Tash kur shiun e ka shterrun shtërzia, e moti asht gazmentë, ndjehemi krejtçka tjetër, përplot energji vërshimi

Albert Vataj

Ra kaq shumë shi. Gjatë u dend toka duke e strukur në prehrin e vet gjithë këtë zemëratë. Me sytë nga qielli mbetëm ditë pambarim. Çadrat nuk reshtnin së theruri kurmin gri të të përditshmes, e cila kllapitej nën melodinë e shiut dhe hapave gjithnjë në turravrap. Retë ndiqnin njëra-tjetrën në këtë agoni të stërgjatë e të dymentë të dimrit. Vetëtimat shkrepëtinin duke grisur mantelin e zi të natës dhe thyer melankolinë e shiut që nderej në përgjimin e heshtur, mbrëmjeve kur përtej xhamave të lidhur nga litarët e shiut kqyrnim lojën e motit.

Shiu ishte ka gjatë me ne, aq sa edhe melankolikët e braktisën duke u strukur pas kujtimeve që i shfletonte melodia e vajit të motit. Kockat na i çau lagështia. Arat dhe ëndrrat i strukëm nën ujë dhe zemërimin në qiell e lëshuam me sa zë që kishim. Err e terr, jargët e strehëve zvargeshin si prej gojës së bishës egërsia. Lageshim e ndrageshim me pasionin e Noes dhe Arkës në çastet e trilleve që thurnim për përmbytjen e përbotshme.

Kaq gjatë shiu ishte me ne, na ndiqte e na përgjonte krejkund ku vetja strukej për tu fshehur. Aq pareshtur ra shi, sa edhe sot që retë kanë marrë arratinë e blunë ka veshur ky qiell oshnar, në kocka ndjejmë pëshpërimën e dhimbjeve të lagështisë, në duar qëmtojmë lojën e fundit në pianon e melodisë meditative. Mbrëmja është shkrehur tash, e perëndimi ka shtruar gosti zjarresh. Lulet kanë çelur e zërat e fëmijeve kanë shpërthyer bashkë me bulëzat e para të pranverës. Dielli ka zgjuar shkëlqimin dhe harenë në fytyra dhe panorama që syni na rrokë. Zjarret e gjakut shpuzisin në këtë furi vërshimi që beh nër ne njiherash me zgjimin nga letargjia.

Kam mbetun ende me sy nga qielli e përgjoj çdo formëzim reje. Taftine tokës dhe frymëmarrjen e horizontit e ndjej përnga është nisur. Strehët e mbetura pa vajin e tyne pikëllues me gazmendin në këtë hov që gjithkah natyra ka marrë. Shiun dhe lotët i presa e i përcjell, ndërsa dielli shndrit në kreshta, e syve pëlcasin brerorët e mrekullimit.  Ka ndërru moti e bashkë me të edhe ne ndjehemi krejtçka tjetër, më të gjallë, përplot energji vërshimi, kapluar prej dalldive të pasionit dhe shpuzës së mishit.