Arkondi Mbretëror i Athinës, një nga tre gjykatësit kryesorë të qytetit. Nga atje ai drejtonte shumë përgjegjësi administrative që kapnin si çështje fetare, ashtu edhe ligjore. Ka shumë të ngjarë, që ky ishte vendi ku Sokratit iu kërkua të paraqitej kur u akuzua për afetari. Ligjet e të parëve të Athinës ishin gdhendur mbi muret e një ndërtese përballë Portikut Mbretëror. Mbi një gur të vendosur përballë të njëjtës ndërtesë, arkondët ose gjykatësit kryesorë, qëndronin çdo vit për të bërë betimin e postit të tyre.

Portiku i Atalusit

Ndërtesa e ruajtur më mirë e agorës është Portiku i Atalusit. Kur ishte i ri, Atalusi, mbreti i Pergamit (shekulli i 2-të p.e.s.), kishte studiuar në shkollat e Athinës, siç kishin bërë pinjoj të tjerë të familjeve mbretërore në botën mesdhetare. Kur hipi në fron, ai i bëri këtë dhuratë madhështore, Portikun e Atalusit, qytetit ku kishte bërë shkollën.

Funksioni kryesor i Portikut të Atalusit ishte të siguronte një strehë dhe një shëtitore elegante për shoqërim joformal dhe shkëmbim inkurajimi. Katet dhe çatia e tij siguronin vende të shkëlqyera, nga të cilat mund të shiheshin procesionet, ndërsa popullariteti i tij si shëtitore duhet të ketë siguruar, gjithashtu, suksesin e vet si një qendër blerjeje. Dyqanet ka të ngjarë që t’u jepeshin me qira tregtarëve nga shteti, kështu që ndërtesa shërbente si burim të ardhurash.

Pasi është rivendosur në gjendjen e tij origjinale, Portiku i Atalusit ofron një shembull të shkëlqyer të projektimit gjeometrik. Përmasat e tij të përgjithshme, dallimet e këndshme në shkallë mes rreshtave të sipërm dhe të poshtëm të kolonave, ndërveprimi interesant i dritës dhe i hijes si edhe pasuria e bukuria e materialeve me të cilat është ndërtuar, që të gjitha shërbejnë për ta bërë atë unik. Monotonia hiqet në mënyra të ndryshme, por në mënyrë të veçantë nga përdorimi i tri llojeve të ndryshme të kapiteleve të kolonave: dorik, ionian dhe egjiptian.

Një vend për aktivitete kulturore

Një ndërtesë që shërbeu si skenë për shumë ngjarje kulturore në Athinë ishte Koncerti. Ajo ishte një dhuratë e Vipsanius Agripës, dhëndrit të perandorit romak, Augustit. Pjesa e tij e përparme ishte shtruar me mermer shumëngjyrësh. Auditori, me një kapacitet prej afro 1.000 vendesh kishte një hapësirë prej pothuaj 25 metrash dhe fillimisht ishte i mbuluar me një çati që nuk kishte mbështetje të brendshme. Ky ishte një nga eksperimentet më të guximshme të njohura në botën e lashtë në ndërtimin e çative! Megjithatë, ka të ngjarë që shumica e zbavitjeve të paraqitura këtu do të kishin qenë të diskutueshme për të krishterët e vërtetë, duke pasur parasysh standardet e tyre të larta morale.

Ka mundësi që individë kureshtarë të kohëve të lashta të kenë vizituar Bibliotekën e Pantainosit. Muret e saj ishin plot me dollapë ku ruheshin rrotulla papirusi të shkruara me dorë dhe pergamenë. Dhoma kryesore e bibliotekës e kishte drejtimin nga perëndimi dhe përmes një radhe kolonash, dikush mund të shihte një oborr të rrethuar prej tyre, një vend i këndshëm për të shëtitur, për të lexuar ose për të medituar. Është zbuluar një mbishkrim që mbante dy nga rregullat e bibliotekës. Ato ishin: «‘Asnjë libër nuk duhet marrë me vete’ dhe ‘[Biblioteka] është e hapur nga ora e parë deri në orën e gjashtë’ .»

Agora sot

Vitet e fundit, agora është gërmuar pothuaj plotësisht nga Shkolla Amerikane e Studimeve Klasike. Si një objekt që qëndron paqësisht nën hijen e Akropolit, ajo është bërë një vend i parapëlqyer nga turisti që dëshiron t’i hedhë një vështrim të shpejtë historisë së Athinës së lashtë.