Te qershia e shtëpisë së artistit, përshtypje prej nji takimi me «Artistin e Popullit» Lec Shllaku

ARDIAN NDRECA

Ndodh kajherë që fjala, shprehja dhe heshtja të ngarkohen me nji dritë aq të madhe sa që njeriu që i përmban kthehet në nji vetimë që shkon tue gjimue nëpër qiell e dikur shkimet ndër maje e kreshta të lame prej shtërngatash. E randësishme âsht që njerëzia mos të mbërrijnë me kuptue asgja, që shtypi, ekrani, tribunat dhe darkat madhështore mos ta prekun n’asnji nerv të tijin. Kjo âsht vetmia e shenjtë e artistit.

Me takue nji artist të vërtetë âsht nji gja shumë e rrallë, bile edhe n’aradhen e atyne që rrijnë tue turfullue mbrapa kuintave kundër fatit të keq që s’ia dha kurrë togën virile. Të tjerët, ata që kanë profesionin e protagonizmit janë mâ të shpeshtë. Por artistat e mëdhaj të shtangin prej pirgut të madhështisë së tyne të përvujtë, e cila premton nji zbulesë të pamendueshme për ata që kanë aq forcë në vetvete sa mos me u tut prej vogëlsisë në të cilën pluskojnë zakonisht.

Të shenjueme prej mendimesh të tilla qenë hapat që bâna drejt shtëpisë së shkrimtarit dhe artistit Lec Shllaku, e cila gjindet në Shkodër, përbrí shtëpisë së Simon Rrotës dhe pak hapa larg asaj ku lindi Lazër Shantoja.

Lec Shllaku ka lind me 3 nandor 1921 në Shkodër dhe âsht rritë në nji hapsinë kulturore që i jepte randësí të madhe teatrit, koncerteve të bandës qytetse, karnivaleve, bejteve. Deri në vitin e parafundit ai ndoqi liceun «Illyricum», i cili mbahej prej Françeskanëve, ndërsa vitin e fundit e kreu në gjimnazin «28 Nandori». Leci ka hypë në skenën e teatrit qysh në moshën 12 vjeçare e mandej ka vazhdue edhe tue këndue si kangëtar solo edhe tue debutue te ai që ishte tempulli i parë i teatrit tonë: Teatri saverjan i Etnive jezuit.

Në Shkodër ai âsht njohtë dhe ka luejt me mâ të mëdhajt aktora që ka pasë vendi ynë, si: Zef Jubani, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Ndrek Shkjezi, Gjon Karma, Ana Kçira. Menjiherë në vitin 1945 ai ven në skenë nji pjesë të titullueme «Djersë dhe gjak», mandej punon me filodramatikën e Shtëpisë së kulturës, kurse prej 1949-’50 punon në Teatrin qendror të ushtrisë. Në këto vite njeh dhe përfiton shumë prej përvojës së vërtetë artistike të disa regjisorave sovjetikë që kishin ardhë me punue në vendin tonë, ndër të cilët veçohet regjisorja baltike Zinaida Andri. Prej vitit 1951 deri në 1960 punon pranë teatrit të Shkodrës, i cili deri m’at kohë udhëhiqej prej Andrea Skanjetit. Në Shkodër punon me aktorët e mirënjohun Zef Jubani, Tinka Kurti, Antonjeta Fishta, Lec Bushati, Vitore Nino, Preng Lkunda, Adem Kastrati. Fryt i këtij bashkëpunimi gjenial âsht edhe vumja në skenë e «Kopracit» me aktorin Zef Jubani në rolin kryesor. Premiera e shfaqjes u dha me 17/2/1952 dhe âsht e tepërt me ia kujtue këtu lexuesit suksesin që pati kjo shfaqje si edhe vendin e nderit që ajo ka në historinë e teatrit tonë.

Pyetjes rreth rolit që ka pasë arti dramatik në jetën e tij, Lec Shllaku i përgjegjet tu thanë se ai ka përbâm momentin mâ të randësishëm të jetës, ai ka qenë problemi absolut i saj. Arti ka bâ që të gjitha interesat e problemet tjera të jetës të unifikohen deri në shpërbâmje për me i lanë fushë të lirë veprimit artistik. Edhe kur i lodhun dhe i zhgënjyem, i sulmuem dhe i përfolun kryesisht prej cmiret, kam dashtë me e braktisë artin – vijon L. Shllaku – m’âsht dashtë me u pendue e me i shkue mbrapa si qeni tue qa e tue u përlotë. Gjithmonë jam ndie i kërcënuem, gjithmonë kam qenë në nji ekuilibër të paqindrueshëm, tue jetue pezull mbi nji botë që lëvizte pa prâ në vlerat dhe në drejtimet e saja. Por, kam preferue mâ mirë me jetue pezull tue luftue sesa i venduem e tue lëngue.

Kështu në vitin 1962 më dërguen në Elbasan, tregon Leci, ku themelova dhe drejtova për nji dhjetëvjeçar teatrin «Skampa» dhe ku m’u dha mundësia me çilë horizonte të reja e me njohtë nji realitetet që ma ka ndihmue shumë. S’mund të rri pa kujtue aktorët e mëdhaj Robert Ndrenika dhe Demir Hyskja, por më bjen ndër mend edhe vlerësimi që dha Viktor Eftimiu për aktorin Haxhi Sejko, kur ndoqi shfaqjen e “Njeriu që pau vdekjen me sy”: Të këtillë aktorë as teatri ynë në Rumani nuk i ka.

Lec Shllaku ka luejt edhe në disa filma të randësishëm si: Skënderbeu (rolin e Gjon Kastriotit), Para agimit, Plumba perandorit (rolin e gjykatsit), Yjet e netve të gjata (rolin e oficerit gjerman), Qortimet e vjeshtës (rolin e priftit) etj.

Kur kujton filmin «Skënderbeu» të regjisorit hebre rus Sergej Jutkeviq, Shllaku thotë se fillimisht rolin e Skënderbeut do ta luente ai vetë dhe vetëm mâ vonë ai rol iu dha gjeorgjianit Akati Horava, i cili ishte edhe kushri i Stalinit. Skenat e filmit janë xhirue në Krimé, në Berat, në bregdetin tonë, në fushën e Kakarriqit, dhe në versionin origjinal të këtij filmi Lec Shllaku interpreton rolin e vet tue përligjirue në gjuhën ruse. Në vitet ’90 ai ka marrë pjesë edhe te filmi «Larg barbarëve», ku ka interpretue – në gjuhën frënge – rolin e përkthyesit Jusuf Vrioni, tue pasë si partnere aktoren e mirënjohtun franceze Dominique Blanc.

Por Lec Shllaku âsht edhe shkrimtar, ai ka botue dramën operistike “Hajria” , monografinë “Zef Jubani” , dhe tash së fundi nji tjetër monografi kushtue artistit të popullit “Loro Kovaçi” . Ka botue poemen “Norja e Nika” (25 mijë vargje), dhe studimin “Maska shkodrane” , ku ka hulumtue lindjen e rrugëtimin e komedisë shkodrane. Tashti pritet të dalin prej shtypit edhe libri i tij “Shtegtimi i monumenteve” , ndërsa ka në dorëshkrim 5 vëllime me titull “Jetë pezull” ku ka përmbledhë momente të randësishme të jetës së vet.

Ai âsht vëlla i përkthyesit të madh Gjon Shllaku, i atij që pruni në gjuhën shqipe “Iliadën” dhe tragjediografët grekë, Virgjilin dhe “Kangën e Rolandit” , dhe që u nda prej nesh kur po punonte mbi nji fjalor latinisht–shqip me rreth 65 mijë fjalë. Por âsht edhe baba i shkrimtarit elegant e modern Primo Shllaku dhe i aktorit të njohtun të teatrit “Migjeni” , Bruno Shllaku.

Me e pyet Lec Shllakun se cili âsht aktori mâ i madh shqiptar, ai pa ngurrue të përgjegjet se âsht Zef Jubani, monografia kushtue të cilit del në këto ditë për së dyti prej shtypit. Ndër aktor të huej tregon se ka përlqye shumë V. Gassman-in dhe A. Sordi-n. Si prozatorin mâ të madh të letërsisë shqiptare konsideron E. Koliqin, kurse si poet N. Mjeden. Ndër shkrimtarë të tjerë ai don mâ fort De Radën dhe Gavril Darën e Ri. Por, për tê shkrimtari mâ i madh i tana kohnave mbetë W. Shakespeare, edhe pse ndaj tij e ka nji vrejtje, mbasi nuk e ka parapá ngritjen masive të kulturës, përndryshe, thekson L. Shllaku, nuk do të kishte shtjellue, ndonjiherë për s’tepërmi, disa motive didaskalike që sot e randojnë veprën e tij.

Por tashma, kur gjithçka që mund të quhet «vlerë» kalon së pari nëpër stomak, misioni i shkrimtarit âsht bâ shumë i vështirë, e dihet botnisht se epoka jonë ka shumë fjalamana por pak misionarë të vërtetë, të gatshëm me u sakrifikue.

Për shtetin, Leci ka nji mendim shumë të qartë, thotë se kishe dashtë që ai mos të ishte aspak, pse ai ka në themel të vet forcën dhe me tê rregullon padrejtësitë, me nji proçes që ecë me rrëbythje e me jak e eja. Por ujqit e lumenjt, të cilët nuk mund të gardhohen, e diftojnë se Shteti s’mund të bâhet kurrë nji strukturë mbizotnuese.

A kam frikë vdekjen? – përsërit si me vete pyetjen artisti. Kam frikë vuejtjen, të cilën s’e kuptoj veçse në fund, kurse vdekjen s’e kam frikë, mbasi ajo e ka nji kuptim, bile shumë të madh.

Nakël a pishman nuk më ka mbetë kurrgja, mbasi nuk kam bâ kurrë projekte që për me u realizue t’i kenë kapërcye fuqitë e mija. Ajo çka më ka idhnue âsht kenë humbja e disa dorëshkrimeve dhe punimeve kur jam bajtë me shtëpi. Kam banue për 15 muej në Shirokë, buzë liqenit të Shkodrës, pak hapa larg vilës së Zogut. Atje kam përtri forcat e mija, kam thithë erën e sherbelës e të trumzës, kam përkëdhel me sy mrinat e zajet e bardha e prej tryezës seme të punës kam vërejt shtërngatat mbi liqé e borën që mbulonte dimnit Maranajn e Cukalin. Natyra, për vetë faktin që lind e vdes në mënyrë ciklike, i jep artistit nji entuziazëm të pashoq – përfundon Lec Shllaku.

E la artistin të ulun në oborr të shtëpisë së tij, nën hijen e qershisë që edhe ato pak kokrra që ka lidhë, ia ka vra breshni, afër hardhisë që ka endë vonë, mes lulesh të paemna që e rrethojnë përvujtnisht – bashkë me shikimin dashunor të së shoqes. Sillet krejt i shpenguem dhe i vetvetijshëm, mbasi jeta e tij s’ka marrë kurrgja prej teatrit, n’nji kohë që teatri ka qenë e gjithë jeta e tij. Sot, kur shumica e njerëzve rreket – si nji i verbt që me bulat e gishtave mbulue me ngishte (tosk. gishtezë) – me gjetë ndiesinë shëlbuese të jetës, artisti mendon sesi me ia marrë uha bubullimat Nanës Natyrë për me i dhanë trajtë zaneve të skenës së tij të fundit.

 

 

 

 

___________________________________________

 

Botue te «Bota shqiptare»