Uthullës së mollës, pihet kundër ftohjeve të ndryshme, lehtëson etjen, forcon nervat, mushkëritë dhe zemrën

Molla ka përbërës të shumtë ushqyes e shërues. Sidomos ka natrium, hekur, fosfor, disa alkaloide, geraniol, acetaldehid, pektin, sheqer, thartirë të mollës, në sasi të vogla ka dhe vajra eterikë, ndërsa nga vitaminat sidomos dallohet vitamina A, B dhe C. Përpos që përdoret si pemë freskuese dhe për përgatitjen e lëngjeve të ndryshme dhe uthullës, molla përdoret edhe për përgatitjen e çajeve të ndryshme shëruese.

Çaji që përgatitet nga lulet e mollës pihet kundër ftohjeve të ndryshme, lehtëson etjen, forcon nervat, mushkëritë dhe zemrën, ndërsa çaji nga lulet e mollës është mjet i mrekullueshëm për rregullimin e tretjes. Për përgatitjen e çajit nga lulet e mollës duhet që në pranverë të mblidhen lulet e freskëta, të cilat thahen në hije dhe pastaj si të thara përdoren gjatë vitit. Çaji nga këto lule zihet sikur edhe çdo çaj tjetër, mirëpo në vend të sheqerit ëmbëlsohet me mjaltë.

Pos kësaj çaji nga rriskat e thara të mollës përdoret për këndellje psikike pas punëve të rënda, për ripërtërirje të mëlçisë dhe pastrim të veshkëve. Marrja e mollës së freskët dhe e bukës së zezë disa ditë rresht ndikon mirë në pastrimin e mukozës së hundës, ndihmon dhe shpejton tretjen e ushqimit, siguron gjumë të rehatshëm, eliminon djegësimën dhe thartirën e lukthit, ndikon mirë kundër reumës dhe arteriosklerozës. Është e preferueshme që posaçërisht personat e moshuar ta marrin si ushqim të pandarë me bukë. Një mollë e ngrënë në mëngjez ndikon mirë në pastrimin e dhëmbëve dhe eliminon thartirën e tepërt në gjak. Është e preferueshme të merret edhe një mollë para gjumit. Kjo normalizon barkçitjet. Molla preferohet edhe si mjet shërues për barkqitjet e shpeshtuara të fëmijëve. Për këto raste preferohet molla e pjekur. Pos kësaj preferohet pirja e lëngut të mollës kundër sëmundjes së lëkurës, sëmundjes së veshkëve, mëshikëzës së urinës, hemoroideve. Duhet theksuar se pirja e rregullt e lëngut të mollës nuk lejon formimin e gurëve në veshkë dhe ndikon mirë te personat që kanë vuajtur nga verdhëza. Nga molla bëhet edhe uthulla e mollës, e cila është shumë e preferueshme të përdoret për sallata dhe destinime të tjera shëruese.

Përgatitja e uthullës së mollës

Merren 5 kg molla të egra (bën edhe të buta) të paspërkatura me kemikalje, lahen mirë, prehen dhe bluhen me makinë të thjeshtë për bluarjen e mishit. Masa vendoset në enë të emajluar, kavanoz, qelq etj, dhe mbushet me ujë aq sa ta lagë masën e bluar. Në këtë sasi mund të vendosen edhe 20-50 gr sheqer të bluar. E tëra mbulohet me gazë dhe vendoset në vend të nxehtë (dimrit) ose në vend me diell, për 20 ditë. Gjatë kësaj kohe, vetvetiu me nxehjen e masës, përfitohet uthulla e mollës, e cila vendoset në shishe (e kulluar) dhe ruhet në vend të ftohtë e të errët.

Ja edhe një mundësi për përgatitjen e uthullës së mollës:

Lëvoret e mollëve të qëruara në përpjestim 1:1 duhen vendosur në një kavanoz më të madh (1 kg lëvore me 1 litër ujë). Sipër lëvoreve vendoset uji i sheqerosur (sipas dëshirës). Kavanozi mbyllet me pecë pambuku. Pas 3 – 4 javëve fitohet uthulla e mollës.

Si përdoret uthulla e mollës

Te infektimet virusale: 2 lugë uthull molle përzihen me 2 lugë mjaltë dhe me gjysmë gote uji të nxehtë. Me këtë përzierje shpëlahet fyti dhe pihen disa lugë gjatë ditës. Shpëlarjen e fytit duhet përsëritur katër herë në ditë, ndërsa personat me fyt tejet të ndieshëm këtë mund ta bëjnë vetëm në mëngjez dhe në mbrëmje. E njëjta mënyrë, por në sasi më të vogël të uthullës së mollës, aplikohet edhe te fëmijët, por mbi moshën pesëvjeçare. Nëse vuani nga astma e kafazit të krahërorit, duhet fërkuar me uthull molle, e nëse lëkura është e ndjeshme, uthullën duhet zbutur me ujë. Me uthull molle bëhet edhe avullimi i gjoksit te rastet e vështira të ngulfatjeve astmatike. Fasha e lagur me uthull çitet në lëkurë ndërsa sipër saj çitet tjetra e terur.

Uthulla e mollës e përzier me mjaltë dhe ujë të nxehtë pihet si mjet qetësues kundër pagjumësisë.

Nëse vuani nga kokëdhembja në ballë, vendosni fasha të lagura me uthull molle dhe ujë: gjysmë gote ujë të ftohtë, 1 lugë uthull molle dhe pak mjaltë. Fasha ndërrohet kur nxehet. Këso fashash mund të vihen edhe në pjesën e pasme të qafës.

Për t’i përmbushur nevojat ditore me minerale

Çdo ditë nga 3 herë të merren me një gotë uji 2 lugë çaji me mjaltë dhe dy lugë çaji uthull molle.

Në shtatzënësi

Për t’i përmbushur nevojat e thartirave, shtatzënja duhet të merr 1 lugë uthull molle në 1 gotë ujë – esull. Kjo përzierje do ta pengojë dhe largojë çdo mundim të mëngjezit. Gjatë ditës është mirë që shtatzënja ta pijë edhe nga një gotë lëngu molle a rrushi. Në këtë mënyrë nëna e ardhshme merr mjaft elemente të nevojshme natyrore, prandaj edhe mund ta pret një foshnje me flokë të bujshme nga dita e parë, me thonj të fortë e të gjatë , me sistemin e zhvilluar muskulor sa që nga fundi i dhjetëditëshit të parë do ta ngritë kokën vetë. Nëna e re do të ketë mjaft qumësht, fëmiu do ta tretë ushqimin normalisht dhe do të ketë jashtëçitje normale, fytyrën do ta ketë mjaft të gjerë, e kjo do të ndikojë edhe në rritjen e mëvonshme dhe në zhvillimin psikik dhe shpirtëror të fëmiut.

Për ftohjet e ndryshme që përcillen me koll të madh çdo dy orë merret nga një lugë të tretjes: lëng të freskët të gjysmë limonit, sasi e njëjtë uthulle molle, 1 lugë mjaltë bagremi dhe 1 lugë gicerinë. Të gjitha këto përzihen derisa të fitohet sirupi, i cili është edhe mjaft i shijshëm. Kjo përzierje përdoret gjatë 11 orëve. Në rastet e kollit intenziv duhet të merret 1 lugë sirup në çdo dy orë, ndërsa natën dy herë nga një lugë. Fëmijët mbi dyvjeçarë mund ta pijnë këtë sirup çdo orë, por në sasi më të vogël. Sirupi është i mirëseardhur në rastet e ndezjes së faringut dhe në masë të konsiderueshme zvogëlon kollitjen.

Nëse keni flamë alergjike, për shkaqe profilaktike mund të merrni 1 lugë mjaltë ruzmarini ose temjani (Thymus vulgaris) para buke. Në mbrëmje para gjumit pihet tretja prej: 2 lugësh mjaltë bagremi, 1 lugë uthull molle dhe pak ujë mineral. Pas 75 ditëve preferohet të merret çdo ditë nga një gotë uji mineral me 2 lugë mjaltë, 2 lugë uthull molle dhe 5 – 10 pika limon të freskët. Profilaktika vazhdohet. Kjo terapi mund të ndërpritet pas dy jave, pasi që në princip janë eliminuar shkaqet e flamës alergjike.